fbpx

Largimi nga politika e mëhallës

Rruga gjarpërore e klasës politike në Kosovë gjatë këtyre 20 viteve të formësimit demokratik, ka pasur në spikamë baticat dhe zbaticat e saja të dukshme. Nëpër këtë udhëtim të gjatë e të mundimshëm, janë bërë fërkime idesh dhe zbatime qëndrimesh të llojllojshme, që herë kanë shkuar në të mirë dhe herë e kanë dëmtuar zhvillimin normal të vendit. Aty ku janë zbatuar kërkesat dhe ligjet e duhura për qytetarët, Kosova ka pasur një ngritje dhe prosperitet, por aty ku janë keqpërdorur ligjet dhe rendi shoqëror e sistemor, gjenden akoma në dukje rrethana njerëzish të lënduart, me përmasa keqtrajtimesh dhe ngecjesh të papërballueshme sociale. Tri vitet e para të pas çlirimit te qytetarët mbretëronte bindja dhe vullneti optimist, për ta ndërtuar sa më mirë vendin. Njerëzit kishin solidaritet midis njëri – tjetrit. Urtësia dhe vullneti rrezatues i njerëzve të përvuajtur nga lufta dhe dhuna e pushtuesit, reflektonte te paqeruajtësit e huaj entuziazëm dhe shpresë, se edhe kjo tokë e dalë nga lufta dhe e përmbytur nga keqtrajtimet e shumta politike në këtë anë, mund të bëhej një zonë paqeje apo një shtet, si Zvicra për rajonin e Ballkanit. Perëndimorët kishin një përkrahje të theksuar mirëkuptimi dhe zhvillimi. Atëherë mendohej kështu dhe po të realizohej ky vullnet human gjendja nuk do të vinte deri në këtë nivel të intolerancës dhe urrejtjes. Kurse tërë popullata e shpërngulur nëpër vendet perëndimore e gjetiu do të mund të gjente punësimin dhe rahatinë në vendin e vet. Por kjo atmosferë pozitive nuk zgjati shumë, ajo mori kahe negative vetëqeverisëse, se filloi të mos respektohej hierarkia e vlerave të mirëfillta shoqërore. Filluan të keqpërdoren obligimet e marra, vend e pa vend u pozicionuan njerëz jo adekuat në sistem, dhe ky keqpërdorim i toleruar nga qytetarët solli edhe pasojat e veta negative në vend. Në këtë keqtrajtim faj ka edhe faktori i huaj që lejoi të dominoj një kulturë e këtillë improvizuese.

