Nga mosbesimi te marrëveshja e qëndrueshme

Popujt e Ballkanit janë të mallkuar nga perandoritë dhe nga vetja të kenë histori të ndërlikuar, por që ka qenë vendimtare në shumë çështje të politikës bashkëkohore. Duhet veçuar këtu dy zhvillime: e para, fillimi i shekullit XX, shembja e disa perandorive dhe fundi i LDB-së, sollën ndryshime dramatike në Evropë dhe në Ballkanin e çliruar nga forcat sovjetike dhe partizane të ndihmuar nga britanikët.

E dyta, pas tërheqjes së forcave italiane nga Ballkani (1943), çështja maqedonase zgjoi interes ndërkombëtar deri në Moskë dhe në qarqet lokale të Internacionales.

Padyshim se nuk pritej ndonjë pushtet tjetër perveç atij komunist të instalohej në vitet e para të pas tërheqjes së forcave pushtuese, një qeverisje e cila zgjati deri kur u bë rënimi i regjimeve komuniste në mbarë Evropën Lindore dhe në Ballkan. Tre dekada pas, akuzat maqedonase ndaj fqinjëve dhe perëndimit se po ua ndryshojnë identitetin nuk qëndrojnë. Duhet kuptuar se ideologjia komuniste e ka bërë të veten tek popujt e rajonit. Kombet e reja në formim kanë tendencë të mos pranojnë etninë dhe kulturën e një kombi tjetër dhe as më pak identitetin e të tjerëve ose së fundi ta ndajnë atë. Tek disa shtete, specifikat e formimit dhe kufizimet gjeografike kanë ndikuar në përceptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, kulturës, historisë dhe njohjes së vetes.

Zvicra është ngjitur në shkallë ndërkombëtare vetëm me një gërshëtim të interesave strategjike dhe navigim të kujdesshëm në mesin e fuqive evropiane. Këtë e ka bërë jo vetëm në paqë, por edhe gjatë konflikteve më të mëdha të historisë evropiane. Suksesi zvicerian lidhet me lidershipin e zgjuar helvetik dhe në interpretimin e tyre të drejtë të botës gjermanike.

Diplomatët zvicerian asnjëherë nuk thonin se nuk kemi asgjë të përbashkët me Prusinë, Konfederatën Gjermane dhe Hapsburgët. Në Ballkan për fat të keq kjo nuk ndodhi, për shkak të rolit të Fuqive të Mëdha dhe ideololgjive majtiste në formimin e kombeve dhe vetëdijes kombëtare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut (MV) Zoran Zaev tha një të vërtetë që e gjejmë në dokumentet e FSO-së britanike, OSS-amerikane, MGB-së sovjetike dhe në shumë arkiva tjera. Ai bëri një hap të rëndësishëm në kohë të duhur në normalizimin e raporteve me Bullgarinë. Ky veprim i takon dilemës (security dilemmas) shtetërore që e mundon çdo shtet, çdo lider në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe padiskutim më shumë i ka lënë pa gjumë politikanët maqedonas pas vitit 1990.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes në mes MV-së dhe Bullgarisë në vitin 2017, kanë ekzistuar tre faktorë vendimtarë që kanë luajtur rol dhe vazhdojnë të jenë kyç se si do të përfundojë marrëveshja. Të tre faktorët janë pjesë e mjeteve diplomatike dhe të negociatave, ku pa mëdyshje vënia në funksion të diplomacisë për të zbërthyer të vërtetën historike në raportet në mes Shkupit dhe Sofjes do të të jetë instrumenti më efikas për të provuar se a do të kemi zgjidhje të shpejtë të problemit apo do të zgjatet deri në 2021. Keqpërdorimi i diplomacisë dhe “fuqisë së butë”, solli një dinamikë të re që ka ekzistuar qysh moti në marrëdhëniet në mes Shkupit dhe Sofjes dhe kjo ka të bëjë me mllefet e vjetra që i mbajnë “patriotët” e të dy shteteve. Një rritje e revanshizmit si reflektim i paranojës së historisë dhe pasigurisë identitare, vazhdon të mbajë peng bullgarët dhe maqedonasit.

Padyshim se tendosjet e fundit në mes Shkupit dhe Athinës janë të lidhura edhe me shqetësimet amerikane për Ballkanin, ku Uashingtoni kërkoi që zgjidhja e problemeve ndërfqinjësore të bëhet jashtë procesit integrues. Pjesërisht një qasje e tillë është në rregull. Ajo që mbetet jashtë raporteve Shkup-Sofje, është roli gjithnjë në rritje i strukturave të brendshme për dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe. E para, është pjesa bullgare e cila vendosi veton dhe kërkon respektimin e Traktatit, e dyta është ajo maqedonase me strukturat e vjetra komuniste dhe e treta është Serbia e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë nga MV-ja dhe përherë nga ushtruar influencë në Shkup me anë të metodave të ndryshme duke ndërhyrë në punët e brendshme.

Këtë ndërhyrje serbe, maqedonasit e kanë lejuar vetë dhe ky ndikim ka ardhur nga elementë të caktuar të qeverisë që datojnë nga pavarësia e deri në deklaratën e fundit të kryeministrit Zaev të cilën nuk e mbështetën disa komponentë pro serbë dhe rusë. Nëse nuk do të dilet nga mentaliteti i vjetër i qasjeve me fqinjtë dhe nuk do t’ju ofrohen atyre argumente që nuk mund t’i kundërshtojnë, një Traktat tjetër mirëbesimi në mes Sofjes dhe Shkupit vështirë se mund të arrihet. Dalja nga rrethi serb e bën mendimin politik maqedonas të pavarur dhe me potencial që të arrijë shumë me fqinjtë dhe brenda me shqiptarët.

