A qan apo qesh Talia!

Çuditërisht teatrove tona, ndonëse i kemi, u mungojnë edhe regjisorët shqiptarë, u mungojnë dramaturgët shqiptarë, u mungojnë skenografët shqiptarë, u mungojnë kostumografët shqiptarë, u mungojnë kompozitorët shqiptarë dhe shumë çka tjetër shqiptare. Vetëm aktorët flasin shqip. PSE?
Teatri, siç dihet, është një art kompleks, që në vete ngërthen elemente të të gjitha llojeve të tjera të artit: letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës dhe arkitekturës, si dhe artin e aktrimit, që është veçori specifike e teatrit. Teatri ndoshta edhe është maja më e lartë e identitetit kulturor të një populli. Nëse këtë e marrim si të mirëfilltë, atëherë mund të konkludojmë se teatri, si një nevojë shpirtërore, vërtet është i rëndësishëm. Teatri posedon një fuqi që e ndjejnë vetëm ata që e duan. Dhe jo rastësisht, sipas dramaturgut me famë, Dario Fo, gjatë Rilindjes, në Itali, ata që kishin në dorë pushtetin, duhej të përpiqeshin shumë që t’i bënin zap komedianët, sepse ata kishin me vete publikun e gjerë. Natyrisht, shikuar nga realiteti ynë, pra realiteti shqiptar, fatkeqësisht, edhe teatri e ka humbur forcën dhe është zbehur magjia e saj.
Në epokën komuniste nuk ishte lehtë të jesh regjisor, sidomos regjisor shqiptar, sidomos regjisor në një kohë kur sundonte sistemi një partiak, përkatësisht ai komunist. Atëbotë duhej bërë sytë, siç themi ne, “pesë”, sepse në të kundërtën mund ta pësoje rëndë. Por, aspak nuk është lehtë as në sistemin pluralist, kur liria e shprehjes u proklamua si diçka sublime. Në ndërkohë keqpërdorimi i lirisë i përmbyti të gjitha vlerat, përfshi edhe ato të teatrit. Është fakt se sot ka regjisorë, por ka pak teatro. Të themi kushtimisht nuk ka konkurrencë të lirë të regjisorëve, por ka grupime që për gjithçka i tregojnë muskujt, pra që vendosin edhe për fatin e regjisorit. Nga ana tjetër, çuditërisht, sot secili “ndjen” se mund ta bëjë punën e regjisorit dhe rruga e tyre çuditërisht bëhet “e lehtë”.
Një regjisor i suksesshëm duhet të dijë ta fshikullojë realitetin, sistemin, të dijë ta ndryshojë filozofinë e aktualitetit. Të dijë t’i lexojë rrethanat e kohës dhe ta gjejë veprën e vërtetë që do t’i përgjigjej asaj kohe. Kuptohet, duhet të jetë i guximshëm dhe të mos lejojë që të keqpërdoret. Të mos lejojë që të bëhet pre atyre që kontrollojnë ironinë, sarkazmin, komedinë. Të mos harrojmë se në çdo sistem ka individë që edhe regjisorët i konsiderojnë si “farë e keqe”. Për të qenë i suksesshëm, regjisori duhet t’i shërbejë të vërtetës.
Sot sfida më e madhe e regjisorëve është hapësira e nevojshme që u takon e që ua kanë aneksuar ata, të cilët sa rastësisht sa papritmas, janë gjetur gabimisht aty ku Qan e Qesh Talia. Të luftosh për hapësirë, kjo do të thotë të derdhësh gjak, kurse kjo nuk është veçori e artistit, i cili në thelb ka qind për qind shpirt human, paqësor. Në rrethanat e tanishme s’ndihmon as sinqeriteti, as përpjekja sado pak për të kontribuar aty ku e ke vendin – në skenë. Hapësira e limituar, mbase kjo është sfida më e madhe për regjisorët e vërtetë që nuk i shërbejnë politikës ditore.
Në fakt, aspak nuk gabojmë nëse themi se politikanët tanë, gjatë këtyre viteve pluralizmit, më shumë kanë luftuar për pushtet sesa për vlera shoqërore, përfshi këtu edhe vlerat kulturore. Në fakt, politika në Maqedoni, sa i përket kulturës shqiptare, më shumë është marrë me plotësimin e dëshirave “financiare”, sesa me projekte që plotësojnë boshllëqet e identitetit tonë kulturor. Kuptohet se e njëjta gjë ndodhi dhe ndodh edhe me ato pak (gjysmë e çerek) teatro tona (në Republikën e Maqedonisë së Veriut).
Pyetjes se a ka politike në teatër, do t’i përgjigjeshim me një pyetje tjetër: e, ku nuk ka politikë? Shoqëria shqiptare është politizuar tej mase. Ky politizim, fatkeqësisht, është vërejtur edhe te ata që ne e quajmë publik. Ndarja në ATA dhe në NE ka bërë që teatri ta humbë atë që i dedikohet, publikun. Kur partia të cakton Zotin e Shtëpisë, atëherë humb kuptimi i të qenit Zot Shtëpie. Kjo ka bërë që edhe ata pak “neutralë” të dëshpërohen dhe ta shmangin teatrin nga interesimi i tyre shpirtëror.
