Buçkovski: Na pret sfidë serioze për implementimin e marrëveshjes me Bullgarinë, por jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje

Ish kryeministri Vllado Buçkovski, të cilin Qeveria dje vendosi që ta emërojë si përfaqësues special të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, deklaroi sot se vendi do të përballet me sfida serioze në përshpejtimin e implementimin e Marrëveshjes për Miqësi me Bullgarinë, jo vetëm në pjesën e çështjeve të historisë, por edhe për çështje dhe fusha të tjera që parasheh kjo marrëveshje, shkruan Portalb.mk.

Buçkovski, gjatë konferencën së përbashkët për media me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, nuk ka treguar konkretisht se si do të zgjidhet kontesti me Bullgarinë, që po bllokon procesin integrues të vendit, por vetëm tha se beson në përvojën e tij diplomatike dhe se do të luftojnë deri në fund për të gjetur zgjidhje.

“Ne e kemi kthyer fokusin e vëmendjes në komisionin e përbashkët të ekspertëve dhe pse nuk kanë arritur rezultate të mjaftueshme sipas palës bullgare. Nga ana tjetër, projektet infrastrukturore, projektet e përbashkëta kapitale, bashkëpunimi në arsim, kulturë, e mediave, është sfidë e madhe dhe mendoj se plani ambicioz që e ka MPJ është një sfidë shtesë për mua, të qasemi në këtë për këtë periudhë, kur nuk e dimë se a mundemi për një javë të ndodh mrekulli. Por, ajo që më bindi ministri është se duhet deri në momentin e fundit të luftojmë për të gjetur zgjidhje. Grupet e ekspertëve punojnë, unë nga aspekti i pozicionit tim i koordinoj të gjitha aktivitetet e mia me kryeministrin dhe me ministrin e Jashtëm. Unë nuk jam xhokeri që e tërheqë sot ministri i Jashtëm apo Qeveria. Unë nuk e kam atë formulë, por e kam përvojën, e kam jehonën nga Sofja nga qarqe miqësore me ndikim, të cilët presin rezultatet nga rrethanat e ndryshuara në dy muajt e fundit”, deklaroi Buçkovski.

Edhe pas insistimit të gazetarëve për të dhënë informata më të detajuara rreth kësaj, përfaqësuesi special nuk e bëri këtë, duke vlerësuar se nuk dëshiron që të përcjell porosi përmes mediave.

“Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje, por jo për shtatë ditë. Ndoshta do të na duhet kohë shtesë por jemi në rrugë të duhur. Unë për shkak të përvojës sime, nuk do të pranojë që me miqtë tanë bullgarë t’i dërgojmë porositë përmes mediave. Komisioni ynë punon në mënyrë intensive, kemi instrumente që na jep marrëveshja e miqësisë, nëse do të shfrytëzoheshin ato instrumente deri më tani, nuk do të vinte deri në këtë krizë”, tha ai.

Ndërkohë, Osmani tha se, po krijojnë një sërë mekanizmash përmes së cilës po tentojnë të përforcojmë besimin në dialogun politike mes dy vendeve, posaçërisht ta rikthejnë besimin te Marrëveshje për Miqësi e vitit 2017.

“Punojmë edhe në disa forma shtesë të planeve aksionale përmes së cilave jo vetëm në formë deklarative, por edhe në formë thelbësore tregojmë qëllime serioze për përforcimin e rolit e dialogut për miqësi, posaçërisht efikasitetin dhe implementimin e tij. Në këtë drejtim, qëllimi ynë që të përkushtohemi ndaj implementimit të marrëveshjes edhe përmes emërimit të një përfaqësuesi special, i cili si detyrë të mandatit të tij, do të ketë pikërisht realizimin e çështjeve me interes për dy vendet, të përfshira në marrëveshjen e miqësisë dhe unë do të them edhe kthimin e besimit në këtë mekanizëm i cili është mjeti më i rëndësishëm në tejkalimin e çështjeve të hapura mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se marrëveshja e 2017-tës me Bullgarinë, shënoi një kthesë në raportet bilaterale mes dy vendeve dhe ishte formula e suksesit për tejkalimin e dallimeve të cilat assesi nuk mundeshin të tejkaloheshin në dekadat e kaluara. Ai beson se kjo është korniza më e mirë për tejkalimin e dallimeve.

“Proces në të cilin të gjithë kemi besim se është korniza e vetme përmes së cilës mund të tejkalohen ato dallime. Kemi ndjesi se në ndërkohë, një pjesë për shkak të rrethanave objektiva, një pjesë për shkak të atyre subjektive, është ulur besimi se ky proces jep rezultat dhe se është kornizë e mjaftueshme për tejkalimin e dallimeve. Ne vlerësojmë se është në interes shtetëror të ruajmë këtë kornizë dhe nëse ka ndjesi se marrëveshja nuk jep rezultate, ta kthejmë besimin sepse ajo është formula më e mirë për tejkalimin e dallimeve”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Kujtojmë se, më 17 nëntor, në mbledhjen e këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Bullgaria vendosi veton e paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut sa i përket kornizës negociuese të vendit, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button