Merkel: Nuk e dimë nëse Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të merren vesh gjatë presidencës gjermane

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se po përballej me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, si dhe nuk dinë nëse do të ketë kohë që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës gjermane të BE-së, pasi Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të merren vesh, njofton Portalb.mk.

“Ne i kemi kushtuar vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit ka provuar të jetë një iniciativë e mirë që jep rezultate. Por, kemi vështirësi në mundësimin e një konference ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka bërë një përparim të madh, por në rastin e Maqedonisë së Veriut çështja është nëse do të kemi sukses në kohë, sepse ka nevojë për bisedime midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, siç e dinë të gjithë”, tha Merkel në një fjalim në video konferencën e djeshme me eurodeputetët.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 7 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi mbi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në takimin paraprak ministror, ​​Bullgaria vuri veto për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, pasi vendet tjera anëtare nuk ishin dakord që kërkesat e saj të përfshiheshin në kornizë. Ndërkohë presidenca gjermane përfundon në fund të vitit.

Ndryshe, Sofja zyrtare kohëve të fundit vazhdimisht paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve, derisa më 17 nëntor ajo vendosi veton e shumë-paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button