Rigjykimi i Naser Eshtrefit, mbrojtja thotë se vepra është kryer në mbrojtje dhe afekt, pa paramendim

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seanca e parë e rigjykimit të lëndës për vrasjen e maturantit Angjel Petkovski më 19 maj të vitit 2014-të, ku i akuzuar është Naser Eshtrefi. Në seancën e sotme, përfaqësuesi i akuzës, Darko Jakimovski dhe avokati mbrojtës, Angjel Georgiev i thanë fjalët hyrëse, të cilat, i përsëritën sikur në gjykimin e parë – organi i përndjekjes vazhdon ta akuzojë sipas të njëjtave pretendime, gjegjësisht sipas të cilit dhe u dënua me 14 vjet burg për vrasje me paramendim, ndërkaq mbrojtja thotë se vepra është kryer pa paramendim, në afekt dhe në mbrojtje të nevojshme, raporton Portalb.mk.

Në ndërtesën e re të Gjykatës Penale, sot në ora 10:30 filloi rigjykimi për rastin “Naser Eshtrefi”. Gjykatësja e lëndës, Diana GruevskaIlievska, e hapi seancën gjyqësore, Naseri është sjellë nga Burgu i Shutkës, ndërkaq të pranishëm ishin, gjyshi i tij, Ilmiu, por edhe prindërit e Angjelit, Dragica dhe Sasho Petkovski. Portalb.mk ishte i vetmi medium që e ndoqi seancën.

“Rikthimi i procedurës nuk ka të bëjë me konstatimin e fakteve apo gjendjeve të reja. Mbetemi në tërësi në teorinë e shpjeguar të ngjarjes”, tha prokurori Darko Jakimovski, i cili filloi me fjalët hyrëse.

“Fokusi i hetimit dhe provat merren me çështjet që kanë të bëjnë me theksin e rrethanave në bazë të së cilave ka ndodhur ngjarja, gjegjësisht kush i pari ka sulmuar, si dhe ku ka ndodhur ngjarja, pjesëmarrësit, në çfarë veprimi kanë qenë pjesëmarrësit, gjegjësisht i ndjeri, babi i tij Sasho Petkovski dhe i akuzuari. Pjesëmarrës tjerë në këtë ngjarje nuk ka. Kërkoj të mbani llogari për dy faktorët kryesor – kohën që ka ndodhur ngjarja, por edhe për të se se veprimet a kanë ndodhur në një vend apo më gjerë. Aspektet kyçe janë provat materiale të Institutit të Mjekësisë Ligjore, por edhe të kontrolleve që i janë bërë të akuzuarit pasi që edhe ai ka marrë lëndime në ngjarje. Gjithashtu janë dëshmitarët dhe provat materiale”, shtoi Jakimovski.

Në lidhje me vërejtjet e Gjykatës Supreme në lidhje me intensitetin e afektit dhe rikonstruimin e ngjarjes, prokurori tha se duhet të shqyrtohen të dyja.

“Duhet të shihet nëse fare ka pasur afekt, psikiatri ka konstatuar se nuk ka ekzistuar një gjë e tillë. Ndërkaq për rikonstruimin, ky rast nuk paraqet eksperiment kriminalistik, rikonstruimi nuk ka legjitimitet prove. Rikonstruimi nuk është dhënë për shkak lëshimeve në ekspertizë, apo debatit kryesor, por për shkak vlerësimit të provave. Se a duhet të ketë rikonstruim, do të tregojnë provat”, shtoi Jakimovski.

Pasi mbaroi prokurori me fjalët hyrëse, gjykatësja i dha fjalë Naserit për ta pyetur nëse ndjehet fajtor për veprën për të cilën ngarkohet. Naseri tha se nuk ndjehet fajtor.

Pas tij, e mori fjalën avokati, Angjel Gjeorgjiev, për t’i thënë fjalët hyrëse, të cilat, tha se janë të njëjta me ato që i ka thënë gjatë procedurës së parë.

“Unë mbetem në fjalët hyrëse që paraprakisht i kam deklaruar. Pretendimi do të elaborohet, se tek i akuzuari në rastin konkret nuk ka ekzistuar paramendim për privim nga liria, ka qenë në rast të mbrojtjes së nevojshme dhe ka ekzistuar reagim në afekt apo në moment”, tha avokati.

Ai, po ashtu pati vërejtje ndaj prokurorit duke shtuar se “nuk pajtohet se për shkak lëshimeve formale janë shfuqizuar dy aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, lëshimet janë thelbësore, vendimtare dhe të karakterit absolut”.