Është koha që ta pranojmë faktin se teatri ynë është ngulfatur dhe mezi është duke marrë frymë dhe, natyrisht, është koha e fundit që atë ta “çlirojmë” nga injoranca dhe kthetrat e politikës që edhe kulturën e trajton si kategori “që mund të ekzistojë vetëm duke plotësuar dëshira financiare”. Liria e shprehjes artistike duhet të mbështetet në të drejtat dhe lirinë e garantuar të njeriut, edhe nëse arti është kritik ndaj politikës. Nëse mbështetemi në këto postulate, atëherë mund të vlerësojmë se çfarë është dhe çfarë nuk është art.
Teatri larg politikës ose politika larg teatrit duhet të jetë synim i përhershëm, pavarësisht se në përditshmërinë tonë jemi dëshmitarë të shumë skenave sa komike aq edhe tragjike, që ndërlidhen pikërisht me politikën. Ata që i rregullojnë politikat e arsimit dhe kulturës, duhet të mendojnë seriozisht edhe për sistemimin e aktorëve dhe regjisorëve të rinj që zakonisht kanë ëndrra të shumta. Assesi nuk duhet të lejojmë që të kemi më shumë aktorë e regjisorë se sa publik. Çuditërisht teatrove tona (në Republikën e Maqedonisë së Veriut), ndonëse i kemi, u mungojnë edhe regjisorët shqiptarë, u mungojnë dramaturgët shqiptarë, u mungojnë skenografët shqiptarë, u mungojnë kostumografët shqiptarë, u mungojnë kompozitorët shqiptarë dhe shumë çka tjetër shqiptare. Vetëm aktorët flasin shqip. Janë disa arsye. Drejtuesit e teatrove shqiptare zgjedhin autorë të huaj, zakonisht që kanë vdekur shumë më herët, sepse ata nuk i paguajnë. Pra kursejnë (abuzojnë me) para në dëm të artit shqiptar. Një arsye tjetër është se akoma ka individë të cilëve mendja u është bërë TOP se artistët shqiptarë nuk dinë as të shkruajnë, as të bëjnë regji, as të bëjnë skenografi, as të kompozojnë muzikë e as të qepin kostume. Ka individë që akoma mendojnë se duhet të mbështetemi në “bashkim – vëllazërim” modern (ballkanik) dhe se këtë para botës duhet ta justifikojmë me angazhimin e artistëve jo shqiptarë. Me një qasje të këtillë kozmopolite, nuk kemi të drejtë morale të themi se po i kontribuojmë kulturës shqiptare dhe i gjithë ky angazhim i drejtuesve të institucioneve shqiptare shërben vetëm për statistikë dhe asgjë më tepër. Në vend që t’i motivojmë artistët shqiptarë, ne bëjmë të kundërtën, i de-motivojmë. Duhet theksuar se askush nuk shpreh interesim t’i lexojë autorët shqiptarë, përfshi edhe ata regjisorë shqiptarë që mendojnë se mund të bëjnë karrierë vetëm me tekste të autorëve të huaj, të cilat tekste gjithandej nëpër botë janë inskenuar me qindra e qindra herë. Natyrisht, një pjesë të fajit e kanë edhe vetë aktorët që nuk insistojnë në tekste origjinale. Ka shumë autorë shqiptarë që kanë ndërruar jetë dekada e dekada më parë, ndaj të cilëve, gjithashtu, teatrot tona nuk do të kishin detyrime financiare. Ne, fatkeqësisht, vazhdojmë ta mohojmë vetveten edhe kur bëhet fjalë për teatrin. Drejtuesit e teatrove shqiptare, duke inskenuar tekste të autorëve të huaj që përfundojnë vetëm me një premierë, duhet ta kenë të qartë se e huaja, në rastin konkret ajo që s’është shqiptare, kurrë nuk bëhet vlerë shpirtërore.
Në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar, regjisori Ahmet Jakupi, bëri regjinë e shfaqjes “Burri burrë” të Kristo Floqit në realizim të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqja përjetoi mbi 350 repriza, një rekord ky që nuk është përsëritur asnjëherë në asnjë teatër shqiptar. “Burri burrë” përjetoi sukses të papërsëritshëm deri në ditët e sotme, sepse ishte gjithçka shqiptare. Pos kësaj, atëbotë të gjithë jetonin për teatrin, për suksesin dhe të gjithë ishin të gatshëm ta lënë shpirtin në skenë. Sot, shumica e atyre që “fatin” e tyre e kanë të ndërlidhur me teatrin, si qëllim kanë vetëm përfitimin, kurse këtë e arrijnë vetëm përmes abuzimit. Shpjegim tjetër nuk ka, kurse ne akoma nuk do ta dimë se a Qan apo Qesh Talia….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button