AMBËLTORJA TANUSHA

Kolodvor Lublana… dëgjohet zëri i altoparlantit. Hajde kalavesh, më thotë babai, ecim. Arritëm. Burri që ishte në kupe, nuk është më. Gruaja, m’i lëmoi flokët njëherë nga çanta e saj e nxori edhe një çokollatë. Më vjen keq, më vjen turp, nuk e zgjas dot dorën ta marr. Nuk dua ta teproj sepse një çokollatë ma dha gjatë udhëtimit tonë të gjatë.  Merre, tha babai, dhe thuaj “hvala”. I them si më mësoi babai dhe e mora. Pastaj zbresim. Jashtë dielli e shpërlante qytetin me një dritë me të vërtetë të artë. Unë nuk di kah të shikoj a kah tollovia e stacionit hekurudhor, apo kah gruaja e mirë që me shikim e me tone të buta komunikoi me mua dhe u morëm vesh njëri me tjetrin, pa marrë parasysh gjuhën e njëri-tjetrit që s’e kuptonim. Në peron derisa kemi mbeturnë këmbë midis turmës që ngutet e kshtu krijohet një rrëmujë, gruas i shkojnë sytë kah këmbët e mia. Ajo kthehet edhe një herë dhe m’i lëmon flokët, pastaj përshëndetet me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël dhe largohet. Para se të futet në derën e stacionit, ma dërgon një puthje amnore dhe tretet. Kur m’i shikoi këmbët gruaja babai e vë re se nuk jam me këpucë, po me bata. Kalavesh, a me opinga paske ardhur në Lublanë, a? Unë hesht. Pse s’më the të të blej këpucë para se të niseshim? më pyet babai. Baba, unë s’kam  pasur këpucë asnjëherë. Babai hesht, pastaj më thotë: hajt të dalim ta shohim qytetin. Rrugët e asfaltuara dukeshin si të lara me sapun e me dorë. Askund një letër, askund një mbeturinë. Ndërtesat të vjetra, po të bukura. A po të pëlqen, kalavesh? E ndjeja se ritmi i zemrës më ishte shpejtuar, prandaj iu përgjigja: po baba. Qenka shumë më i bukur se qyteti ynë. Ndërkaq babai ende pa e mbaruar unë  mirë fjalën tha: ja, këtu qenka. Ja ku po shkruan Trgovina s čevlji! Dyqan për këpucë është, shtoi. Hyjmë brenda. Pas përshëndetjeve të zakonshme babai foli diçka, ndërsa njëra nga shitëset i solli do këpucë të kafta. A e di numrin? më pyeti babai. Jo, i thashë. Pastaj provuam disa parë këpucë. Më në fund një parë më erdhën tamam. Tash e ke numrin e këpucëve 39. Mbaje në mend! më thotë babai. Babai i fut batat në kutinë e këpucëve të reja. Babai u drejtua kah shitëset dhe tha: nasvidenje! dhe dolëm. Batat e mia përfunduan në kontejnerin e parë. Ecëm edhe nja 100 metra. Pastaj u ndalëm. Babai tha: ta presim trolejbusin. Ndërkohë, shikoje qytetin. Është qytet i bukur Lublana, thotë babai. Do të kënaqesh këtu… Kalavesh, thotë Babai. Jemi në Slloveni. Këtu ka rend, ka bukuri, por ka edhe punë. Unë pohova me kokë. Shikoji zogjtë. Askush këtu s’i trazon.

Pastaj hypim në trolejbus, ndërkaq unë nuk i heq dot sytë nga këpucët. Ato më bënë përshtypje të paparë. Më dukeshin si një dhuratë nga ato të përrallave që i merrte personazhi vëllai i vogël nga mbreti. Kështu qyteti më rrëshqiti më shpejt se sa lisat nga vendlindja kur udhëtonim me tren. Nuk pashë gjë për shkak se këpucët u bënë boshti rreth të cilës sillej bukuria për mua.

Kalavesh, po zbresim, thotë babai. Para nesh qëndronte ëmbëltorja mbi derën e së cilës shkruante Slaščičárna Tanusha. Me të hyrë brenda doli kameriarja, një grua bionde dhe tha diçka në gjuhën sllovene. Dukej që po gëzohej që kisha ardhur unë atje. Pastaj jo vetëm që e mori ngrykë babain, por edhe e puthi në faqe. Mua m’u duk e pazakontë që një grua ta puthë burrin ashtu, siç nuk ndodh në viset tona.

Për çudinë time gruaja e kishte mësuar mjaft shqipen. M’u afrua, ma zgjati dorën e më tha: Unë jam Dora. Babai thotë: tregoja edhe ti emrin tënd. Unë jam Bardhi, i them. Lepo ime Bardi, tha ajo dhe shtoi sa vjet ka ti? Pesëmbëdhjetë, i thashë. Pesëmbëdhjetë?! O ti je bur ma!… tha ajo këndshëm. Pastaj ajo u largua dhe i shërbente myshterinjtë. Unë ua hodha edhe një shikim këpucëve të mia. Sa të bukura më dukeshin! Pastaj Dora u kthye. Ke xhup dhe këpuc bukra shumë, më tha. Ku keni ble? Babai vazhdimisht rrinte i buzëqeshur. Unë nuk dija si ta vazhdoj bisedën me Dorën. Ajo atëherë tha: Ti je loll (lodhur). Ulu këtu e shiko qutet, më tha Dora. Prej këndvështrimit tim duket semafori. Ngjyra e gjelbër. Ecën vargu i veturave. E gjelbra pastaj bëhet e kuqe. Kolona e automobilave ndalet. Kolonat vijnë e shkojnë lumë. Për herë të parë shikoja kaq shumë vetura.

Pastaj babai tha: të shkojmë në banesë. Dora më puthi në faqe e u nisëm.

Rrugës e pyeta tim atë: baba, pse nuk ka këso ndërtesash në qytetin tonë?

Atje ndërtojnë burgje, m’u përgjigj ai. E ngrita kokën kah ai dhe desha ta pyes edhe diçka, por nuk e pyeta, sepse e pashë babain të përlotur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button