RMV, pandemia me Covid-19, ka ngadalësuar avancimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta

Mungesa e qasjes së informatave në lidhje me Covid-19, mbyllja e qendrave ditore për mbështetje, mësimi i papërshtatshëm nga distanca, si dhe pamundësia për distancim social për personat e varur për mbështetje gjatë kryerjes së funksioneve të përditshme, janë vetëm një pjesë e problemeve që kanë shtuar sfidën e jetës së përditshme të personave me nevoja të veçanta gjithkund të botë, transmeton Portalb.mk.

Këtë e theksuan nga Komiteti i Helsinkit me rastin e ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta.

“Nevojitet që të vazhdojnë angazhimet për zbatimin e procesit të deinstitucionalizimit, implementimi i së cilit është ngadalësuar si rezultat i pandemisë dhe të vazhdohet me braktisje graduale të jetës institucionale, por edhe përforcim i formave alternative të kujdesit dhe zhvillimit të shërbimeve lokale për mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre. Po ashtu, nevojitet që të vazhdojnë angazhimet për arsim inkluziv, përmes përshtatjes së mësimit sipas nevojave me nevoja të veçanta arsimore dhe sigurimit të mbështetjes adekuate. Sfidë e madhe për gjithë shoqërinë është edhe mënjanimi i paragjykimeve të cilat janë akoma prezentë te një pjesë e madhe e popullatës”, thonë nga KH.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti tha se kjo kategori e qytetarëve është më e prekur dhe më e rrezikuar si ndaj virusit, ashtu edhe nga pasojat e aspektit ekonomik, social dhe në çdo aspekt tjetër.

“Jemi të vetëdijshëm se sfidat janë afatgjate dhe sistemore dhe se ka nevojë për përforcimin e personave me nevoja të veçanta, ngritjen e vetëdijes për të drejtat që i kanë dhe në atë drejtim duhet që të veprojmë në mënyrë të përbashkët me personat me nevoja të veçanta, me përfaqësuesit e tyre dhe organizatat, duke u dhënë mundësi potenciale të këtyre qytetarëve”, tha Memeti.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se edhe pse kriza e Covidit ka prishur shumë plane, ka mbajtur llogari për personat me nevoja të veçanta në pjesën e rekomandimeve për masat parandaluese.

“Në pjesën e sigurimit të qasjes, në disa vende kemi vendosur qasje fizike të ambulancave, spitaleve. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me organizatat qytetare në Shtëpinë e Shëndetit, spitalin në Ohër, në më shumë ambulanca. Me të vërtetë u kemi kushtuar vëmendje. Të gjithë qendrat e reja covid që tani janë në fazë të përgatitjes, të instalimit me ndihmë të projektit të Bankës Botërore, janë planifikuar në atë mënyrë që të kenë qasje me karrocë nga ana e personave me nevoja të veçanta”, tha Filipçe në tryezën e rrumbullakët “Transformimi i shoqërisë: Bashkësi për të gjithë”.

Ai theksoi se në periudhën e kaluar është punuar në mënyrë intensive edhe me Fondin për Sigurim Shëndetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button