Në vend që t’i paguajnë me para, të rinjtë mund të ndjekin kurse dhe trajnime përmes shërbimit në komunitet

Kurse programimi, marketing digjital, Photoshop (Adobe Photoshop), Illustrator (Adobe Illustrator) dhe trajnime të ndryshme për aftësi digjitale, të cilat, në vend që t’i paguajnë nga xhepi, të rinjtë do të jenë në gjendje të “paguajnë” me shërbim të komunitetit, më shumë se një vit, është ajo që e ofron platforma “MladiHub”(RiniaHub).

Ky projekt zbatohet nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit – MASIT, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i projektit është t’u sigurojë të rinjve qasje në trajnime digjitale dhe të aftësive të biznesit në këmbim të shërbimit ndaj komunitetit, gjegjësisht aktivitet që është i rëndësishëm për komunitetin e gjerë. Me fjalë të tjera, të rinjtë do të jenë në gjendje të marrin pjesë në aktivitete që janë me interes për komunitetin dhe kështu të fitojnë qasje në trajnime për aftësi në biznes ose digjitale.

Koordinatorja e projektit “MladiHub-Rinia Digjitale”, Vesna Radinovska, shpjegon se në këtë mënyrë të rinjve u ofrohen mundësi për zhvillim personal dhe profesional, kurse në të njëjtën kohë inkurajohen të angazhohen në komunitet. Këshilli Nacional Rinor ka disa vite që e ka zhvilluar idenë për këtë projekt.

“Ajo që duam është të ndihmojmë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre pa u shkaktuar shpenzime, të cilat, për fat të keq, shumë prej tyre nuk mund t’i përballojnë. Në të njëjtën kohë, misioni ynë është të zhvillojmë një ndjenjë të përgjegjësisë për komunitetin dhe të inkurajojmë krijimin e shprehisë për angazhim të rinjve në shërbime për komunitetin” shpjegon Radinovska.

Trajnimet që ofron “MladiHub”(RiniaHub) janë për mjete dhe aftësi të ndryshme, si MS Office, Marketing Digjital, Copywriting, menaxhim i projekteve, Adobe Photoshop, Adobe Illustrator, SEO, bazat e programimit dhe ueb-dizajnit, aftësi komunikimi dhe të shitjes dhe shumë të tjera. Këto trajnime zgjasin nga 4 deri në 20 orë dhe për të marrë pjesë në to, nuk kërkohen njohuri paraprake.

“Ne ofrojmë një gamë shumë të gjerë të trajnimeve që zgjasin nga 4 në 90 orë dhe të gjithë të rinjtë, pavarësisht nëse dhe sa përvojë kanë, mund të gjejnë diçka që u përshtatet dëshirave dhe nevojave të tyre. Ne gjithashtu ofrojmë trajnime më të avancuara që kërkojnë njohuri në këtë fushë. Trajnimet për aftësi të përparuara të TI-së janë: Data Science, Software Testing, UX design, Front-end web Development и Android Developer“, thotë Radinovska.

Trajnimet janë të dedikuara për të gjithë të rinjtë e moshës 15 deri 29 vjeç, pavarësisht nga vendi ku jetojnë, puna ose statusi arsimor, ndërsa realizohen nga kompani me përvojë shumë vjeçare në këtë fushë, siç janë “Intervorks”, “Data Masters”, “Semos Edukimi”,”Brainster”,”Sivus” dhe Fakulteti ekonomik. Koordinatorja Radinovska thotë se projekti ka ngjallë interes të madh te të rinjtë në vend.

“Të rinjtë janë shumë të interesuar si për trajnimet ashtu edhe për shërbimin në komunitet. Të gjitha trajnimet po zhvillohen me kapacitet të plotë. Fakti që trajnimet tani po realizohen plotësisht onlajn e bën më të lehtë për ne që të arrijmë te të rinjtë nga i gjithë vendi”, shtoi Radinovska.

Programi i shërbimit në komunitet, me të cilin të rinjtë paguajnë për trajnim, përfshin aktivitete të ndryshme që nënkuptojnë investime vullnetare të kohës dhe punës së të rinjve për të mirën e komunitetit, anëtarëve dhe institucioneve të tij.

