RMV, Kuvendi hodhi poshtë amandamentin e Iniciativës O2 për instalimin e filtrave në oxhaqet e institucioneve publike

Ambientalistët janë të pakënaqur me shpërndarjen e fondeve në Buxhetin e vitit 2021 që janë të destinuara për mjedisin jetësor dhe luftën kundër ndotjes së ajrit. Një nga sfidat më të mëdha ekologjike në vend, përqendrimet e larta të PM 10 dhe PM 2.5 janë realiteti ynë edhe këtë vit. Plani për ajrin e pastër të miratuar dy vite më parë nuk dha rezultate të mjaftueshme, dhe si pasojë, banorët e shumë qyteteve në vend thithin ajër helmues edhe këtë vit. Në ditët e kaluara, Kavadari, Kumanova dhe Tetova ishin komunat e para që u përballën me ndotje mbi të lejuarën, e cila zgjati më shumë se tre ditë, për shkak të së cilës në këto qytete hynë në fuqi masa të veçanta, njofton Portalb.mk.

Në ndërkohë, në Kuvend filloi debati dhjetë-ditor në Komisionin për Financa dhe Buxhetit, ku po shqyrtohet Buxheti për vitin 2021. Një pjesë e mbi 500 amandamenteve, saktësisht 15 amandamente dhe 2 propozime u paraqitën bazuar në propozimet e aktivistëve mjedisorë nga Iniciativa O2. Ata i referohen rritjes së fondeve dhe aktiviteteve për ekologjinë, ndërsa veçanërisht atyre për zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe zgjidhjen e pikave të ‘nxehta’.

“Edhe pse në dipozicion kishim vetëm disa ditë për të rishikuar projektbuxhetin për vitin e ardhshëm dhe për të paraqitur propozimet tona, ne përsëri konsideruam se këto 15 ndryshime adresojnë çështje shumë të rëndësishme mjedisore dhe presim që ato të konsiderohen seriozisht nga institucionet. Amandamentet kanë të bëjnë me zgjidhjen e deponive, përgatitjen e disa studimeve, riparimin e stacioneve matëse dhe sigurimin e instrumenteve matëse, azhurnimin e kadastrit të ndotësve dhe akreditimin e një laboratori shtetëror. Gjithashtu mbështesim kërkesën për punësim të tetë inspektorëve në Inspektoratin shtetëror për mjedis jetësor. Kishim edhe një amandament që i referohej instalimit të filtrave në institucionet publike që nxehen me lëndë djegëse fosile, por ai tashmë ka kaluar debat dhe është refuzuar”, informuan nga Iniciativa O2.

Në këto rrethana, ambientalistët vlerësojnë se është e papranueshme që vetëm 0.49% e fondeve të shtetit të përdoren për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Aktivistët theksojnë se nga taksat për mjedis jetësor mblidhen dhjetë herë më shumë fonde çdo vit sesa ato të alokuara në Buxhetin e vitit 2021 për uljen e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit jetësor, menaxhimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza. Ata bëjnë thirrje për krijimin e menjëhershëm të Fondit për mjedis jetësor, përmes së cilit të sigurohet shpenzimi i synuar i këtyre fondeve.

Ambientalistët konsiderojnë që Fondi për mjedis jetësor është i domosdoshëm, sepse pa shpenzimet e synuara të fondeve për projekte mjedisore, pasqyra e ndotjes do të mbetet e pandryshuar. Çdo vit, thonë ata, do të shpërndahen thërrmijat e problemeve të mëdha që hasim në ajër, ujë, tokë, pyje, pasuri natyrore, pikat e nxehta do të mbeten të pazgjidhura për dekada, ndërsa një gjë e tillë nuk duhet të lejohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button