Tani çoroditja e klasës politike në Kosovë e ka futur qytetarin në karantinën e izolimit të skajshëm, kurse në këtë gjendje të izolimit dhe të tranzicionit të gjatë, politika e ka humbur refleksin e të nuhaturit të drejtë dhe të qartë. Me humbjen e kësaj shkathtësie të nevojshme njerëzore, në veprim të kohës janë ngjizur përçarje të mëdha dhe ka dalë në skenë qartë se çdo ushqim politik i konsumuar shpejt e shpejt dhe pa kriter gjatë këtyre viteve, ka marrë shijen bajate dhe jo depërtuese, kundrejt mundësive të mundshme avancuese në integrimin evropian. Pazaret partiake e kanë zhgënjyer popullatën, sidomos ata të përzgjedhur që janë marrë me interesa dhe avancime personale dhe familjare. Shoqëria dhe kultura e tolerancës ka dështuar një kohë të gjatë, secili ka bërë çka ka dashur vet. Madje pas zgjatjes së kësaj gjendje kaotike të kundërthënieve, nuk dihet edhe çfarë vaksine politike mund t’i bëj mirë vendit. Qytetarët tashmë e dinë mirë ku qëndron problemi çështjes, ndaj kërkojnë reforma dhe qeverisjeje më efikase për shtetin. Nuk mund t’i mëveshët faji përherë qytetarit nëse udhëheqësit e saj kanë manipuluar përherë me të. Shoqëria nuk është dashtë të lakmoj dhe kultivoj kulturë politike ku avancohet nepotizmi dhe niveli i ulet intelektual. Kjo gjendje shihet nëpër të gjitha lëmit e jetës. Mjafton të përcillen debatet intelektuale nëpër mediet e sotme shqiptare, do të shihen qartë nivelet dhe animet vulgare, që trajtojnë individët me prononcimet e tyre në të mirë të kësaj klase politike. Ata zëdhënës të anueshëm mundohen ta ruajnë këtë standard politik të rrejshëm, për përfitime dhe pozicione joreale, ndaj plasojnë ide dhe mendime që nuk i duron koha dhe qytetari. Për të dalë nga kjo gjendje duhet të shporet nga vetja demagogjia dhe hipokrizia. Zgjedhjet e drejta dhe të mira mund ta shërojnë këtë sëmundje të gjatë, duke i dhënë, më në fund, preventiva adekuate shoqërisë dhe kulturës. Vetëm qytetari është sovrani bindës se në cilën rrugë duhet të eci klasa politike, prandaj nuk është mirë të bëhen pazare të ulëta interesash partiake, siç janë bërë deri më tani. Diçka duhet të ndërrohet në këtë rrugëtim politik e ekonomik që nuk shkon mirë dhe si duhet, për të shpëtuar nga kaosi dhe braktisja totale e vendit. Këtë frymë të ndryshimit e dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit (29. 11. 2020) në Podujevë. Pallavrat e kota qytetarët nuk i hanë më.

Pra, nëpër këto fërkime permanente shoqërore të ndodhura në Kosovë, të themi kështu hapur, pa ndrydhje në gjuhë, midis kundërshtive të të mirës dhe të keqes apo përparimit dhe ngecjes ekonomike, drejtësisë dhe padrejtësisë,  kanë ndikuar dy faktorë kryesor të potencialit të dukshëm njerëzorë. Beteja është bërë midis turmës së mediokritetit dhe grupit të vërtetë (të kufizuar) intelektual e përparimtar. Kjo betejë e klasës politike akoma ka konflikt të dukshëm midis vetes në arritjen e standardit të duhur zhvillimor dhe në zbatimin e ligjit në sistem. Secila prej këtyre rivaleve politike, të zhvilluara kësi lloji, kërkojnë të jenë dominues në funksionimin e tyre në pushtet. Kështu, në imazhin e politikbërjes së deri më tanishme pluraliste, janë përzier midis vetes stimulimet dhe ngërçet e rënda të zhvillimit normal të një shteti. Janë kyçur vend e pa vend ide, njerëz dhe qasje zhvillimore të turbullta, që kanë sjellë në skenë këtë standard kulture të sotme politike e ekonomike. Padyshim se në këtë organizim shtetëror e shoqëror është imponuar kulturë politike dhe diplomatike e dobët, e cila tani rrezaton dukshëm me këtë nivel të brishtë ndriçimi që kemi. Bajraktarizmi dhe familjarizmi ka dominuar në të gjitha segmentet e jetës. Ka dominuar kështu kjo gjendje, se faktori politik nuk ka mundur të largohet spontanisht nga i forti i krahinës, fisit, vëllait, birit, bijës, apo përkrahësit e mëhallës. Kjo frymë dominuese ka sjellë edhe konformizëm intelektual, me të cilën është keqtrajtuar dhe dëmtuar shumë shteti i Kosovës, kundrejt rrjedhave të përgjithshme zhvillimore politike në Evropë. Pastaj në skenë parlamentare është aktivizuar tundimi i retorikës vulgare, për të lëçitur tjetrin dhe mendimin ndryshe, është pranuar klimë politike që ka bërë prurjen e agresivitetit shqetësues dhe moskuptimin njerëzor për opinionin e gjerë. Gjuha përjashtuese, në të njëjtën kohë ka sjellë ndasi dhe intolerancë të skajshme.

