Në RMV do të hapen qendrat e skijimit, ndërkohë Franca ndaloi skijimin edhe jashtë vendit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje në seancën e 25-të vendosi që të punojnë qendrat e skijimit në vend  gjatë pandemisë në përputhje me rekomandimet e Protokollit, ndërkohë Franca ka ndaluar skijimin edhe jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e pranoi mendimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse që qendrat e skijimit mund të punojnë në përputhje me protokollin e caktuar me masa preventive në kushte të pandemisë nga Kovid-19”, raportoi  Qeveria e RMV-së pas seancës së 25-të.

Qendrat e skijimit në RMV, në vendet për shitjen e biletave duhet të mbajnë distancë ndërmjet blerësve, gjithashtu do të ketë kufizime në objektet hotelerike, shërbime në hapësira të hapura dhe shërbime në sportele.

Kontrolle të zakonshme kufitare do të nisin së realizuari për të ndalur francezët që të mos shkojnë në shtetin fqinj, Zvicër, në skijim, ka thënë kryeministri i Francës, Jean Castex, raportoi REL.

Përveç Francës, shtetet si Gjermania e Italia planifikojnë kufizime në zhvillimin e aktiviteteve të skijimit, ndërsa Zvicra, Spanja dhe Austria nuk planifikojnë të mbyllin qendrat e skijimit për pushimet dimërore. MIA raportoi se ndaj Austrisë është paralajmëruar padi grupore nga 2,500 turistë në lidhje me qasjen e keqe ndaj virusit korona në qendrën e skijimit gjatë pandemisë.

Në Maqedoninë e Veriut, sikurse në sezonin e verës, edhe në sezonin e dimrit pritet të ketë një sezon të dobët turistik, për shkak të pandemisë. Sezon i dobët turistik me siguri do të vërehet në qendrat e skijimit në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit, ku ka edhe probleme tjera përveç atyre të shkaktuar nga pandemia.

Për të ndihmuar këtë sektor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për familjet me të ardhura më të ulëta se 15 mijë denarë (250 euro) ka ndarë kuponë që mund t’i shfrytëzojnë për turizmin vendor, në vlerë prej 6 mijë denarëve (100 euro). Por, këta kuponë duhet të shfrytëzohen deri më 15 dhjetor. REL raportoi se nga Oda Ekonomike për Turizëm bëjnë thirrje që të shfrytëzohen këta kartela, pasi vetëm 42 mijë e 992 kartela janë shfrytëzuar, që nënkuptohet as gjysma e kartelave të shpërndara.

Sipas Entit shtetëror të statistikave, në Maqedoninë e Veriut në tetë muajt e parë në vitin 2019 kishte 839 045 turistë, ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 336 584 turist. Në vitin 2019 në muajin gusht në Maqedoninë e Veriut u regjistruar 216 321 turistë, ndërsa sivjet në muajin gusht janë regjistruar gjithsej 133 704 turist. Sivjet kemi rritje të numrit të turistëve vendor, pasi vitin e kaluar ishin regjistruar 116 189 turistë vendor, ndërsa sivjet 126 509 turistë vendor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button