Kontesti bullgar përçau krerët shtetëror të RMV, Zaev: Të përballemi me çështjet e historisë, të zhvillojmë kapacitet për falje

Pas intervistës së mbrëmshme për agjencinë bullgare BGNES, e cila nxiti reagime të ashpra në opinionin e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev sot është sqaruar nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook. Ai ka shprehur keqardhje që kjo intervistë nxiti emocione të fuqishme negative, për të cilat, siç tha, është i vetëdijshëm dhe i kupton tërësisht. Por ai është arsyetuar se, ka obligim ndaj qytetarëve maqedonas që të nxit përafrime drejt zgjidhjes së çështjeve që janë hapur me Bullgarinë dhe që janë bërë pengesë për miratimin e kornizës negociuese me Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

“Të dy popujt, edhe maqedonasit edhe bullgarët, duhet të përballemi me ato çështje të historisë dhe të zhvillojmë dhe mbajmë kapacitet për mirëkuptim dhe falje. Popujt evropian u dakorduan që të mos harrojnë, por të falin. Për shkak të ardhmërinë. Për shkak të ardhmërisë së përbashkët në Bashkimin Evropian i cili është shembull se si në emër të ardhmërisë, dallimet më të thella dhe konfliktet historike ia lanë të kaluarës. Ajo është qëllimi im më i mirë dhe atë qëllim do ta përfaqësoj derisa ekziston edhe shansi më i vogël për zgjidhje dhe për sukses të procesit tonë për anëtarësim në BE me fillimin e negociatave. Shtetformimi ynë qëndron në veprat e antifashizmit. Liria jonë është rezultat i antifashizmit”, tha Zaev.

Zoran Zaev, intervista për BGNES

Ai më tej ka shtuar së është e papranueshme që t’i jepen karakteristika etnike fashizmit, pavarësisht nëse ka të bëjë në kontekstin bullgar apo në çfarë do lloj konteksti tjetër.

“Faqet e errëta të historisë ballkanike dhe evropiane nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Ballkanin dhe Evropën. Edhe pse kishte raporte të afërta mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë, pas pjesëmarrjes së armatave bullgare në luftën kundër fashistëve, është fakt se pas vitit 1948 ekzistonte një “perde e hekurt” mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë dhe konflikte serioze politiko-historike rreth “çështjes maqedonase”. Sot duhet të punojmë në eliminimin e pasojave të “perdes së hekurt” që ndjehen akoma mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Historia duhet të na mësojë se mundemi edhe më ndryshe, se mundemi edhe më mirë, se mundemi të bashkëpunojmë, por edhe t’i respektojmë mes vete dallimet mes nesh”, ka shkruar Zaev.

Kryeministri Zaev, në këtë intervistë, e cila u publikua dje, bëri një sërë deklaratash që u pritëm me reagime negative në vend. Mes tjerash, ai tha se bullgarët nuk janë fashistë, por miqtë tanë, se gjatë Luftës së Dytë Botërore bullgarët ishin administratorë në fillim, por më pas u bashkuan me frontin antifashist dhe ushtritë bullgare dhe maqedonase së bashku çliruan Kriva Pallankën, Kumanovën dhe Shkupin, më tutje u shpreh se politikanët nga ish Jugosllavia i mbajtën bullgarët dhe maqedonasit të ndarë.

Gjithashtu, kryeministri Zaev, në këtë intervistë, është pyetur edhe rreth deklaratës së presidentit Pendarovski i cili së fundmi ka kritikuar ashpër politikanët bullgar në pushtet, duke thënë se akoma nuk kanë dalë nga matrica e komunizmit dhe Todor Zhivkovit (kryetar i Republikës Popullore të Bullgarisë 1971–89), i cili sipas Pendarovskit, është themelues i pozicioneve se nuk ekziston populli dhe gjuha maqedonase. Zaev duke komentuar këtë deklaratë, është përgjigjur se Pendarovski nuk është politikan me përvojë.

