Një jetë e mbushur me barriera e diskriminim, kjo është bota e një personi me nevoja të veçanta në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

3 Dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta

Mungesë të kushteve elementare për jetë, neglizhencë, moskujdes nga ana e sistemit dhe barriera në çdo hap të jetës. Këto janë vetëm disa nga pengesat që hasin çdo ditë të jetës së tyre personat me nevoja të veçanta, e që duken të jenë absurde në shtete normale dhe të zhvilluara, shkruan Portalb.mk.

Kjo gjë, i bën atë të ndjehen të diskriminuar si dhe pengon integrimin e tyre në shoqëri. E në vend të lehtësimit, ata hasin në vështirësim të gjendjes së tyre.

Kështu është shprehur në një bisedë për Portalb.mk, Abaz Berisha, i cili i ndjen situatat e këtilla çdo ditë në lëkurën e tij.

Abaz Berisha

“Ne çdo ditë hasim në pengesa, nëpër institucione dhe kudo që shkojmë. Ka diku përmirësime por, fatkeqësisht shumë pak. Ndoshta në ndonjë institucion kur të shkosh, dëshiron të hysh, të kryesh ndonjë punë, por has në vështirësi, ose nuk ka shkallë, ose pengesa dhe barriera. Për çdo ditë ballafaqohesh me këto, ose nëpër trotuare kur kalon, rrugët janë të zëna, trotuaret e bllokuara, detyrohesh të dalësh në rrugë kryesore, të rrezikosh jetën dhe komunikacionin. Por, institucionet fatkeqësisht shumë pak punojnë në këtë drejtim. Shembull, dëshiron të ngjitesh në autobus, por edhe aty nuk mundesh sepse ka pengesa. Disa prej tyre i kanë mekanizmat, por shumë pak prej tyre u punojnë, shumë pak autobusëve u funksionojnë, të tjerave. Kudo që shkon ke pengesa”, deklaroi Berisha për Portalb.mk.

Abaz Berisha

Ai thotë se barrierat fillojnë sa po të kalojë pragun e shtëpisë, ku e pret një rrugë me gropa dhe e parregulluar, e që është e papërshtatshme për të ecur në të me karrocë e tij.

“Pengesa kryesore është, sa po del prej pragut të shtëpisë, has në gropa, në pengesa. Sidomos ne që jetojmë në lagjen e Gazi Babës, rruga që të çon në Bit Pazar, aty është katastrof, fatkeqësisht unë asnjëherë nuk mund të kaloj andej shkaku i pengesave, gropave. Trotuaret diku janë të larta, nuk mund të ngjitesh në trotuar, duhet të shkosh 100 apo 50 m më larg”, tha Berisha.

Abaz Berisha

Tmerr për të paraqet edhe shkuarja nëpër institucione të ndryshme. Shumica prej tyre nuk posedojnë hapësirë të posaçme për lëvizjen e personave me nevoja të veçanta dhe as nuk kanë të punësuar person adekuat që duhet të kujdeset me këtë kategori të qytetarëve. E lehtësime nuk bëjnë as në procedurat administrative, ku këta persona duhet të presin me orë të tëra radhë për të kryer punët e tyre.

Abaz Berisha

“Disa institucione i kanë, por disa nuk kanë, është me shkallë, në shumë pak vende ka shkallë speciale për karroca. Ne nuk kemi kërkesa të mëdha, vetëm të kemi qasje te institucionet, shkallët me pas vend të posaçëm që të hyjmë sikur njerëzit normal. Ne jemi të diskriminuar, jemi të lënë pas dore. Unë vuaj prej distrofis muskulare, kjo sëmundja ime kërkon që me na dërgu nëpër spitale, terapi, se ndoshta sëmundja nuk largohet, por e lehtëson, por këtu fatkeqësisht nuk ke qasje, nuk kujdesen, diskriminim është në të gjitha aspektet. Shteti shumë pak ndihmon, vetëm kur dëshirojnë të marrin të holla dëshirojnë “të ndihmojnë”, shprehet Berisha.

Ai thotë se shteti nuk ju ofron ndihmë juridike kur kanë nevojë për një gjë të tillë, po as në aspekt financiar, pasi me të ardhurat minimale që i merr nga shteti, mezi mbulon artikujt kryesor të ushqimit.

“Ka 10 vite që unë nuk paguaj as rrymë as ujë, pasi me të ardhurat që marrë nuk më mjaftojnë. Duhet shteti me na lehtësu, ose mos me pagu rrymë. Nuk është puna të na ndihmojnë vetëm kur ka fushatë zgjedhore, duhet të na ndihmojnë çdoherë, pavarësisht se cila parti është, ne jemi apartiak, por ai që të jetë në pushtet, duhet të ndihmon popullin, jo vetëm për interesa personale, por për interes të përgjithshëm. Sidomos njerëzit me nevoja të veçanta janë shumë të anashkaluar”, u shpreh ai.

Abaz Berisha

Një barrierë tjetër që i pengon ata të integrohen në shoqëri është mungesa e kushteve për të zhvilluar aktivitete të përditshme.

“Ne kemi nevoja shumë, por të paktën të kemi ndonjë klub të veçantë, që të kemi dy tre orë për socializim. Ka nevojë por fatkeqësisht shumë pak punohet në këtë drejtim. Jemi të diskriminuar në çdo aspekt. Karrocën ma kanë dhuruar nga një shoqatë. Kur duhet të ndrrohen bateritë duhet vet, të cilat kushtojnë më së paku 300 euro dy bateri. Shteti nuk ndihmon se nuk i ke marrë te na. Karrocat elektrike shteti u jep vetëm studentëve, apo atyre që punojnë. Të tjerëve u jep në çdo pesë vjet karroca të thjeshta, por ato prishen menjëherë”, deklaroi Berisha.

Në Maqedoninë e Veriut rreth 10 % ose rreth 200 000 banorë janë me nevoja të veçanta.

Konventa për të drejtat e personave me invaliditet është një nga dokumentet më kryesorë dhe më të rëndësishëm i dedikuar për këtë kategori të personave.  Konventa për të drejtat e personave me invaliditet e OKB-së paraqet instrumentin e parë ligjor me të cilin përcaktohen standardet minimale për të drejtat e personave me nevoja të veçanta. Ajo është miratuar nga OKB në 13 dhjetor të vitit 2006. Deri në janar të vitit 2011 atë e kanë ratifikuar 97 vende. Maqedonia e Veriut këtë konventë e nënshkroi në 20 mars të vitit 2007, ndërsa e ratifikoi në 5 dhjetor 2011.

Rikujtojmë se sot, 3 Dhjetor, është Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button