Vetëm civilizimi dhe kultura e emancipuar do të eksploronte një frymë tjetër politike të re, ku dotë shiheshin qartë në sistem vlerat e mirëfillta. Do të ishte mirë që në politikë të vendoseshin njerëz që atdheun e duan pa hile e orar të caktuar. Të tillë njerëz të aftë dhe të guximshëm ka plot Kosova. Ata duhet të vijnë patjetër në shprehje që të ndryshohet gjendja njëherë e mirë. Politika kosovare nga pakujdesia dhe nepotizmi përparësi të madhe i ka dhënë inteligjencës false. Nuk është respektuar sa duhet kontunuiteti i zhvillimit normal politik e shoqëror. Kjo prurje e shëmtuar e qasjes së pa sistemuar dhe politikbërjes klanore ka ndikuar për të keq në shoqëri. Ajo ka nënshtruar ose përjashtuar inteligjencën e vërtetë nëpër institucione. Shumë arsye dhe mospajtime janë përmbytur në këto gërmadha të rënda të lidershipit të brishtë. Të duket se nga gjenerata në gjeneratë është ndrydhur keq vetëdija e shëndosh e popullatës dhe padyshim aty është kufizuar edhe morali i nevojshëm i emancipimit të përgjithshëm kombëtar, kryesisht që të mos vihet në skenë dhe në përdorim niveli politik profesionist i njeriut të duhur.

Kështu, nga profili perceptues i paanshëm politik, çdo gjë është e dukshme dhe nuk ka koment se si zbatohen fërkimet dhe kundërshtitë reale. Animi dhe urrejtja për njëri-tjetrin shëmbëllen qartë nëpër portale e mjete tjera sociale të informimit publik. Pra, siç kanë shkuar punët dhe qasjet zhvillimore deri më tani në vend, po të bësh një anketë të hapur nga qytetarët, do të vërejmë se secili nga ato të intervistuarit do të kishte lakmuar një post politik në funksionimin e shtetit. Se kjo punë na qenka shumë e lehtë dhe e mundshme për t’u avancuar gjithsecili, pasi në këtë segment jete të angazhimit përherë të mbrojnë strukturat përgjegjëse, partiake, të një grupi të caktuar interesash. Kur filani e bën këtë punë, pse mos ta bëj unë. Nëse mendohet kështu nga qytetarët dhe kalimtarët e thjeshtë, se angazhimi në politikë qenka ndërmarrje shumë e lehtë, atëherë punët i kemi shumë keq dhe rëndë mund të dilet nga kjo mjegullnajë politike e trasuar.