“Besoni se edhe presidenti Pendarovski është mik i Bullgarisë. Nuk është politikan me shumë përvojë, siç është Zoran Zaev. Ka punuar me politikan tanë siç është Boris Trajkovski dhe Branko Crvenskovski, ka qenë koordinator nacional për NATO në qeverinë time, ai është socialist serioz dhe tërësisht i përkushtuar në miqësinë e fqinjëve tanë edhe me Bullgarinë dhe kuptohet, në integrimin tonë në NATO dhe BE. Ndonjëherë besoj se edhe unë, jo vetëm ai, nuk jemi mjaftueshëm të kujdesshëm me përdorimin e fjalëve. Ua them hapur se, në shpirtin dhe mendjen e tij është dëshira e plotë dhe ëndrra për miqësi të madhe, të cilin e kemi, por duhet ta ndërtojmë edhe më shumë dhe ai është përkrahës i madh i marrëveshjes me Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, deklaroi Zaev.

Ndërkohë, presidenti Stevo Pendarovski, në një intervistë të dhënë për DW, ka komentuar rreth këtyre qëndrimieve të kryeministrit, duke thënë se kontesti maqedono – bullgar mund të zgjidhet vetëm nëse respektohet në mënyrë të duhur dinjiteti edhe i popullit maqedonas edhe i popullit bullgar dhe me shmangien e grackës së rrezikshme të rishikimit të historisë kur ai në vend të fakteve, është i bazuar në konstruksione politike.

“Kam parë intervistën e kryeministrit dhe kam lexuar reagimet e opinionit maqedonas dhe në një pjesë të komenteve, fatkeqësisht, ishte prezentë dilema nëse kreu shtetëror ka qasje të unifikuar në lidhje me çështjen vitale nacionale. Për zgjidhjen e kontesteve me peshë strategjike, nevojiten dy parakushte: të ekzistojë vullnet politike që ndonjëherë nënkupton edhe guxim politike të vini deri te konsensusi i cili ndonjëherë nuk ua rrit rejtingun dhe e dyta, t’u përmbaheni fakteve historike që janë të verifikuara në nivel ndërkombëtar dhe t’i përmbaheni realitetit politik i cili është i dukshëm”, deklaroi presidenti.

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

Ai shtoi se, opinioni ynë e di se ai është politikani i parë maqedonas në histori i cili ka ofruar publikisht diskurs më të gjerë politik në lidhje me njërin ndër apostujt më të mëdhenj të lëvizjes maqedonase revolucionare. Po ashtu, ai foli edhe për komentet që u bënë rreth tij në intervistën e kryeministrit Zaev.

“Megjithatë nuk shkova më tej, sepse ajo është punë e komisionit të përbërë prej historianëve, më se pakti punë e politikanëve. Me kryeministrin Zaev në shumë raste kemi biseduar për këtë temë dhe asnjëherë nuk kemi pasur kontest se disa personalitetet dhe ngjarje mund të nderohen nga të dyja palët, por se populli maqedonas ka histori të tij të posaçëm, ashtu siç populli bullgar ka historinë e vet. Po ashtu, në të gjitha paraqitjet e mia publike, them publikisht se lufta antifashiste është në themelet e shtetit bashkëkohor maqedonas, ndërsa në atë luftë kemi luftuar kundër atyre që kanë qenë në anën e fashistëve. Përvoja ime 20 vjeçare në politikat ndërkombëtare më mundëson për të matur fjalët dhe qëndrimet në mënyrë precize, të cilat i them kur flas me bashkëbiseduesit bullgar dhe me miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Pendarovski.

Kujtojmë se, Bullgaria bllokon fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të kontesteve historike mes dy vendeve.  Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt më 17 nëntor, nuk u miratua korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut pasi Bullgari i vendosi veto, kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgaree dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button