“Prita se do të ketë ndryshim në disa pika të akuzës, por nuk ndodhi”, shtoi më pas Gjeorgjiev, i cili paralajmëroi se në procedurën më tej do t’i dëshmojnë konstatimet e tyre.

Pastaj, mbrojtja dhe prokuroria, bashkë me gjykatësit u pajtuan që në këtë procedurë të ridëgjohen me prani fizike vetëm 3 dëshmitarë nga gjithsej 11. Dëshmitarët e tjerë nuk do të ridëgjohen, pasi që sipas tyre nuk është e nevojshme, dëshmia e tyre vetëm do të lexohet.

Nëse gjykata i pranon vlerësimet e mbrojtjes, dënimi mund të ulet

Sipas Kodit Penal, për veprën me të cilën ngarkohet Naser Eshtrefi (Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 1) parashikohet dënim prej më së paku 5 vite burg.

Mbrojtja kërkon që të zbutet dënimi, pasi që dënimi prej 14 vitesh burg është drakonik. Vlerësimet e mbrojtjes janë se vrasja ka ndodhur në mbrojtje të nevojshme dhe në moment, për të cilat në seancat e radhës gjyqësore do të duhet që të diskutohet. Nëse mbrojtja arrin që t’i dëshmojë konstatimet e saj, atëherë Eshtrefit mund t’i ulet dënimi, të paktën kështu e thonë dy nenet e Kodit Penal.

Neni 9 i Kodit Penal – Mbrojtje e nevojshme, thotë:

  • Nuk është vepër penale, vepra që është kryer në mbrojtje të nevojshme
  • Mbrojtje e nevojshme është ajo mbrojtje që është e domosdoshme kryerësi të refuzojë nga vetja ose nga tjetri, sulm i njëkohshëm i paligjshëm
  • Kryerësi i cili i ka tejkaluar kufijtë e mbrojtjes së nevojshme mund të dënohet më lehtë, a nëse tejkalimin e ka kryer për shkak të nervozizmit të fortë ose zhgënjimit të shkaktuar nga sulmi me sulmin, mundet edhe të lirohet nga dënimi.

Neni 125 i Kodit Penal, vrasje në moment, thotë:

  • Ai që do të privojë nga liria një tjetër në moment, i sjellë pa fajin e tij në gjendje nervozizmi të fortë me sulm ose ofendim të rëndë ose si pasojë e dhunës familjare nga ana e të vrarit, do të dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet burg.

Seanca e radhës u caktua për më 9 dhjetor, në të cilën do të japin dëshmi Sasho Petkovski, babai i të ndjerit dhe pjesëmarrësi në rrahje, dhe dy dëshmitarë të tjerë, Goran Dançevski dhe Goran Martinovski.

Paraprakisht, mbrojtja ka dorëzuar kërkesë që Eshtrefi të mbrohet në liri, por Gjykata ende nuk ka miratuar vendim për të njëjtën.

Përndryshe, ngjarja në fjalë bëri bujë të madhe në vitin 2014-të. Atë ditë, në Gjorçe Petrov, i ndjeri Angjel Petkovski, asokohe 20-vjeçar, bashkë me babain e tij, Sasho Petkovski, asokohe 45-vjeçar i ishin vënë pas Naser Eshtrefit, i cili ishte 17-vjeçar, pasi që kanë pretenduar se djaloshi ka dashur t’ua vjedh një biçikletë.  Naseri është larguar nga vendi i ngjarjes, pa e marrë biçikletën me vete. Megjithëse ai nuk ua ka marrë biçikletën, Angjeli bashkë me babain e tij janë drejtuar te një vend në afërsi të Spitalit të Syve në Gjorçe Petrov, ku e kanë pritur dhe më pas e kanë kapur Naserin. Këtu ka filluar rrahja mes tyre. Naser Eshtrefi është rrahur nga ana e babait të Angjelit me shkop bejsbolli, ndërkaq Naseri e ka ther me thikë Angjelin. Armët e deliktit nuk janë gjetur – kush i solli aty, nuk ka prova të besueshme. Gjykata në gjykimin e parë në aktgjykim ka theksuar se Naseri e ka bërë vrasjen me paramendim, por edhe se thikën ai e ka sjellë, gjë të cilën kategorikisht e mohon mbrojtja duke thënë se Naseri nuk ka shkuar për ta sulmuar askënd, apo për ta vrarë që të kishte marrë thikë me vete, rrjedhimisht me atë ai s’ka pasur për qëllim që ta mbyt Angjelin, vrasja ka qenë në moment dhe në vetë-mbrojtje, pasi që në të kundërtën ata do ta mbytnin Naserin. Sipas mbrojtja, edhe shkopi i bejsbollit, por edhe thika kanë qenë të Angjelit dhe babait të tij, ndërkaq Naseri ua ka marrë thikën derisa kanë qenë duke u përleshur.

