Rruga e vështirë drejt euros

Në tregtinë e thjeshtë kartëmonedhat janë përdorur në veçanti gjatë tre shekujve të fundit. Në Evropë kartëmonedhat e para u lëshuan nga Banka e Stokholmit në vitin 1660. Në vitin 1694 Banka e Anglisë i lëshoi kartëmonedhat e para me qarkullim të përhershëm, ndërsa përdorimi i prerjeve fikse të kartëmonedhave të shtypura hyri në përdorim në shekullin e XVIII.

Sot kartëmonedhat i gjejmë në forma të ndryshme në botën e financave si “Bitcon-in” që ndryshe njihet si “Kripotovalutë”, e cila është monedha më e re që nuk duket por me vlerë të jashtëzakonshme në shkëmbimet ndërkombëtare dhe që vlerësohet se do të jetë monedha e së ardhmes.

Baza monetare më e vjetër e ka prejardhjen nga procesi i blerjes së kapitalit bujqësor në Mesopotaminë e Lashtë përgjatë lumenjve Tigër dhe Eufrat. Pasi aty tregtia ishte e zhvilluar, drafte financiare u lëshuan për grurin e depozituar si njësi llogarie. Në kohën bashkëkohore, në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) përpjekjet për një union të përbashkët monetar nuk u ndërprenë. Përvoja e evropiane e luftës nuk lejonte që të përsëritej ky dështim financiarë në tokën evropiane, pasi një union ekonomik dhe monetar ishte një ambicie e përsëritur e gjeneratave të reja të politikanëve evropianë. Përveç unionit, gjenerata e re evropiane dëshironte krijimin e një sistemi financiarë, me qëllim të përfshirjes në koordinimin e politikave ekonomike dhe fiskale. Njëherit kjo ishte një politikë e përbashkët monetare për një monedhë, e cila do të quhej një ditë euro.

Sipas strategjistëve evropianë një monedhë e vetme ofronte më shumë përparësi, sepse e bënte më të lehtë për kompanitë të zhvillonin tregtinë ndërkufitare, ekonomia mund bëhej më e qëndrueshme dhe konsumatorët mund të kishin më shumë zgjedhje. Sidoqoftë në fillim të unionit ekonomik jo të gjithë punonin për euron, një sërë pengesash politike dhe ekonomike e bllokuan rrugën si angazhimi i dobët politik, ndarje mbi përparësitë ekonomike dhe trazirat në tregjet ndërkombëtare.

Të gjithë nga pak e luajtën rolin e tyre zhgënjyes drejt bashkimit ekonomik dhe monetar. Trazirat në tregjet ndërkombëtare të valutave e kërcënuan sistemin e përbashkët të çmimeve të politikës së përbashkët bujqësore, një shtyllë kryesore e Komunitetit Ekonomik Evropian (KEE-BE) . Përpjekjet e mëvonshme për unifikim monetarë u goditën nga kriza e naftës në vitet e 70-ta. Pas krizës financiare të viteve 1973-1974, në vitin 1979 filloi Sistemi Monetar Evropian (SME –EMU) gjatë së cilës u ndërtua një sistem i kurseve të këmbimit për të mbajtur monedhat brenda një rrethi të ngushtë. Kjo qasje krejtësisht e re përfaqësonte një koordinim të paparë të politikave monetare midis shteteve të BE-së. Për të forcuar sistemin bankar evropian, nën presidencën e Zhak Delorsit (Jacques Delors) guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të BE-së e prodhuan raportin strategjik të quajtur “Raporti i Delors-it” i cili tregonte vijat financiare se si të arrihet deri tek sistem monetar i përbashkët. Raporti sugjeronte një periudhë përgatitore në tre faza për bashkimin ekonomik dhe monetar, që përfshinte periudhën nga viti 1990 e deri 1999.

Nuk voni shumë, kur pas një dekade përgatitjesh, euro u lëshua në tregun evropian më 1 janar të vitit 1999. Për tre vitet e para ajo ishte një monedhë “e padukshme” kurse zyrtarisht në qarkullim euro u lëshua vitin 2002, ndryshe monedha më e re në historinë financiare evropiane.

Për të menaxhuar euron dhe shumë çështje tjera monetare dhe financiare, qeveritë e shteteve anëtare të BE-së e themeluan Bankën Qendrore Evropiane (BQE) e cila është banka qendrore e Eurozonës. Banka është themeluar nga Traktati i Amsterdamit dhe selia e saj është në Frankfurt të Gjermanisë. BQE është një nga bankat më të rëndësishme në botë dhe shërben si një nga shtatë institucionet e BE-së. Presidentja aktuale e BQE-së është Kristine Lagarde.

Sidoqoftë, në jetën e përditshme euron e të gjitha formave të prodhimit e duam pa masë, pasi ajo është pasqyra financiare dhe bankare e Evropës së bashkuar e manifestuar në kartëmonedha. Për shtetet e Ballkanit Perëndimor, euro duhet të jetë një shembull për të ardhmen financiare të unioneve ekonomike që mund të lindin nga bashkëpunimi rajonal i qeverive në frymën e euro-integrimeve dhe stabilitetit afatgjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button