fbpx

Hagë: Mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara mbi vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.

Në komunikatën e Dhomave të Specializuara shtohet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”, njofton REL.

Më 25 gusht, ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

“Duke qenë se amendamentet kushtetuese të propozuara sugjerojnë fshirjen nga neni 162(13) dhe (14) i Kushtetutës, të referencës ndaj Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014, Dhoma thekson se referenca në fjalë saktëson se mandati i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së vazhdon deri në përfundimin e proceseve gjyqësore përkatëse. Rrjedhimisht, fshirja e kësaj reference do të pakësonte të drejtat dhe liritë themelore të personave të përfshirë në procese gjyqësore”, thuhet në aktgjykim.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës lidhur me kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të kësaj gjykate, i jep fund iniciativës së Thaçit.

“Ky vendim i sotëm e mbyll atë çështje”, thotë Hasani, duke shtuar se dërgimi i kërkesës së Thaçit për amendamentimin e Kushtetutës në Kuvend tashmë është i panevojshëm.

“Ata mund të shkojnë politikisht, por juridikisht me këtë është mbyllur çdo gjë sa i takon mandatit. Është sqaruar se ka mandat dhe është ditur ky verdikt”, shton Hasani.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close