Përmes një e-maili të rremë u bëhej thirrje për mbledhje 300 studentëve të Fakultetit Ekonomik- Shën Cirili dhe Metodi

Studentët e vitit të parë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” pardje kanë marrë një mesazh të pazakontë në email adresat e tyre, në të cilin u kërkohej që të nesërmen të shkonin në sallën e mbledhjeve të fakultetit. Bëhet fjalë për e-mail dërguar më tepër se 300 fillestarëve, studentë që studiojnë në fusha të ndryshme dhe departamente të Fakultetit Ekonomik, njofton Portalb.mk.

Në e-mail thuhej se për shkak të një gabimi të madh teknik, janë ndryshuar rezultatet e provimeve, ndaj për këtë shkak të gjitha provimet do të përsëriten me prani fizike.

Kjo menjëherë shkaktoi reagime në mesin e studentëve të Fakultetit Ekonomik, pas së cilit ata menjëherë kuptuan se ishte një email i rremë.

Ftesa e rreme, foto: screenshot
Ftesa e rreme, foto: screenshot

Në njoftimin e rremë pretendohet se i njëjti ishte dërguar nga Dekani i Fakultetit Ekonomik, Predrag Tërpeski. Autori i e-mailit madje ishte përpjekur që posta elektronike nga ku ishte dërguar njoftimi të ngjajë si faqe zyrtare e Fakultetit Ekonomik, e cila në shikim të parë jep përshtypjen se informacioni vjen nga një burim i besueshëm. Ueb-faqja zyrtare e Fakultetit Ekonomik në UKM është eccf.ukim.edu.mk, ndërsa dërguesi i emailit është kyçur me adresë të njëjtën, vetëm se me posten elektronike Gmail: [email protected].

Emaili, në të cilin kërkohej prani në ambiente të mbyllura të më shumë se 300 studentëve vjen në një kohë krize shëndetësore, kur tubimet e mëdha janë të ndaluara në vend për shkak të numrit në rritje të rasteve të Kovid-19, veçanërisht në kryeqytet.

Meta.mk” kërkoi reagim nga Dekaniti i Fakultetit Ekonomik. Dekani, prof. Dr. Predrag Tërpeski, tha se bëhet fjalë për email-adresë të rreme, me shumë mundësi nga ndonjë student. Fakulteti reagoi menjëherë, duke informuar zyrtarisht studentët se bëhet fjalë për email të rremë.

“Bëhet fjalë për një shaka pa shije, abuzim. Me shumë gjasa është email i dërguar nga ndonjë student sepse ata i kanë kontaktet e kolegëve të tyre. I ka përdorur kontaktet përmes të cilave ne komunikojmë vazhdimisht me studentët, u ka shkruar email të rremë me të cilin përcolli informacione të gabuara. Qysh dje 300 studentëve të cilët kanë marrë emailin u është dërguar email zyrtar dhe janë njoftuar se bëhet fjalë për një profil të rremë. Rasti do të raportohet sot në polici dhe do të procedohet më tej në institucionet kompetente,” tha Tërpeski.

Trpeski siguron se nuk bëhet fjalë për sulm hakerësh dhe se me gjasë adresat e më shumë se 300 studentëve janë marrë nga komunikimi midis studentëve dhe posta elektronike zyrtare e Fakultetit Ekonomik.

Sidoqoftë, kur një fakultet UKM-së dërgon njoftim zyrtar ose e-mail për studentët, mesazhet janë të koduara, kurse adresat e postës elektronike të studentëve janë të mbrojtura dhe nuk janë të dukshme për të gjithë, gjegjësisht, secili student mund të shohë vetëm adresën e vet. Kjo ngre pyetjen, nëse adresat e postës elektronike të studentëve janë të mbrojtura dhe nuk janë të dukshme, si ka ardhur dërguesi i emailit të rremë në këto adresa.

Fakulteti Ekonomik kohët e fundit  u shpërndau adresa të reja elektronike studentëve që ata i përdorin për të marrë pjesë në ligjëratat online përmes platformës Microsoft Teams dhe çdo student që kyçet në ligjëratë mund të shikojë postat elektronike të të gjithë kolegëve të pranishëm. Por, adresat në të cilat u është dërguar emaili i rremë janë adresa personale të studentëve, të cilat janë të njohura vetëm për ta dhe të cilat ata i përdorin për t’u kyçur në sistemin e UKM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button