Qeveria e emëroi ish kryeministrin Buçkovski përfaqësues special për Bullgarinë

Ish kryeministri Vllado Buçkovski do të jetë përfaqësues special i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, njofton Portalb.mk.

Qeveria sot e emëroi Buçkovskin në këtë pozicion.

Ish kryeministri dhe ish ministri i Mbrojtjes, por edhe ish lideri i LSDM-së, gjatë kohës së fundit ka qenë shpesh i pranishëm nëpër mediat e Bullgarisë ku i ka transmetuar qëndrimet e tij në lidhje me tejkalimin e mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut.

Buçkovski, është profesor universitar për të Drejtën Romake, tani është i angazhuar në studimet universitare në Universitetin Shtetëror të Bullgarisë UniBIT, a gjithashtu është pjesë e rrjetit “Jus Romanum” në Universitetin e Sofjes.

Pas intervistës së Zoran Zaevit për BGNES, e cila shkaktoi reagime të shumta në opinion, Buçkovski dha mbështetje të hapur për ish bashkëpartiakun dhe bashkëpunëtorin, duke theksuar se ai po lufton për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut.

Për dallim prej Buçkovskit, ish presidenti i shtetit dhe ish lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, por edhe disa ish funksionarë të partisë në pushtet, e kanë kritikuar intervistën e Zaevit, duke e vlerësuar si skandaloze.

Emërimi i Buçkovskit vjen pasi që, Sofja zyrtare kohëve të fundit vazhdimisht paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve, derisa më 17 nëntor ajo vendosi veton e shumë-paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button