Premtimin 7-vjeçar për bulevardin “Bllagoja Toska”, Komuna e Tetovës thotë se do ta realizojë vitin e ardhshëm

Pasi ka lëshuar para Qeveria e Maqedonisë së Veriut, autoritetet komunale të Tetovës premtojnë se do ta mbarojnë bulevardin “Bllagoja Toska” deri në fund të vitit të ardhshëm, kur edhe do të mbahen zgjedhjet lokale, gjegjësisht do t’i mbarojë mandati i dytë kryetares Teuta Arifi, e cila e premton këtë projekt që nga viti 2014-të. Sipas autoriteteve, punimet për këtë do të fillojnë në pranverë, bëhet fjalë për rrënimin e 16 objekteve ndërsa banorët do të shpaguhen me paratë e ndara nga Qeveria, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, në një deklaratë për Portalb.mk tha është optimist që në periudhën e ardhshme do të përfundojnë të gjitha procedurat që kanë qenë shkak i zvarritjes së kësaj procedure, dhe se ky bulevard i shumëpritur nga qytetarët e Tetovës do të hapet.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.

“Qeveria e RMV-së në mbledhjen e fundit kishte ndarë 29.5 milion denarë për rikonstruimin e bulevardit “Bllagoja Toska”, që nënkupton hapjen e saj deri në shkollën tekstile. Ne si komunë, kemi arritur që pjesërisht të kompensojmë ata pronarë të cilët jetojnë në atë pjesë edhe mendoj që në periudhën e ardhshme do të përfundojnë të gjitha ata pagesat dhe do të bëhet hapja e atij bulevardi” tha Memeti.

Sa shtëpi duhet të rrënohen dhe sa do i kushtoje kjo komunës për shpagim të të njëjtëve?

Për hapjen e këtij bulevardi, duhet të rrënohen gjithsej 16 objekte banimi ndërkaq pagesat ndaj pronarëve të këtyre shtëpive janë kryer pjesërisht, me paratë e fundit nga Qeveria e RMV-së, komuna synon të shpaguaje të gjithë pronarët.

“Pagesat ndaj pronarëve të shtëpive të asaj pjese nuk janë kryer të gjitha, për arsye se dihet se në çfarë gjendje financiare ka qenë deri tani komuna, prandaj me këtë ndihmë do të bëjmë edhe pagesat e këtyre banorëve të ngelur” shtoi Memeti.

Portalb: A mund të presim që deri në përfundimin e këtij mandati të kryetares Arifi të bëhet hapja e bulevardit?

“Unë vlerësoj se po, jam optimist që ai bulevard do të hapet edhe atë deri në shkollën e mesme tekstile”, tha Memeti, duke ju përgjigjur pyetjes.

Opozita shpreson, por nuk beson në realizimin e këtij projekti

Sipas Arif Selamit, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Tetovës, mënyra se si kjo komunë arrin deri në realizimin e projekteve është për të ardhur keq, ai thotë se nuk mban mend projektin e fundit që Komuna e Tetovës e ka realizuar me mjete vetanake.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Është për të ardhur keq se në komunën e Tetovës, zakonisht projektet me rëndësi kapitale gjithmonë realizohen me para nga Qeveria, si është rasti me deponinë, pastrimin e borxhit dhe tani hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”. Është premtuar nga mandati i parë, nuk është realizuar, përsëri është premtuar në mandatin e dytë dhe tani në vitin e fundit me para të qeverisë e njëjta do të realizohet. Aty ka 6 lëndë për të cilat duhet të bëhet eksproprijimi i tokave, ne shpresojmë që një gjë e tillë të realizohet edhe pse nuk besojmë, dashtë Zoti që ato para të shfrytëzohen për këtë qëllim”, tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët Tetovë.

Rikujtojmë se ky projekt i Komunës së Tetovës premtohet nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi në vitin 2014, nga atëherë, çdo vit me radhë kjo e fundit jo vetëm që ka premtuar, por ka garantuar hapjen e këtij bulevardi.

Ndryshe, realizimi i këtij projekti është paraparë të bëhet në pesë faza edhe atë, kanalizimi fekal dhe atmosferik, rrjeti i ujësjellësit, ndriçimi publik me pajisjet urbane dhe gjelbërimi në fund.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button