fbpx

Arta Selmani: Dituria është dritë që të ngrit në kupë të qiellit dhe në thellësi të tokës për të hulumtuar

Dituria është dritë që të ngrit në kupë të qiellit dhe në thellësi të tokës për të hulumtuar, ishte kjo një pjesë e mesazhit të Artës për të rinjtë në intervistën e saj për Portalb. Ajo ka filluar të shkruaj që kur ishte në shkollë fillore por, botimin e saj të parë e ka bërë në vitin e 3 gjatë arsimit të mesëm.

Duke marrë pjesë në konkurse të ndryshme letrare gjithashtu dhe ka fituar çmime të shumta, ndërsa ajo theksoi momentin kur u zgjodh fituese me tregimin e saj të titulluar “Dheu im i huaj” si një nga eksperiencat e bukura të jetës së saj. Për librat dhe shkrimet e saja ajo ndjehet plotësisht e kënaqur nga mesazhet pozitive të njerëzve dhe thotë se ka marrë feedback-un që priste. Për të gjitha këto dhe të tjera ndiqeni intervistën e saj më poshtë.

Arta Selmani

Prej kur keni filluar të shkruani dhe të botoni shkrimet e juaja?
Që e vogël kam ndje një dashuri të veçantë për shkollim, në veçanti për lexim, që vazhdimisht të pasurohem dhe pajisem me njohuri të reja. Tema e shkollimit gjithmonë ka qenë diçka delikate për mua. Në vazhdimësi kam punuar, duke lexuar sa më shumë, duke krijuar qëndrimet e mia personale. Kam filluar të merrem me shkrime nga klasa e tetë, shkollë fillore. Ndërsa, botimin e parë e kam bërë në fillim të vitit të tretë, shkollë të mesme.

Arta Selmani

Ju keni marrë pjesë në manifestime të ndryshme ku dhe keni marrë çmime dhe mirënjohje të shumta por, në manifestimin “Jehona e Karadakut” jeni zgjedhur fituese, çfarë ndjenje dhe eksperience ishte kjo për ju?
Vitin e kaluar, në qytetin e Kumanovës u mbajt konkurs letrar, në poezi dhe tregim. U zgjodha fituese në kategorinë e tregimit. Pra, tregimi më i mirë ishte për tregimin tim të titulluar ,,Dheu im i huaj”. Shpërblimi i vetëm ishte një certifikatë e bukur si mirënjohje e çmimit – tregimi më i mirë. Por, vlerësimi ishte një ndjesi shumë më e madhe se aq. Isha e lumtur nga përzgjedhja e jurisë, por më tepër ishte, raporti në mes mua dhe tregimit në fjalë, rëndësia e tij. Një temë delikate dhe nostalgjike, ku kam shpalosur një moment familjar, një realitet që ka filluar në vitet e 80 e më herët që është e freskët dhe e pranishme akoma. Gërshetimi apo ndërthurja e së kaluarës me të tashmen. Ngjarja e stampuar, flet më shumë seç mund ta lexojë lexuesi. Duke u nisur nga ajo se familja ime jeton jashtë vendlindjes dhe vetëm e vetëm si rezultat i kushteve ekonomike dhe bazuar në idenë se një vend i huaj do mund të të vlerësojë më mirë sesa vendi amë. Një eksperiencë e bukur dhe e gëzuar më shumë për faktin se isha fituese e një tregimi të tillë.

Arta Selmani

Na trego diçka rreth librit tënd të dytë dhe më të ri “Në prehrin e gjërave që ikin” që është promovuar në muajin nëntor të këtij viti?
Libri im i dytë tashmë, i titulluar “Në prehrin e gjërave që ikin”, u promovua me 11 Nëntor, në qytetin e Shkupit. Libër i cili përmban karakter edukativ, i përcjellë me mesazhe e porosi të shumta. Të cilat, jam munduar t’i jap me gjykimet e mia më të drejta, që mund të jenë në dobi të shoqërisë sonë. Kam prekur ato tema, vlera e të cilave, fatkeqësisht, nuk vlerësohet siç duhet dhe mosmirënjohja ndaj gjërave me shumë vlerë në jetët tona.

