Ambasadorët e BE-së sot do të zhvillojnë takim për çështjen e zgjerimit, përpjekje që Bullgaria të lëshojë pe karshi RMV-së

Disa diplomatë në Bruksel ende nuk po humbin shpresën se në fund të dhjetorit, autoritetet bullgare mund të fillojnë të zbuten. Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të takohen përsëri sot, në prag të Këshillit të Ministrave të BE-së më 8 dhjetor, derisa shanset që Bullgaria të lëshojë pe për kornizën negocieuese të Maqedonisë së Veriut duken minimale, njofton Portalb.mk.

Lidhur me veton e Bullgarisë për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut, përkundër përpjekjeve të forta të të gjitha vendeve të tjera anëtare të BE-së, situata momentalisht në Bruksel mbetet e pandryshuar, raporton MIA nga Brukseli.

Për shkak të këtij qëndrimi kokfortë, konkluzat përfundimtare nuk përmbajnë datë për konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, por mirëpresin vendosmërinëve Maqedonisë së Veriut për të përparuar në reformat e BE-së.

“Këshilli aktualisht po shqyrton kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe pret të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020”, thuhet në tekstin që ka të bëjë me negociatat e vendit.

Diplomatët thonë se kontaktet e drejtpërdrejta dypalëshe midis Borisovit dhe krerëve të tjerë të shteteve dhe qeverive të BE-së gjatë samitit të BE-së do të jenë një mundësi e re për presion.

Nëse Bullgaria nuk dorëzohet tani, gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila ka më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Drafti-korniza e Këshillit mirëpret progresin reformues në Shkup, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga qeveria dhe opozita në luftën kundër korrupsionit dhe thellimin e dialogut midis tyre.

Konkluzionet vlerësojnë përparimin në gjyqësor dhe hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe ligjit mbi prokurorinë publike, i cili duhet të mundësojë zgjidhjen e çështjeve që dalin nga PSP.

Ndërkohë shpresat e vogla për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare gjatë presidencës gjermane i konfirmoi edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha se po përballej me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, si dhe nuk dinë nëse do të ketë kohë që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës gjermane të BE-së, pasi Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të merren vesh.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 8 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi mbi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në takimin paraprak ministror, ​​Bullgaria vuri veto për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, pasi vendet tjera anëtare nuk ishin dakord që kërkesat e saj të përfshiheshin në kornizë. Ndërkohë presidenca gjermane përfundon në fund të vitit.

Ndryshe, Sofja zyrtare kohëve të fundit vazhdimisht paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve, derisa më 17 nëntor ajo vendosi veton e shumë-paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button