“Gatimi dhe shpërndarja e vakteve për kategoritë e cenueshme shoqërore, pastrimi dhe pyllëzimi i hapësirës publike, shkrimi dhe redaktimi i artikujve të Wikipedia-s në gjuhën maqedonase, bërja dhe dhurimi i maskave mbrojtëse, sigurimi i mbështetjes për organizatat jofitimprurëse në lidhje me logjistikën e ngjarjeve, krijimin e dizajneve, ueb-faqe, përkthime, etj., kujdes për kafshë endacake, aktivitete të ndryshme me fëmijët nga Qendra e Kujdesit Ditor për fëmijët e rrugës në Shuto Orizar etj. Pjesën me të madhe të aktiviteteve i realizojmë së bashku me organizata dhe iniciativa të tjera dhe të gjitha ato bashkëpunime me të vërtetë kanë rëndësi shumë të madh për ne”, shpjegon Radinovska dhe shton se kjo periudhë u kushtohet aktiviteteve që nuk kërkojnë grupime për shkak të situatës aktuale.

E pyetur për idenë e projektit dhe përse ata kanë vendosur të ofrojnë trajnime për aftësi digjitale, Radinovska shpjegon se digjitalizimi është një trend global nga i cili askush nuk mund të izolohet, ndërsa rëndësia e tij e madhe është veçanërisht e dukshme tani, në këtë periudhë të pandemisë globale.

“Shkathtësitë digjitale kanë qenë prej kohësh ndër më të kërkuarat nga punëdhënësit dhe ata që i posedojnë ato shkathtësi zakonisht e kanë më të lehtë për tu gjetur punë. Nga ana tjetër, aftësitë e biznesit si menaxhimi i projektit, zhvillimi i planit të biznesit, komunikimi, negocimi dhe aftësitë organizative janë gjithmonë të nevojshme. Edhe aftësitë digjitale edhe ato të biznesit janë faktor vendimtar për sukses profesional dhe personal,” pohon Radinovska.

“Meta.mk” bisedoi me disa të rinj që kanë marrë pjesë në trajnimet e “MladiHub”(RiniaHub) dhe i pyeti ata për përvojën e tyre.

Borjana Arsova zgjodhi trajnimet për MS Excel, sigurinë e TI, SEO e postim të ueb-faqeve dhe thotë se ato janë të mjaftueshme për të mundësuar të rinjtë të punojnë si fillestarë me aftësitë e mësuara, për qëllime private ose profesionale. Puna e dobishme në komunitet me të cilën i ka paguar kurset kishin qenë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

“Shërbimi im i komunitetit ishte përkthimi i materialeve nga maqedonishtja në anglisht në fushën e punëve të gjelbra në mbështetje të OJQ-së “Bëhu i gjelbër”, punimi i maskës mbrojtëse për përdorim të shumëfishtë në përputhje me situatën aktuale, si dhe mbjelljen e një bime. “Këto tre aktivitete ndodhën të jenë në fushën e mjedisit jetësor, kështu që kjo më bëri të lumtur sepse në një farë mënyre mund të kontribuoja për një jetë më të mirë dhe mbrojtje të mjedisit jetësor “, tha Arsova.

Nga ana tjetër, Gordan Mitrevski ka pas disa aktivitete në shërbim të komunitetit që ishin të karakterit krijues, humanitar dhe ekologjik. Ai e ka hartuar ilustrimin e projektit të ri të KRNM-së, dhuroi tre litra vaj gatimi të mbeturinave që do të përpunohen dhe dhurohen më tej për qytetarët e prekshëm dhe mbolli gjashtë drunë  gjethembajtës.

Trajnimet që kam kaluar janë “Kursi bazë i programimit”, “Testimi i softuerit”, “Adobe Illustrator” dhe trajnimi që jam duke e ndjekur aktualisht është i dedikuar për ” Front-end developing”. “Si rezultat i këtyre trajnimeve, unë fitova njohuri të mëdha në këto fusha, falë ligjëruesve që me vetëmohim ndanë njohuritë e tyre me ne dhe duke zgjidhur dhe punuar në projekte reale ata na treguan se si duket të jesh pjesë e botës së TI-së”, tha Mitrevski.

Projekti “MladiHub – Rinia Dixhitale” financohet nga Ambasada Britanike. Koordinatorja Radevska paralajmëron pasurimin e ofertës për trajnime për aftësi biznesi dhe thotë se ata do të vazhdojnë të ofrojnë trajnime për aftësi digjitale që kërkohen në tregun e punës.

Të rinjtë mund të ndjekin të gjitha aktivitetet e “MladiHub”(RiniaHub) dhe të informohen për trajnimet dhe kurset në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button