RMV, mjekët thonë të mos merren antibiotikë kokë më vete, virusi është i paparashikueshëm dhe mund të kenë efekte anësore

Marrja e antibiotikëve kokë më vete mund të sjellë efekte anësore dhe se çdo terapi duhet të merret me rekomandimin e mjekut dhe sipas analizës së duhur, thonë drejtoresha e Klinikës për Sëmundje Infektive dhe gjendje febrile, Dr. Milena Stefanoviq dhe prof. dr. Dejan Dokiq, pulmonolog dhe alergolog në paraqitjen në emisionin “Click Plus” në TV 21. Ata theksuan paparashikueshmërinë e Kovid-19 me të cilën përballen profesionistët e shëndetit. Dr. Stefanoviq shpjegoi se ata përballen me pacientë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë qysh në kohën e pranimit, pacientë të cilët trajtohen me javë dhe gjendja e të cilëve stabilizohet në një moment të caktuar, por më pas përkeqësohet ndjeshëm dhe fatkeqësisht ndonjëherë përfundon në mënyrë fatale, njofton Portalb.mk.

Prof. Dr. Dokiq, duke folur për pasqyrën klinike të pacientëve me Kovid-19, tha se rreth 80 përqind e të infektuarve me korona virus e kalojnë atë në kushte shtëpie, kurse në spitale vijnë ata që janë në gjendje të rëndë . Ai tha se virusi SARS-CoV-2 është shumë i paparashikueshëm dhe është i rrezikshëm për grupet e rrezikut, por edhe për ata që nuk kanë sëmundje bashkëshoqëruese.

“Ka pacientë me disa sëmundje shoqëruese(komorbiditete), që janë shëruar. Unë e shoh arsyen në vetë sistemin imunitar dhe si arrin ta luftojë atë. Virusi është shumë tinëzar. Mashtron sistemin imunitar, i cili merr informacionin e gabuar. SARS-CoV-2 hyn, prish gjithë programin e mbrojtjes dhe trupi merr informacion krejtësisht të gabuar dhe për këtë arsye reagon tepër duke krijuar ato citokina dhe atë stuhi të famshme citokine nga e cila vështirë se dikush shpëton”, tha Dokiq.

Lidhur me trajtimin, mjekët theksojnë se marrja e antibiotikëve kokë më vete mund të sjellë efekte anësore dhe se çdo terapi duhet të merret me rekomandimin e mjekut dhe sipas analizës së duhur.

“Marrja preventive e antibiotikëve definitivisht nuk është e justifikueshme. As me vetëiniciativë. Çdo ilaç i papërshtatshëm apo edhe suplement mund të shkaktojë efekte anësore. Për këtë shkak është mjeku, specialist që tregon se çfarë duhet të merret, tha Stevanoviq.

Prof. Dr. Dokiq këshillon të sëmurët me Kovid-19 se është thelbësore të pinë shumë lëngje dhe të marrin terapi me vitamina.

“Vitamina C, por kini kujdes, sepse mund të dëmtojë veshkat. Zink, ndonjë antioksidantë, vitamin D nga 2,000 deri në 4,000 njësi ndërkombëtare. Por ajo që është e rëndësishme është që nuk do të doja që qytetarët të merrnin Paracetamol pa nevojë. Në temperaturë prej 37.2 ata marrin paracetamol. Temperatura është pjesë e sistemit mbrojtës. Temperaturë mbi 39, vetëm për ato arsye merret që të ulet, edhe atë jo në mënyrë drastike. Antibiotikët do të jepen në mënyrë rigoroze atje ku ka indikacion të një infeksioni bakterial. Ky është një virus, të gjithë e dinë edhe mjekët amë edhe fëmijët e vegjël. Për virus nuk jepet antibiotik. Për sa kohë që keni simptoma të virusit dhe nuk keni shenja të provave biokimike, klinike, laboratorike ose rrezeve X të infeksionit bakterial, nuk ka nevojë të merrni antibiotikë, madje as kur ka rritje të temperaturës. Nëse ka rritje të CRP-së, nëse keni leukocitozë dhe përkundër faktit që limfocitet zvogëlohen në infeksion bakterial, leukocitet do të rriten, disa parametra të tjerë në gjak do të rriten, keni prokalcitonin, është një substancë që ju tregon saktësisht se keni një infeksion bakterial, dihet se si duket një super infeksion bakterial i pneumonisë, në raste të tilla do të jepni antibiotik sipas udhëzuesve që e përshkruajnë atë”, shpjegon Dokiq.

Ndryshe, dje në Maqedoninë e Veriut njoftoi u regjistruan 1.069 raste të reja me Kovid-19, 29 persona ndërruan jetë, ndërkohë ishin shëruar 1.242 pacientë. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 62.945, 40.188 pacientë të shëruar, ndërsa 1.792 pacientë të vdekur me Kovid-19, ndërkaq ka 20.965 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button