fbpx

Zaev: Janakieski, Ristevski dhe Veljanovski janë manipuluar nga Gruevski, nuk duhet të gjykohen për organizimin e “27 Prillit”

Kryeministri Zoran Zaev, në seancën e sotme gjyqësore për rastin “27 Prilli” tha se të akuzuarit, Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Trajko Veljanovski nuk janë organizatorët e sulmit në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të, por kanë qenë të manipuluar nga organizatori kryesor, Nikolla Gruevski dhe nuk duhet të gjykohen për kësi vepre të rëndë, njofton Portalb.mk.

Të tre që i përmendi Zaev në deklaratën e tij, bashkë me ish shefin e Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasovski, janë të akuzuar se kanë kryer vepër të rëndë penale “Rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Ish kryeministri Nikolla Gruevski u përmend në hetim, por kundër tij nuk u ngrit aktakuzë, pasi që është i pakapshëm për gjykatën dhe prokurorinë, pasi që Hungaria i dha azil dhe e refuzoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradim.

“Të gjithë besoj se dëshirojmë që të mos përsëritet dhe besoj se një prej garancitë për këtë janë këto procedura gjyqësore. Si njeri viktimë në atë ngjarje, mendoj se isha shënjestra e parë nga grupi që kishte për qëllim të marrë jetë. Nuk mendoj se paramenduesit dhe organizatorët kryesor janë Milje Janakieski, Spiro Ristovski, Trajko Veljanovski dhe të tjerët këtu. Mendoj se janë manipuluar nga Nikolla Gruevski. Këtë e them, pasi që isha çdo ditë në Kuvend dhe e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk besoj se është korrekte vepra e këtillë e rëndë”, tha Zaev në dëshminë e tij.

Zaev, i cili në seancën e sotme ishte i ftuar nga pala mbrojtëse, tha se nuk i kujtohet nëse ai personalisht ka kërkuar kërkesë për vazhdim të seancës konstituive, ose se ka pasur thirrje nga ndonjë deputet që të heqë dorë nga e drejta për fjalë.

Gjykimi u anulua për më 2 dhjetor, pasi që sipas protokolleve, i akuzuari Spiro Ristovski nuk guxon të hyjë në sallë për shkak se ka pasur rritje të temperaturës së trupit.

Ristovski mori pjesë derisa kryeministri Zaev dha deklaratë, ndërkaq pas pauzës i është matur temperatura dhe nuk ka mundur të hyjë në gjykim, kur duhej të dëshmojë deputeti Afrim Gashi.

Rasti ndodhet në procedurën e dëshmive dhe e udhëheq gjykatësi Ilija Trpkov, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është Vilma Ruskovska.

Sipas aktakuzës, pas negociatave të pasuksesshme për formim të Qeverisë nga ana e VMRO-DPMNE-së, pas zgjedhjeve në dhjetor të vitit 2016, ata kanë përgatitur plan me qëllim që të cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit dhe të pengojnë pranim dorëzimin e pushtetit.

Në hetimin e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i dyshuar është edhe ish agjenti Nikolla Boshkoski, por procedura për të është ndërprerë derisa të jenë të qasshëm për organet e rendit, duke pasur parasysh se është arratisur në Greqi.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close