Fqinjë apo banorë të së njëjtës shtëpi?

Është tragjike kur lideri i një partie sado të vogël i drejtohet një etniteti të tërë me një shkrim të shkurtër ku ka shumë më tepër urrejtje dhe shovinizëm se sa shprehje me kuptim. Lideri i së Majtës, i cili tani më për një kohë të gjatë përhap teza që ngjajnë më shumë me partinë Nacional-Socialiste të Rajhut të Tretë se sa me një parti majtiste që duhet ti mbrojë të drejtat e punëtorit dhe mirëqenien e përgjithshme sociale në shtet, vendosi kësaj rradhe tu drejtohet “shqiptarëve të tij të dashur” me një pyetje konkrete. Pyetja ishte si do të ndiheshin shqiptarët nëse në Shqipëri do të kishte një ministër të punëve të jashtme me përkatësi etnike maqedonase i cili do të negocionte me Turqinë mbi çështjen se a është Skënderbeu shqiptar apo turk. Kjo sipas tij do të përjetohej në mënyrë shumë tragjike nga shqiptarët dhe prandaj, ne duheshka ti kuptojmë si ndihen maqedonasit e këtij shteti që një ministër i punëve të jashtme në Maqedoninë e Veriut, e i cili me përkatësi etnike është shqiptar, duhet të negociojë me Bullgarinë lidhur me pyetjen a është Goce Dellçev maqedonas apo bullgar. Lideri në fjalë kërkon nga shqiptarët që si “fqinjë” të mirë, të tregojnë pak më shumë mirëkuptim ndaj “fqinjit” të tyre. Është tragjik fakti që një politikan që ka arritur të sigurojë dy vende në kuvend përmes retorikës parazgjedhore ultra-shoviniste arrin të bëjë kaq shumë gabime eklatante në një shkrim të vetëm prej disa rreshtash.

Gabimi i parë tragjik i liderit në fjalë është që i drejtohet një etniteti të tërë, një grupi të madh qytetarësh që zyrtarisht e përbëjnë ¼ e shtetit, si “fqinjë” të këtij shteti, duke e vazhduar në këtë mënyrë praktikën e gjertanishme të partive djathtiste të këtij vendi që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ti trajtojnë si të huaj, si qiraxhinj, si të ardhur për një kohë të caktuar dhe pa status shtetasi e qytetari, pa të drejta të barabarta, bile edhe me vota më pak të vlefshme se votat e arta të bashkëqytetarëve të tyre me përkatësi maqedonase. Këtë retorikë e kemi dëgjuar në vazhdimësi nga VMRO-DPMNE nga viti 2016 deri më sot, kur ata në secilin cikël zgjedhor e kontestojnë përkrahjen që e mer Zoran Zaev dhe LSDM nga votat shqiptare duke e devalvuar atë dhe duke e paraqitur fitoren e tyre si më pak të vlefshme për shkak se në ato fitore votat vendimtare janë votat e shqiptarëve dhe jo ato të maqedonasve në këtë shtet. Ata gjithmonë e përhapin këtë opinion se votat e shqiptarëve nuk mjaftojnë që fitorja të jetë “e pastër” dhe gjithmonë e paraqesin pikërisht VMRO-DPMNEnë si parti që paska shumicën e votave etnike maqedonase. Sikur sistemi zgjedhor të ishte i ndarë sipas etnitetit të votuesve kjo do të ishte diçka tjetër. Por në një demokraci qoftë edhe deklarative, rëndësi ka vota e qytetarit dhe jo vota e etnitetit, sepse demokracia funksionin sipas parimit një qytatar një votë. Këtë tezë vazhdon ta përhapë edhe Apasiev, si udhëheqës i së majtës, duke iu referuar shqiptarëve si fqinjë e jo si bashkëqytetarë. Ajo që Apasiev nuk e kupton është se shqiptarët në këtë vend nuk janë të ardhur e as nuk janë mysafirë e qiraxhinj. Shqiptarët në këtë shtet janë në vendin e vet dhe si të tillë sillen duke marë pjesë aktive jo vetëm në ekonominë e vendit por edhe në politikbërjen ku ata në të shumtën e rasteve kanë pozitë vendimtare për ta bërë dallimin. Apasiev nuk arrin ta kuptojë realitetin se shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm një shtet por kanë më shumë shtete ku ata funksionojnë së bashku me etnitete tjera si zotër të vendit e jo si ardhacakë.

