E-RELIGJIONI (3)

Ky kurs i ri i fetarisë së fillim-mileniumit mund të shpie edhe te dukuria e quajtur “militarizim i fesë” (militarization of religion), te kalimi në ujërat e interpretimeve fondamentale,  ekskluziviste, ekstreme, radikale; deri te krijimi i besimtarëve që nuk i shohin gjërat nga perspektiva të ndryshme, por nga një këndvështrim i vetëm, duke përjashtuar të gjithë pikëpamjet tjera pos të tyreve. Individët e tillë të kapur nga “peshkatarët e shpirtrave njerëzorë”, më nuk janë të lirë, robërohen, e japin trurin me qera, e gjejnë rrugën brenda rrugës dhe vetëcilësohen si  “besimtarë të vërtetë”, bëhen ndjekës të një metode të veçantë që i dallon ata nga masa (xhemati). Ata fillojnë të diferencohen nga anëtarët e familjes, nga lagjja dhe nga i gjithë komuniteti. Në saje të vizualitetit të internetit ku i gjejnë modelet “që reflektojnë modelin profetik”, ndryshojnë edhe dukjen e vet, formojnë një bashkësi me bashkëmendimtarët, me të cilët janë në komunikim permanent dhe me të cilët ndajnë ndjesi dhe bindje të përbashkëta.

Një nus produkt i kësaj “besimtarie virtuale” është edhe afirmimi hoxhës me pamje tjetërfare, i teologut “tek mendje” në rrjetet sociale, ndonëse në jetën reale nuk ka shumë ithtarë që e ndjekin, shndërrimi i tij në “kult”, me mijëra ndjekës që vazhdimisht shohin, dëgjojnë dhe bëjnë “share”. Një element që ua rrit namin këtyre “thirësve në fe” apo “luanëve të fesë” është “gjetja e rrugës së të parëve që është shpërfillur”, theksi te “shpikjet në fe”, te devijimet, toni specifik i ligjërimit etj. Kjo mënyrë e predikimit në veçanti është tërheqëse për popullatën rinore, që s’ka marrë mësime klasike nëpër faltore, në familje e më gjerë, e cila s’ka një vetëdije fetare të mirëformuar dhe që është e gatshme për mobilizim. Të tilla janë edhe dy rastet e fundit, në Paris dhe Vjenë. Imagjinoni moshën e tyre, 18 e 20 vjeç! Kur u bënë “aq besimtarë” sa ende pa e njohur mirë fenë e tyre, të nisin me vrasje “të tjetrit pabesimtar”? Edhe më specifik është rasti i shqiptarit që kishte lindur në Austri, që shikuar sociologjikisht duhet të ketë një botëkuptim më fleksibël për gjërat, përfshirë edhe fenë. Me të njëjtin instrument mund të shpjegohen edhe rastet e tjera të të rinjve që dikur shkonin në Siri “për të rënë martirë”, madje edhe nga vendet europiane. Besimtarët e ushqyer me fe nëpër dhomëza, mejtepe private mobile, nga interneti janë kategori e personave me besim por “pa kulturë të mirëformuar fetare”, pa sens për mjedisin, shoqërinë, globalen. Shumë të tillë, për hir të “davetit” (kauzës fetare) kanë braktisur shkollën, universitetin, kanë humbur perspektivën, nga persona të shkathtë në lëminë e vet kanë marrë rrugën e thirrësit dhe kanë rënë në gjendjen e nevojtarit për ndihma financiare. Kështu është kur dijetaria shqiptare kufizohet në tre shkollarë të hadithit (ekskluzivisht fetare), kur shohim nëpër rrjetet sociale publikime të tilla si “U realizua projekti i akikës (ngrënies së kurbanëve) kolektive”, sikur bëhej fjalë për një ndërmarrje me faza të ndërlikuara, jo për një drekë shpirtërore, për kryerje të një tradite profetike (sunnet), ku ç’e do që zakonisht thirren kryesisht bashkëmendimtarët…

Kreatorët kryesorë të një një fetarie tjetërfare janë “thirrësit” që shkollohen jashtë dhe tëhuajësohen edhe kulturalisht, që arabizohen dhe pastaj aterojnë në vendlindje symbyllur, duke humbur sensin e gjeografisë dhe rrethanave kulturore. A ka edhe faktorë të tjerë jashtëfetarë që e “afirmojnë” këtë fetari? Sipas një politologu të ri përgjegjësi mbajnë edhe “portalet sekulare me etjen e tyre për sa ma shumë klikime”, të cilat gjurmojnë tekste, deklarata, video “provokative” të shkëputura nga konteksti, të publikuara para disa viteve, që publikohen, postohen sot edhe pse nuk kanë kurrfarë lidhje me aktualitetin. “Zakonisht bëhet fjalë për çështje si: kënaqësitë e xhenetit, të drejtat e grave, xhihadi, Perandoria Osmane, Nënë Tereza, e kështu me rradhë.” (R. Dauti)

Konkluzione: Krishterizmi ka një përvojë shumë të madhe në aspekt të fesë nga distanca, historia e televangjelizmit fillon qysh në vitet 1950. Në kontekstin shqiptar-islam, përderisa kemi bashkësi fetare të përgjumura, inaktive, pa publikime konkurrete me sektorin privat, fetaria alternative do të marrë gjithnjë e më tepër hise nga fetaria klasike, “teologjia e improvizuar ose pa diploma” dhe e emocioneve do ta mundë si në terren ashtu edhe në internet teologjinë shkollare dhe racionale, në veçanti në rrafshin e popullatës rinore. Ithtarë më lehtë të akcesueshëm dhe më të përkushtuar të e-religjionit janë të papjekurit, të rinjtë, të pashkolluarit. Sa më pak kupton individi, aq më lehtë te ai mund të krijohen bindje rigjide. Antidoti më efektiv kundër ekstremizmit është theksi te vlerat humane – thotë mjeku kumanovar R. Ramadani që jeton në Gjermani. E-religjioni s’mund të ndalet, por mund të prodhohen materiale të fesë joideologjike, të fesë që është më e gjerë sesa fraksioni ose ideologjia zyrtare e një shteti e importuar ndër ne që na prodhon rini më besimtare por me deficite të shumta, mendjengushtë, të paaftë për ta lexuar kontekstin dhe për t’u përballur me sfidat e shekullit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button