Tek pika e dytë është e rëndësishme që në LSDM, të identifikohen profilet pro Zaevit dhe kundër, dhe po aty të shihen lidhjet e anëtarëve me figurat e vjetra të LSDM-së dhe rolin e agjencive të sigurimit brenda dhe jashtë. Ndërsa Bullgaria, duhet të pranojë realitetet aktuale dhe Traktati i mundshëm duhet zbatuar pandërhyrje në kombësinë e të tjerëve. Në parim Bullgaria pas qasjes së re të Zaevit e ka të të pamundur të mos ndryshojë sjelljen ndaj MV-së. Siç duket Komisionet që kanë besimin e qeverive janë shtyllat ku Shkupi dhe Sofja duhet të bëjnë ndryshime duke mos përjashtuar figura të caktuara të ministrive që qëndrojnë pas trazimeve të reja diplomatike. Në këtë kuadër të sqarimeve të pozicioneve të fillojmë me Nenin 8 të TRAKTATIT TË MIQËSISË, FQINJËSISË SË MIRË DHE BASHKËPUNIMIT NDËRMJET REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT DHE REPUBLIKËS SË BULLGARISË, ku pika 2 thotë: Me qëllim forcimin e besimit të tyre të ndërsjellë, jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij Traktati, të dy palët kontraktuese do të krijojnë, mbi baza pariteti, një Komision të përbashkët ekspertësh multidisiplinar për Çështje historike dhe edukimi, me qëllim që të kontribuojnë në interpretimin objektiv, shkencor të ngjarjeve historike, të bazuara në burime historike autentike dhe të bazuara në prova. Komisioni do të paraqesë një raport vjetor për punën e tij, qeverive të të dy Palëve Kontraktuese.

  1. Me marrëveshje të ndërsjellë, të dy palët kontraktuese do të organizojnë kremtime të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, me qëllim forcimin e marrëdhënieve të tyre të fqinjësisë së mirë, në frymën e vlerave evropiane.

Neni 11

  1. Asnjëra nga të dy palët kontraktuese nuk do të ndërmarrë, inkurajojë ose mbështesë aktivitete të drejtuara kundër palës tjetër kontradiktore, të cilat janë të natyrës armiqësore.
  2. 2. Asnjëra nga të dy palët kontraktuese nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret kundër palës tjetër kontraktuese nga organizata dhe grupe, qëllimi i të cilave është të kryejnë aktivitete dhe aktivitete subversive, separatiste që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e palës tjetër kontraktuese.
  3. Dy palët kontraktuese do të ndërmarrin masa efikase për të parandaluar propagandën e qëllimshme nga institucionet dhe agjencitë dhe do të dekurajojnë aktivitetet e subjekteve private që synojnë nxitjen e dhunës, urrejtjes dhe aktivitete të tjera të ngjashme që mund të dëmtojnë marrëdhëniet e tyre.

Pjesë të marrëveshjes flasin për propagandën dhe aktivitetet tjera që janë në kundërshtim me paqen dhe stabilitetin. Pala bullgare ka deklaruar se zyrtarët të lartë të MV-së kanë qenë të angazhuar në fushatë anti bullgare. Aktualisht të gjitha kritikat janë në drejtim të Bullgarisë dhe një pjesë e bukur e shtypit po ashtu ka qenë në shërbim të qarqeve të caktuara në MV. Për të qenë një vëzhgues i pavarur dhe objektiv duhet parë më shumë fakte që zënka e fundit të përfundojë dhe ky sukses në takimin e dhjetorit të vlerësohet nga BE. Analistët maqedonas, ata shqiptarë dhe bullgarë, duhet angazhuar në trajtimin e drejtë të problemit dhe gjetjes në fund të një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Ajo mund të gjindet lehtë, kur Komisionet do të fillojnë të punojnë, të interpretojnë faktet historike drejtë, të dy shtetet të pranojnë të kaluarën, të largohen figurat që nxjerrin probleme të reja dhe të bashkohen rreth një Traktati që do t’i çlironte të dy shtetet nga historia e tepëruar.

Grupi i komentatorëve shqiptarë dhe maqedonas që janë në lidhje të ndryshme me LSDM-në, ose në lidhje familjare me pushtetet apo shoqërore, me muaj kanë qenë në një ofenzivë dhe propagandë të padobishme kundër Bullgarisë, duke mos mbajtur qëndrim parimor dhe profesional. Disa duke mos e njohur historinë e Ballkanit nga zyrat universitare dhe të partive politike kanë qenë në shërbim të dezinformimit dhe shtrembërimit të së vërtetave historike. Rritja e ekstremizmit etnik ishte shkas që Sofja të gjejë mënyra për të forcuar pozicionin kundër MV-së dhe të nxjerrë argumente shtesë kundër nisjes së bisedimeve.

Para se Zaevi të deklarohej për mediat bullgare, gjasat ishin që qytetarët maqedonas ende ta shohin veten më afër Serbisë se sa me Bullgarinë. Ka qenë Beogradi që nuk dëshironte shkëputje të MV-së nga sfera e ndikimit serb. Në referendumin për pavarësi të 8 shtatorit të vitit 1991, mbeti një çështje e hapur që Maqedonia t’i bashkangjitet një ditë Federatës Jugosllave-Serbisë.

Me siguri se qytetarët maqedonas nuk e dëshirojnë më këtë union me Serbinë. Tani mbetet që qëndrimi i ri i Zaevit të konkretizohet me veprime konkrete drejt një Traktati të ri, çështja të merr fund dhe përgjithmonë të mos lindin dilema nga fqinjtë e as më pak nga shqiptarët që e kanë ndihmuar pavarësinë e MV-së. Koha është tani për një marrëveshje të qëndrueshme dhe Ballkan të stabilizuar post -pandemik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button