Është hapur thirrja e tretë për projekt-propozime për bashkëpunim ndërkufitar midis RMV-së dhe Shqipërisë

Sot u prezantua thirrja e tretë për propozim-projektet për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në takimin onlajn ku biseduan ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut David Gir dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigji Soreka, zyrtarisht paraqitën thirrjen e tretë për propozim-projektet. Mundësitë për financimin e projekteve në kuadër të kësaj thirrjeje u prezantuan nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski dhe Redi Lleshi, drejtor i Strukturës Operative për IPA në Shqipëri, njofton Portalb.mk.

“Për këtë thirrje publike janë siguruar 4,930,000 euro nga Programi IPA 2 për bashkëpunimin ndërkufitar të Bashkimit Evropian, për projektet në të dy vendet. Jam i kënaqur që të tre palët, Maqedonia, Delegacioni Shqiptar dhe Delegacioni i BE-së, arritën të organizojnë me kohë thirrjen nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar me Shqipërinë, zbatimi i të cilit koordinohet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Informacioni në lidhje me thirrjen është tashmë i disponueshëm në ueb faqet e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe do të jetë e mundur të aplikohet deri më 15 Shkurt 2021”, tha Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski.

Ai sqaroi se projektet e miratuara që do të zbatohen në territorin e vendit tonë do të bashkëfinancohen nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në shumën prej 15 përqind të kostove të njohura. Kjo është një mundësi për komunat, organizatat e shoqërisë civile, shoqatat e biznesit, universitetet, shkollat, institucionet publike dhe institucionet nga dy vendet fqinje për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të këtij rajoni kufitar përmes bashkëpunimit.

“Bashkëpunimi ndërkufitar është një segment i rëndësishëm i politikës së bashkëpunimit territorial të BE-së dhe promovon bashkëpunimin midis vendeve fqinje. Vendi ynë ka krijuar bashkëpunim ndërkufitar me të pesë vendet fqinje. IPA 2 deri më tani ka financuar 14 projekte nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me vlerë gati 6 milion euro. Tani jemi në fazën e programimit të përbashkët të periudhës së re të programimit IPA 3 2021-2027. Ekipet tona tashmë janë duke punuar në përgatitjen e Programit të ri, i cili pas miratimit nga Brukseli do të jetë baza për fitimin e fondeve të reja për projekte të reja të përbashkëta”, shtoi ministri Milevski.

Projektet e kësaj thirrjeje publike, njoftojnë nga kjo ministri, duhet t’i referohen zhvillimit të turizmit, mbrojtjes së pasurisë kulturore dhe natyrore, nxitjes së konkurrencës, bizneseve, tregtisë dhe investimeve, si dhe mbrojtjen e mjedisit, zbutjen e pasojave të ndryshimit të klimës dhe parandalimin dhe menaxhimin me krizat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button