RULETI RUS – COVID-19

Sigurisht keni dëgjuar për Ruletin rus, atë lojën e fatit me revole në cilindrin e së cilës futet vetëm një plumb. Më pas rotullohet cilindri, i drejtohet kokës së lojtarit dhe tërhiqet këmbëza. Epilogu i kësaj loje idiote është shpesh herë tragjik për pjesëmarrësit kokëboshë, sepse mundësia për të krisur revolja është e madhe.

E ngjashme me Ruletin rus është edhe “loja” e shumë njerëzve me virusin vdekjeprurës Covid-19, që dy muajt e fundit është dukë bërë kërdi, veçmas në shtetet si Maqedonia e Veriut, e cila mban rekordin për numrin e të vdekurve në raport me popullatën që jeton brenda kufijve të saj. Në këtë mes bëjnë pjesë tipat që besojnë se virusi ekziston, por që nuk denjojnë t’i rrallojnë kontaktet me të tjerët, duke ndjekur kësisoj logjikën e lojtarëve të Ruletit rus, të cilët vetëdijshëm e shkrepin pistoletën në kokat e tyre, të udhëhequr nga ideja se: edhe kësaj radhe nuk do të krisë

Një hap përtej tyre shkon kabilja e trajmave mendjegëzauët që si bomba të kurdisura enden sallamadishëm ndër njerëz edhe në ambiente të mbyllura (në autobuzë, furgonë, zyra, dyqane, berberhane…). Ata tallen me virusin e rrezikshëm që korr masivisht jetën e familjarëve, miqve dhe të njohurve tanë. Për ta nuk vlen detyrimi për bartjen e maskave mbrojtëse dhe mbajtjen e distancës sociale, që sotpërsot është mjeti i vetëm për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Vetëm kur s’kanë nga t’ia mbajnë vendosin maskat nën mjekrat e konceptuara si organe frymëmarrjeje, sepse goja u duhet për të shtyrë fall mbi teoritë konspirative – antenat 5G, sekretet e Iluminatin apo planet për shfarosjen e njerëzimit nga Bill Gejtsi, me të cilat arrijnë të përkundin të painformuarit që gjithashtu nuk e besojnë ekzistencën e virusëve qe nuk i kanë përmasat e elefantëve.

Për njerëzit e këtij soji publikova një apel që më 18 mars kur u shfaq Covid-19 ndër ne, me çrast shpreha shqetësimin për situatën në të cilën, mjerisht, gjendemi aktualisht: “Pa aktruar mjekun, them se është momenti që edhe ne të reflektojmë, si gjithë bota, për të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm shëndetin tonë dhe më të dashurve që kemi. Ta bëjmë këtë pa panik, po dhe pa tebdilosje në heronj mendjegëzauët, “trimëria” e të cilëve nuk do t’na ndihmojë nëse ndodh që tē bëhemi me mijëra (mos o Zot!) para spitaleve që nuk do të kenë as vend as kuadro për flukse të sëmurësh si fatkëqinjtë e Italisë”.

Dorën në zemër, pjesa e esëllt e njerëzve e kuptoi me kohë rrezikun, ndaj respekton me përpikëri këshillat e epidemiologëve dhe infektologëve më të mirë të globit. Këtyre  duhet t’u bashkohen urgjentisht edhe të tjerët, pa asnjë përjashtim. Është fare e thjeshtë. Duhet vetëm të mbajmë maskat, të ruajme distancën dhe të kujdesemi për pastërtinë tonë dhe të ambienteve ku jetojmë e punojmë. Kaq duhet bërë tanipërtani gjersa të zbulohet/ prodhohet një vaksinë e sigurt anti-covid, për të cilën po flitet me të madhe ditëve të fundit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button