RMV, MASH u arsyetua pse nuk e ka publikuar listën e fituesve të bursave për nxënësit, premtoi më së voni deri nesër

Për shkak se Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendim me të cilin e rriti numrin e bursave për nxënësit e shkollave të mesme që janë raste sociale nga 400 në 544, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e ka vonuar publikimin e rezultateve të konkursit, të cilat duhej që në ueb-faqen e saj t’i publikojë më 27 nëntor. Nga MASH paralajmërojnë se do t’i publikojnë rezultatet më së voni deri nesër, ndërkaq do ta vazhdojnë edhe afatin e nënshkrimit të marrëveshjes, njofton Portalb.mk.

“Publikimi i rezultateve është prolonguar për shkak të iniciativës së MASH-it për rritjen e kuotave të definuara në konkurs, me qëllim që t’u dilet në ndihmë sa më shumë nxënësve të cilët i plotësojnë kushtet, ta realizojnë të drejtën për bursë. Rezultatet nga konkursi për bursë për ndihmë sociale do të publikohen më së voni deri nesër, a afati për dorëzimin e dokumenteve nga ana e fituesve të bursës do të vazhdohet”, informojnë për Portalb.mk, nga MASH.

Fituesit e bursave janë të obliguar që të nënshkruajnë marrëveshje për bursë me MASH-in, ndërkaq nëse nuk e nënshkruajnë të njëjtën, llogaritet se heqin dorë nga bursa. Data për nënshkrimin e marrëveshjes ishte 4 dhjetori, por ashtu siç njoftoi Ministria e njëjta do të vazhdohet.

Përndryshe, përveç rritjes së numrit të bursave për nxënësit e rasteve sociale, Qeveria miratoi vendim për rritjen e numrit të bursave edhe për nxënësit me nevoja të veçanta nga 100 në 106 dhe për nxënësit e elektro-teknikës nga 9 në 23.

Shuma e bursës është 2.200  denarë në muaj për nëntë muaj gjatë vitit shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button