Kyçja në politikë nuk është aq punë e lehtë e vendimmarrjes individuale e grupore, sa që mund të pretendoj çdo kalimtar i rastit në kohë dhe hapësirë të caktuar. Por këtu te ne është devalvuar çdo gjë, sidomos hierarkia e vlerave të mirëfillta sistemore, ndaj çdo i dyti lakmon të jetë i pranishëm në këtë vorbull të interesit politik, gjoja të lehtë karrierist. Dihet se në politik asnjëri nuk hynë për sytë e ballit, kur dihet se çdo individ ka qëllimet e veta karrieriste të leverdisë, prandaj edhe i vardiset kësaj pune jo edhe aq të lehtë. Por të bartësh brengat e qytetarëve është një punë e madhe dhe e rëndë që të përcjellë në çdo kohë dhe çdo situatë. Përgjegjësia është e madhe dhe sakrifikuese. Detyrimet janë të obligueshme. Nëpër këto përmasa të angazhimit pa dyshim se individi e humb lirinë personale në njërën anë dhe në anën tjetër mbetesh i vëzhguar dhe i shigjetuar gjithnjë në veprimet e bëra, si politikan që ke marrë obligim të tillë përgjegjësie. Ndaj disa nga politikanët i harrojnë premtimet që kanë dhënë dhe dalin nga kornizat obliguese të detyrave të marra. Madje ata përfaqësues harrojnë se janë të vëzhguar në çdo moment e situatë. Disa as që i mendojnë këto detyrime e ngarkesa specifike, prandaj kauza e tyre e rrejshme dhe e kufizuar është se si të pasurohen më lehtë dhe në afat sa më të shkurtë, derisa e ka marrë mandatin veprues në shoqëri. Ata individ që nuk e respektojnë përgjegjësinë dhe obligimet e pranuara për shërbim adekuat qytetar, janë vënë dhe renditur gabimisht për ta mbajtur timonin e një shteti. Kështu, në këto rrethana vepruese keqkuptohet demokracia dhe keq trajtimi i tyre në skenë politike, kurse prania e tyre në sistem e vë shtetin në situata të palakmueshme. Ky imazh i çuditshëm dhe i lakmueshëm në shoqëri vjen nga arsyeja e tyre, e pa sublimuar sa duhet në vete, se sot vetëm politika, në këtë anë të shkapërderdhur shoqërore, na qenka mundësia e privilegjuar dhe e mrekullueshme për t’u pasuruar dhe për ta ndryshuar standardin familjar. Ky peshqesh i mundshëm dhe i realizueshëm, tani për tani, ndodh vetëm në Ballkan, prandaj njerëzit janë vardisur në çdo mospajtim e kundërthënie personale të ndodhur, të motivohen ngutshëm apo të formojnë parti e asociacione të mundshme, sikurse të hapin dyqane private për të rregulluar sa më shpejtë mirëqenien personale dhe të familjeve të tyre.

Njerëzit e përgjegjshëm nuk befasohen nga këto koncepte të politikbërjes së brishtë, në këtë pjesë të Evropës juglindore. Ata madje edhe i respektojnë edhe të privilegjuarit e “gjakut të derdhur” se kanë sakrifikuar për Atdheun dhe familjet e tyre deri në çlirimin e vendit. Por kjo përparësi e lakmisë vulgare të tyre nuk mund të keqpërdoret tërë kohën, kur janë në pyetje vendimet e mëdha politike për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të zhvilluar, ku qytetarët do t’i shijonin vlerat e arritjeve të mirëfillta të lirisë dhe demokracisë njësoj. Çdo qytetar ka të drejtën e punësimit, pa marrë parasysh orientimin politik që ka. Kështu na mësojnë demokracitë e vendeve të përparuara. Atdheu nuk është pronë dhe as kafshatë personale private që të mundësh ta copëtosh dhe ta grimcosh sipas shijes dhe oreksit të interesit apo shpëtimit personal nga keqtrajtimet e bëra.

E kaluara, e sotmja dhe e ardhmja kohore të një vendi e shoqërie, janë fakte argumentuese të pësimit dhe zhvillimit kombëtar, për ta trandur gjithsecili kokën në veprimet politike që merr në ndonjë grup politik, brenda një afati të caktuar qeverisës. Po t’i kthehemi historisë, do të shohim vrazhdësinë politike të saj që na kushtuar shumë, se si për interesa vulgare dhe me ndihmën e armiqve i kemi cunguar trojet tona tmerrësisht, sidomos nëpër ato momentet kyçe kur janë vënë interesat personale të udhëheqësve politik, nga trupi jonë është hequr nga një fashë e pa arsyetuar e vendimeve të marra. Nuk luhet bixhoz me tokën e trashëguar nga paraardhësit, për të cilën tokë shumë gjenerata kanë sakrifikuar jetën dhe familjen e tyre. Me kokat e paraardhësve tanë janë ndërtuar ‘’qelekulla’’, për t’ i zhdukur e larguar nga ajo pjesë e truallit të tyre të shenjtë.