Portalb.mk, bëri hulumtim për këtë rast, sipas të cilit ka konstatuar se ka pasur lëshime gjatë procesit gjyqësor, sidomos në çështjen e motivit të vrasjes, por edhe elementit kyç – kush ka sulmuar i pari. Gjithashtu, video nga kamerat e sigurisë mungon pjesa e fillimit të zënkës, që do të konstatonte se kush ka sulmuar i pari. Pos kësaj, duhet që të konstatohet se cili ka qenë motivi i të ndjerit dhe babait Sasho Petkovski, që e kanë ndjekur Naser Eshtrefin, por edhe të gjenden armët e deliktit se kush i solli në vendin e ngjarjes.

Asokohe, vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilët e vandalizuan disa qindra banorë të së njëjtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit. Të njëjtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptarë.  Dëmet nga vandalizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.

Apeli e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, ndërkaq pas 5 vitesh zvarritje dhe endje prej sirtari në sirtar e prej dere në derë, Gjykata Supreme miratoi vendim me të cilin e ktheu në rigjykim lëndën. Kjo i vërtetoi konstatimet e mbrojtjes se Gjykata Penale dhe e Apelit e kanë dënuar Eshtrefin duke mos i konstatuar faktet.

Shkrimet e Portalb.mk në mënyrë kronologjike, për rastin në fjalë:

  1. 19.11.2020: Mbrojtja kërkon lirimin e Naser Eshtrefit nga paraburgimi
  2. 05.11.2020: EKSKLUZIVE: Pas 5 viteve zvarritje, Gjykata Supreme ka miratuar vendim që lënda e Naser Eshtrefit të rigjykohet
  3. 24.09.2020: Pabarazia e Gjykatës Supreme: Qytetari pret me vite, biznesmenët e funksionarët “kryejnë punë”
  4. 22.09.2020: Antikorrupsioni ka marrë vendim se nuk është kompetente për ankesën e familjarëve të Naser Eshtrefit
  5. 18.06.2020: Arsllani hapave të Vangellovskit, 9 muaj në krye të Supremes, nuk vendos për rastin “Naser Eshtrefi”
  6. 26.02.2020: Efikasiteti gjyqësor: Lënda e Naser Eshtrefit, 4 vite ka shëtitur në sirtarët dhe duart e gjykatësve të Supremes
  7. 18.02.2020: Agjencia për Qasje të Lirë: Supremja e ka shkelur ligjin, pasi nuk i ka dhënë informatat për Naser Eshtrefin
  8. 25.07.2019: Rasti “Naser Eshtrefi”, ish kryetari i Gjykatës Pançevski: Prokuroria e Zaevit do të lirojë vrasës e terroristë
  9. 23.07.2019: Rasti “Naser Eshtrefi”, familjarët kërkojnë që Antikorrupsioni ta hetojë ish kryetarin e Penales, Vlladimir Pançevski
  10. 19.04.2019: Gjykata Supreme nuk e përfill rastin e Naser Eshtrefit (DOKUMENT)
  11. 11.12.2018: Avokati Georgiev: Supremja nuk e shqyrton rastin e Naser Eshtrefit se kemi argumente që lënda të kthehet në rigjykim
  12. 24.09.2018: Gjykatësi që ka marrë urdhra politike, 3 vjet e gjysmë e mban peng ankesën e Naser Eshtrefit
  13. 06.07.2018: Gjykata Supreme edhe pas tre viteve nuk ka kohë ta shqyrtojë rastin e Naser Eshtrefit
  14. 08.04.2018: Familja Eshtrefi nga Shkupi kërkon lirimin e Naser Eshtrefit, i dënuar me 14 vite burg për vetëmbrojtje!
  15. 16.05.2017: Vangellovski shpejtë intervenoi për Koçanin, por nuk ka përgjigje për “Monstrën” dhe “Naser Eshtrefin”
  16. 05.08.2016: Prokuroria Speciale mund ta merr në duar rastin e Eshtrefit, i dënuar për vrasjen në Gjorçe të Shkupit
  17. 04.08.2016: Dosje: Si u realizua gjykimi skandaloz për Naser Eshtrefin, vrasja në Gjorçe të Shkupit (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button