Si janë pritur librat dhe të gjitha shkrimet e juaja nga njerëzit, cilat ishin mesazhet e tyre?
Shumë e lumtur, pasi çdo lexues ka ngelur shumë i kënaqur, përshtypje, të gjitha me kritika pozitive. Dhe, ajo çfarë më ka pëlqyer,  kam arrit të marr feedback -un që prisja. Çdonjëri që ka lexuar librin, ka ndjerë veten dhe përjetuar momentet e përshkruara në libër.

Për të gjithë ata që nuk e dinë me çfarë merreni tjetër përpos të shkruarit?
Jam studente me mesatare të lartë në fakultetin e drejtësisë. E përkushtuar në punën sa i përket ngritjes profesionale si juriste. Merrem me aktivitete të ndryshme kulturore. Udhëheqëse e shumë evenimenteve dhe ngjarjeve kulturore. Çfarë e vlerësoj si një eksperiencë të bukur dhe të jashtëzakonshme.

 

 

 

Arta Selmani

Një mesazh për rininë?
Të jemi vetvetja, të thjeshtë dhe të paraqitemi ashtu siç mendojmë apo ndjejmë. Asnjëherë nën maska. Kështu, të gjithë ata që na rrethojnë, do të na duan për atë çfarë jemi në të vërtetë. E kam thënë shumë herë, gati se në secilën intervistë se dituria është dritë që të ngrit në kupë të qiellit dhe në thellësi të tokës për të hulumtuar. Kjo është e mundur vetëm nëse arsimohemi, ashtu jemi të lirë, dimë çfarë duam dhe se çfarë na pëlqen, dimë atë çfarë ne na bën të lumtur. Kur dimë sesi të jetojmë jeta jonë është e bukur dhe e lumtur, pa drama dhe veti negative. Nuk është thënë kot, jeta është mjaftueshëm e gjatë nëse di sesi ta jetosh. Është kënaqësi e vërtetë kur përfitohen njohuri të reja, mësime të ndryshme, gjuhë të reja, etj. Kur shoh të rinjtë dhe të rejat, duke mësuar, duke punuar me përkushtim, nga çka vijojnë rezultate të suksesshme, unë mbetem vetëm duke duartrokitur. Ne, brezi i ri jemi ata të cilët kemi çdo gjë në dorë, nga ne varet fati i popullit dhe vendit ku jetojmë. Duke punuar fort, përpos ngritjes intelektuale dhe kënaqësisë shpirtërore, kemi ndikim në aspekt pozitiv dhe tek të tjerët, duke i motivuar e inspiruar se asgjë nuk është e pamundur dhe gjithkush mund t’ia dalë. Për dallim nga çdo gjeneratë, brezi i ri është ai që ka kushte dhe mundësi shumë më të mira, çfarë domethënë se me pak punë mund të ketë rezultate shumë më të mira e më të frytshme. Të lexojmë sa më shumë, të pajisemi me dituri. Të krijojmë mendimet e qëndrimet tona personale. Të jemi të zotët e vetvetes dhe të aftë për të sjellë dhe kontrolluar vendimet tona. Të gjejmë rrugën që e ëndërrojmë.

Për fund Arta ka zgjedhur një prozë nga libri saj i dytë “Në prehrin e gjërave që ikin” për ta shfaqur te ju që ta lexoni, në këtë intervistë të sajën.

Sot jam kjo që jam,
Nesër, si gjithë të tjerët,
Do të bëhem një grumbull krimbash,
Dhe do të zhdukem.
Andaj, mos të lëndojmë askënd,
Të mos fyejmë e paragjykojmë,
Të mos shpifim e cenojmë lirinë e tjetrit.
Të duam dhe të jetojmë për veten tonë.

 

“Në prehrin e gjërave që ikin”- Arta Selmani

 

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close