Kosovë, Vetëvendosje ka fituar Podujevën, ndërsa Lista serbe  Mitrovicën e Veriut

Në Komunën e Podujevës, sipas rezultateve paraprake, ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, me 51.64 për qind të votave, duke i dhënë fund një periudhe 20 vjeçare gjatë së cilës komuna drejtohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, ka fituar subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, me kryear Milan Radojeviç, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se Milan Radojeviç nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicën e Veriut.

Rreth 41 për qind e mbi 87 mijë votuesve në Podujevë morën pjesë ne votime, ndërsa rreth 39 për qind e 23 mijë votuesve morën pjesë në zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut.

Posti i kryetarit të komunës së Podujevës është bosh që nga muaji shkurt kur ish kryetari Agim Veliu u tërhoq për t’u bërë ministër i Brendshëm, ndërsa ai i kryetarit të Mitrovicës së Veriut që nga qershori kur ish kryetari Goran Rakiç, u bë zëvendëskryeministër i Kosovës, njofton Zëri i Amerikës. Mbajtja e zgjedhjeve u shty për shkak të situatës me pandeminë, e cila duhet të ketë ndikuar edhe në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e së dielës.

Zgjedhjet në këto dy komuna u mbajtën në një periudhë përballjeje jo vetëm me pandeminë e COVID-19 por edhe të paqartësive politike në shkallë vendi.

Që nga dorëheqja e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë, ka filluar të rrjedhë afati prej 6 muajsh brenda të cilit vendi duhet të bëhet më president të ri, apo të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që vëzhgon zgjedhjet, thotë se votimet e sotme në Podujeve dhe në Mitrovicë të Veriut janë një sprovë për institucionet përgjegjëse para zgjedhjeve të ardhme të përgjithshme.

“Në përgjithësi këto zgjedhje mund të shihen si një test i mirë për Kosovën për të parë nëse vendi është i gatshëm që të organizojë zgjedhje në nivel qendror nëse një gjë e tillë kërkohet qoftë këtë vit apo të ardhshmin. Unë besoj që me strukturën aktuale dhe me kapacitetet që ka Komisioni Zgjedhor është vështirë që të organizohet një proces i mirëfilltë dhe i sigurt zgjedhor, meqenëse në Kosovë ta zëmë numri i votuesve është jashtëzakonisht i lartë krahasuar me protokollet të cilat parashohin që numri i votuesve të mos jetë aq i madh që mund të pamundësojë qoftë mbarëvajtjen apo të jetë faktor i rritjes së rasteve me COVID-19”, tha ai.

Cakolli tha se këto zgjedhje mund të jenë edhe përcaktuese të shkuarjes ose jo të vendit në zgjedhje të përgjithshme.

“Padyshim zgjedhjet në nivelin lokal, sidomos në komunën e Podujevës e cila njihet si bastion i LDK-së do të jenë një test i mirë si për LDK-në ashtu edhe për dy kundër-kandidatët nga partitë opozitare aktualisht në nivelin qendror, që do të mund të jetë një matës i mirë për të parë se ku ndodhen me elektoratin e tyre subjeketet politike të cilat kanë pësuar ndryshime në kuptim të konfigurimit të qeverisë. Prandaj këto zgjedhje mund të reflektojnë në masë të madhe edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në nivelin qendror”, thotë ai.

Udhëheqësit e koalicionit aktual qeverisës kanë paralajmëruar që gjatë javës që po vjen do të diskutojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit ose të pajtohen për datën e zgjedhjeve të reja të përgjithshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button