Padyshim, nuk duhet të jemi të prirët që të shohim vetëm anën negative të rrjedhave politike të deri më tanishme, por gjithnjë duhet të bëhemi autokritik në proceset vendimtare të kombit, për atë që kemi bërë dhe atë nuk e kemi bërë deri më tani, sidomos kur vihen në shqyrtim vlerat dhe jo vlerat e rrjedhave politike të tanishme në Kosovë. Edhe pse Kosova nga viti në vit ka pasur një demokratizim të brendshëm, por ajo nuk mjafton të mbetet vetëm me këtë përmasë kulture politike pluraliste të zhvillimit të shoqërisë, që për diplomacitë vëzhguese të huaja, për fat të keq, merret si ushqim i dhunshëm dhe me shije të pa pëlqyer sa duhet, e cila gjellë politike në brendi ka pasur mëlmesa të ngjarjeve joadekuate që kanë ndodhur pas luftës, kryesisht duke pranuar apo stimuluar një atmosferë polarizuese dhe destruktive në shoqëri. Gjoja se nuk ka alternativë tjetër për të dalë nga situata e krijuar. Për çdo gjë të logjikshme ka zgjidhje dhe prosperitet. Kur u vendos ‘Gjykata Speciale’ në Kosovë, secili politikan duheshe ta kishte kuptuar në vete, pse merret një vendim i tillë i njëanshëm. Dihet mirë situata dhe veprimi i saj gjykues, që nën çekiçin e kësaj gjykate do të kaloj çdo pjesëmarrës dhe faktor politik që ka qenë i kyçur në luftën e fundit në Kosovë. Edhe pse UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe me pasoja e tragjedi të mëdha, në paqe analizohet çdo rrethanë dhe aktivitet i kryer. Bile edhe akuzat për qindra vrasje pas luftës nuk janë alarme të papërgjegjshme. Çdo akt i kryer ka edhe të involvuarit e saj, herët apo vonë, del në shesh e vërteta e ndodhur.

Kur nuk kuptohen mirë bindjet politike, toleranca demokratike e pluralizmit nuk ka kuptim. Atëherë në politikë dominon njëmendësia dhe zhvillimi i shtetit merr kahe të njëanshme; nuk shihet qartë perspektiva dhe dashuria për vendin. Pastaj nuk është për t’u çuditur kur secili i ri sot mendon se si ta braktis vendin, ngase shteti i tyre u duket si “sfingë” e rrezikshme që i frikëson dhe trishton në çdo çast të të menduarit e vepruarit.

Shoqëria, tanimë, e ka kuptuar këtë lloj politike si një eksperiment fragmentar që mund të tejkalohet me kalimin e kohës, por në një gjendje të këtillë javashllëku demokratik dhe të stërzgjatur, pa zbatimin e drejtësisë së mirëfilltë, gjërat nuk mund të ndryshohen aq lehtë. Uzurpimet e posteve dhe shërbimet joprofesionale në vendin e duhur të punës e ngufatin prosperitetin normal të shoqërisë, kurse keqpërdorimet e funksioneve ndikojnë për të keq në imazhin e përgjithshëm të shtetit. Në anën tjetër qytetarët gjatë kohë kanë mbetur të zhgënjyer nga kjo “mirëqenie” tërësore dhe formale e paqës, e cila nuk jep mundësi zhvillimi dhe standard solid për të qenë qytetari i kënaqur në vendin e vet. Të mos mendoj i riu fare për braktisjen e vetes nga atdheu, mu për shkak të varfërisë dhe pasigurisë që ndërtohet në të.Klasa politike duhet të krijojë besim dhe optimizëm të shëndosh te njerëzit, sepse si të humbet në vetëdije busulla e orientimit optimist, qëllimi i ndërmarrë na del i vonuar dhe shumë konfuz. Disa politikanë e harruan sakrificën e luftës dhe lejuan, para syve të tyre, të keqpërdoren shumë segmente kyçe të politikës, përballë faktorit prezent dhe vëzhgues të jashtëm. krysisht duke u vardisur pas pasurimit brutal dhe pa mbulesë të arsyetueshme. Kjo qeverisje e ka të rëndë  daljen nga politika e mëhallës dhe intersi të ulët personal, prandaj vështirësitë sa vijnë e shtohen nga dita në ditë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close