Nga korrupsioni te klientelizmi, ose “Në Ballkanin Perëndimor, gjithçka sipas të vjetrës”

Vladimir Xhorxheviq
Vladimir Xhorxheviq

Rajoni është i zhytur në korrupsion dhe në plotësimin e interesave private.

Libri “Ballkanizimi i evropianizimit: Lufta Kundër Korrupsionit dhe Marrëdhëniet Rajonale në Ballkanin Perëndimor“(“Balkanizing Europeanization: Fight against Corruption and Regional Relations in the Western Balkans“) të cilin pata nderin ta redaktoj me kolegun tim Vladimir Vuçkoviq nga Universiteti Masarik, kishte për qëllim pjesërisht të shqyrtonte perspektivën e sundimit të ligjit në rajon, ndërsa qëllimi i ekipit të autorëve me të cilët kemi punuar ishte të siguronte pasqyrë gjithëpërfshirëse të luftës kundër korrupsionit për vendet e ish-Jugosllavisë që janë kandidatë ose kandidatë të mundshëm për aderim në BE.

Pasi arritëm në një imazh të zymtë për rajonin, pozicioni ynë ishte se evropianizimi i Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2019 në lidhje me çështjen e përmendur është mjaft i kufizuar. Duke parë dokumentet e fundit të BE-së për rajonin, duket se shumë pak ndryshime thelbësore kanë ndodhur, nëse kanë ndodhur në përgjithësi, me çka vihet në pikëpyetje gatishmëria e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të trajtuar korrupsionin në rrugën e tyre drejt BE-së.

Korrupsioni përmendet 88 herë në dokumentin e fundit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, me titull “Komunikimi mbi politikën e zgjerimit të BE-së 2020” (2020 Communication on EU enlargement policy), botuar më 6 tetor të vitit 2020. Duke theksuar se korrupsioni është bërë “shumë i përhapur“Bashkimi ka deklaruar vazhdimisht se rajoni është ende i zhyturnë probleme që paraqesin kërcënime reale ndaj strukturave demokratike dhe për mjedis të qëndrueshëm dhe transparent afarist”. Padyshim, pikërisht korrupsioni sistematik, veçanërisht ai që përfshin elitat politike dhe nivelet e larta të qeverisjes, siç theksohet në dokumentin e lartë përmendur, është problemi kryesor kundër të cilit vendet e rajonit do të duhet të luftojnë në vitet e ardhshme. Unë jam disi skeptik për vullnetin dhe gatishmërinë e rajonit të përfshihet në një luftë të tillë, jo vetëm për shkak të numrit të vogël të shembujve të menaxhimit të suksesshëm të korrupsionit gjatë dekadës së kaluar, por edhe për disa arsye shtesë të shpjeguara në vazhdim.

Si më pas?

Së pari, Bashkimi duhet të monitorojë situatën në lidhje me korrupsionin sistemik në Ballkanin Perëndimor në mënyrë shumë më të detajuar, që procesi i evropianizimit të rajonit të jetë i suksesshëm, dhe jo i parëndësishëm siç ka qenë deri më tani. Si pasojë, “monitorimi i gjykimeve për raste të korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar”, sipas pretendimi të fundit që vjen nga Brukseli, vërtet, mund të jetë një nga mënyrat për arritjen e rezultateve, por është pak e besueshme që problemi me korrupsionin të zgjidhet pa një strategji më të plotë dhe gjithëpërfshirëse, për të cilën Bashkimi do të angazhohet në mënyrë aktive, por gjithashtu do të miratohet dhe zbatohet në praktikë nga elitat politike në rajon. Megjithatë, ajo që ende nuk dihet është deri në cilën shkallë elitat e Ballkanit Perëndimor janë të përgatitura të luftojnë kundër korrupsionit, duke qenë se ata vetë janë bërë gjithnjë e më autoritarë dhe të korruptuar gjatë viteve të fundit.