Gabimi i dytë tragjik i liderit të së majtës, i cili sipas pritshmërive nga një majtist do të duhej të ishte i liruar nga urrejtja ndëretnike dhe besimtar në vlerat inkluzive të diversitetit, është fakti që ai u drejtohet shqiptarëve me ankesë për ministrin e punëve të jashtme për të vetmen arsye të përkatësisë etnike të tij. Pra ai nuk komenton afëtsinë e Bujar Osmanit si ministër i punëve të jashtme dhe punën e tij në këtë drejtim. Nuk e komenton as përgatitjen e tij, as perkushtimin ne zgjidhjen e këtij problemi të kahmotshëm me Bullgarinë që në këtë moment na bllokon përparimin tonë në rrugën e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, nuk komenton asgjë lidhur me profesionalizmin me të cilën e kryen detyrën e vetë si ministër. I vetmi koment ka të bëjë me përkatësinë e tij etnike për të cilën gjë ai e shpall të padenjë ta ushtrojë funksionin e ministrit për punë të jashtme, sepse si duket, sipas disa rregullave që vetëm Apasiev i njeh, të qenit shqiptar automatikisht e pamundëson dikë të jetë ministër i punëve të jashtme, e bën të paaftë për këtë gjë, e bën të padëshiruar për këtë pozitë. Në këtë shekull të sulmosh dikë dhe ta shpallish të paaftë për të ushtruar një funksion shtetëror për shkak të përkatësisë së tij etnike ka një emër, dhe kjo quhet diskriminim etnik dhe mbjellje e urrejtjes në bazë etnike. Si doktor i shkencave juridike që gjithmonë rreh gjoks me dhjetat në indeks, Apasiev duhet ta njohë mirë rregullimin juridik të këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut. Si majtist ai duhet të promovojë mbrojtje të atyre të drejtave e jo të zhytet vetë në shkeljen e tyre. Por kjo vlen për juristë që e kuptojnë frymën e ligjit.

Gabimi i tretë tragjik i liderit të së majtës është tendenca e tij për tu bërë faktor përmes provokimit të urrejtjes ndëretnike. Me tezat e tij skandaloze shovene ai shpesh ka provokuar politikanët shqiptarë të këtij vendi. Për fatin e tij të keq kjo nuk i ka ndihmuar të fitojë status të kudërshtarit politik të tyre sepse momentalisht është aq i parëndësishëm sa që politikanët shqiptarë as nuk marrin mundimin ti komentojnë sjelljet e tij të paedukuara si ajo e fundit në Kuvend ku u mundua të kacafytet me fjalë me Kryetarin e Kuvendit i cili i mbajti një leksion të mirë majtistit të së djathtës ekstreme për atë se kush jep e kush merr fjalë në atë institucion.

Ajo që është e turpshme për këtë shtet dhe votuesit në të është që dikush që paraqitet me teza shovene në fushatën parazgjedhore arrin të sigurojë mandate deputetësh, qofshin këto edhe vetëm dy, kur disa vite më parë, me një retorikë tipike majtiste kjo parti nuk arriti të marë asnjë ulëse në kuvend. Shprehja e urrejtjes së tillë dhe diskriminimit të dukshëm ku çereku oficial i popullatës së një shteti konsiderohet si qiraxhi me vota jo sa duhet të vlefshme është kulmi i paturpësisë të cilin e shohim të përsëritet ditë pas dite, vit pas viti, cikël pas cikli zgjedhor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button