Nga korrupsioni te klientelizmi, ose "Në Ballkanin Perëndimor, gjithçka sipas të vjetrës"
Burimi: ceps.eu

Ndërsa ka prova të shumta se “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë elementë të përhapur të neopatrimonializmit”, duke treguar që rajoni është thellësisht i karakterizuar me shtet të kapur nga rrjete proteksioniste”, ka një nevojë të dukshme për të rishikuar evropianizimin e këtyre vendeve dhe Brukseli duhet të fillojë t’i kushtojë vëmendje më të madhe shtytjes së rajonit drejt zbatimit thelbësor të legjislacionit anti-korrupsion, i cili do tu mundësojë këtyre vendeve në mënyrë më efikase të ballafaqohen me këtë problem. Për më tepër, ka anëtarë të BE-së, kryesisht vendet skandinave ose anëtaret e Beneluksit, cilësia e përgjithshme e demokracisë së të cilave, sugjeron që përvoja e tyre në luftën kundër korrupsionit mund të ketë një rëndësi të madhe për Ballkanin Perëndimor, që mundëson të bëhet transferim më i madh të njohurive në lidhje me këtë çështje.

Duhet të intervenojë Brukseli

Për më tepër, Brukseli duhet të shtojë përpjekjet e tij për të ndihmuar demokracinë në rajon duke mbështetur opsionet qytetare që janë bërë shumë të margjinalizuara, për të ndihmuar këta aktorë politikë, një ditë të bëhen elita politike. Është plotësisht e paarsyeshme të presim që elitat aktuale politike në rajon, nga të cilat shumica i kanë ndërtuar sistemet e tyre klienteliste dhe autoritare bazuar në përvojën e viteve 1990 të shekullit të kaluar dhe trashëgiminë nga konfliktet dhe rrjetet kriminale, vetë të angazhohen për çmontimin e rrjeteve klienteliste që ekzistojnë në vendet e tyre.

Në hulumtimin për Serbinë dhe Kosovën, ku kemi studiuar klientelizmin dhe politikat e fuqisë informale në këto dy vende, kolegu im Branisllav Radeljiç, i cili jeton në Londër, argumenton se tendencat autoritare të këtyre elitave politike formohen në rrjete të gjëra joformale të pushtetit, të cilat gradualisht janë zhvilluar me kalimin e kohës dhe në mënyrë të konsiderueshme pengojnë progresin e rajonit në procesin e evropianizimit. Këto rrjete informale të fuqisë dhe ndikimit, janë mjaft gjithëpërfshirëse për të përfshirë lojtarë formalë dhe joformalë në procesin e transformimit shoqëror, shpesh duke lidhur individët që i përkasin ose personalisht janë të afërt me elitat politike me ata që i përkasin elitave ekonomike, me ata që i përkasin nëntokës kriminale, duke krijuar rrjetin e interesave personale që është shumë e vështirë të zbërthehet në vendet që vuajnë nga institucionalizimi i dobët.

Interesat private kundrejt interesave publike

Së këndejmi, kjo do të thotë që shoqëritë në rajon kanë arritur në thelb pozicionin e shteteve të kapura, ku shpesh është e pamundur të veçohen interesat publiket (nëse ka!) nga interesat private dhe ku elitat politike dhe ekonomike kanë një ndikim kryesisht negativ në transformimin e shtetit. Kjo çështje u shqyrtua kohët e fundit në Forumin e Sigurisë në Beograd, gjatë çka interesat private në menaxhimin e fondeve publike dhe keqpërdorimi shoqërues i burimeve publike janë ende një nga sfidat më të mëdha për demokratizimin e rajonit.

Ndërsa elitat autoritare mund të jenë me të vërtetë arsyeja pse nuk ka pasur konflikte në rajon deri më tani, ekzistenca e tyre duket se jo vetëm që ka rezultuar e dëmshme për cilësinë e demokracisë në rajon, por në të njëjtën kohë tregon se procesi i zgjerimit Evropian po diskreditohet. Është shumë e vështirë të pranohet fakti se vende si Mali i Zi dhe Serbia, të dy udhëheqëse në procesin e integrimit rajonal në BE, janë në të njëjtën kohë vendet ku është arritur vetëm “progres i kufizuar” në raport me luftën kundër korrupsionit. Pikërisht ky fakt vë në dyshim rëndësinë e procesit të evropianizimit dhe të integrimit evropian në përgjithësi, i cili ka bërë disa të pyesin nëse Brukseli është mjaftueshëm serioz në përpjekjet e tij që një ditë, rajonin ta bëjë pjesë të BE-së.

Burimi: Respublika

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button