fbpx

“e-Shoqëri.mk”, rikthimi i besueshmërisë së qytetarëve te mediat arrihet vetëm me gazetari profesionale

Për ta rikthyer besueshmërinë e humbur të qytetarëve te mediat duhet arsimim apo edukim, mediumet duhet të jenë profesionale, transparente, t’u kthehen parimeve bazë të gazetarisë, të ketë cilësi para shpejtësisë, por edhe të rilidhen me publikun që të punojnë në interes të tyre. Kjo mes tjerash u tha në panel-diskutimin “Roli i gazetarisë si ruajtëse e interesit publik drejt qeverisjes së mire”, në konferencën e 16-të ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, në organizim të Fondacionit për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, njofton Portalb.mk.

“Problem më i madh i gazetarisë është besueshmëria, publiku nuk na beson, ka shumë arsye pse është ashtu, ka lidhje me Twitter, politikën, por çështja më e rëndësishme është besueshmëria mes gazetarisë dhe publikut. Ka shumë mënyra që kjo të përmirësohet, para se gjithash gazetari duhet që të punojë më mirë, ta ndihmojë publikun që të kuptojë se si ne punojmë, si i tregojmë storjet. Arsimimi është fillimi i kuptimit dhe komunikimi është çelësi drejt asaj, atë që e bëjmë në shkollën tonë dhe kudo qoftë është që tërë kohën mundohemi të edukojmë. Tërë kohën i mësojmë bazat e mbledhjes së fakteve, shkrim dhe tregim, kërkim të karaktereve qendrore që të na ndihmojë që t’i kuptojmë çështjet e komplikuara siç është pandemia COVID-19, derisa e bëjmë këtë, mundohemi që t’i tregojmë publikut se si e bëjmë punën tonë. Më shumë do të na besojë publikuar kur t’u tregojmë se si punojmë”, tha Bill Silcock, ndihmës dekan i Programeve Ndërkombëtare, Shkolla e Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv “Walter Cronkite” në Universitetin Shtetëror të Arizonës, i cili foli për sfidat në edukimin për gazetari – si të rritet numri i gazetarëve të rinj profesionistë (TBC).

Sipas tij, gazetarët duhet që të shkruajnë që t’i ndihmojnë shoqërisë, por edhe të jenë në kontakt me publikun.

“Gazetarët janë mjeshtërit e njerëzve, ata janë mësuesit fondamental. Shpesh nuk kemi dashur direkt të angazhohemi me publikun, ne dëshironim të shkruajmë që më shumë të lexohet, por në një moment ajo u bë gabim – ne duhej vetëm të shkruajmë që t’i ndihmojmë shoqërisë në mënyra të rëndësishme dhe t’u japim qytetarëve mjete që të marrin vendime. Interneti, veçmas rrjetet sociale na mësuan se duhet që të jemi në kontakt me publikun. Nuk ka asgjë të keqe që të bisedohet me publikun, ose publiku të bisedojë me ne”, shtoi Silcock.

Nikos S. Panagiotou, profesor në Shkollën e Gazetarisë dhe Komunikim Masiv, në Universitetin Aristotel të Selanikut, foli për sfidat në studimin e gazetarisë – rezistencën e gazetarëve të rinj ndaj fushatave të dezinformatave. Për t’u ngritur besueshmëria, ai propozon që mediat të jenë transparente dhe të rilidhen me publikun.

“Gazetarët gjenden në udhëkryq, ajo rrezikon të jetë e detyruar që të tërhiqet. Diskreditimi i gazetarëve ka hapur rrugë për ta humbur besueshmërinë tek ata. Opinioni kur e humb besimin, atëherë kërkon burime tjera të informatave. Kjo ndodh për shkak të njerëzve që duan t’i korruptojnë. Që të ngritët besueshmëria duhet që mediat të jenë të hapura dhe transparente, të rilidhen me publikun, pasi që në të kundërtën qytetarët do të kërkojnë burime tjera të informatave”, tha Panagiotou.

Ai tha se duhet që të gjenden modele të reja të gazetarisë, pasi që rrethanat kanë ndryshuar.

“Duhet të ndryshohet modeli gazetaresk – duhet të shkohet nga varësia drejt përmbajtjeve të caktuara promovuese, apo të shkohet në parapagim, ose model të përzier. Modeli që paraprakisht ka qenë me reklama nuk funksionon. Tani po shfrytëzojmë model të viteve të 40-ta të gazetarisë, nuk mund të mbështetemi në këtë model, për shkak se tani jemi 2020 dhe tani jemi në mjedis të ri dhe nuk mund të vazhdojmë të mendojmë se mediat masive e krijojnë mendimin publik, kemi më shumë publik të segmentuar dhe nëse gazetarët e rinjtë nuk e kuptojnë ndryshimin esencial nuk do të munden të komunikojnë mjaftueshëm mirë dhe të udhëheqin fushatën kundër lajmeve të rrejshme”, shtoi Panagiotout.

Filip Noubel, redaktor menaxhues në Global Voices, foli për rëndësinë e redaksisë digjitale. Siç tha ai, sot është më shumë se kurrë i nevojshëm modeli i redaksisë digjitale.

“Si autor, redaksia digjitale ju jep më shumë zgjedhje, lehtë e qasshme, u jep dukshmëri. Kjo u jep mbështetje, pasi që rasti juaj shkon ndërkombëtarisht mund të lexohet, por ka edhe aspektin negativ që është kontrolli dhe gjuha e urrejtjes që shumë shpejtë ndodh në hapësirën digjitale”, tha Noubel, duke shtuar se megjithatë nuk duhet që të lëshohet ideja për meinstrim mediat, por të bëhen lajme të mira në rrjetet sociale.

Këtë model ai e propozoi edhe për mbijetesën e mediave, pasi që sipas tij ka krizë të modelit aktual të financimit të mediave nëpërmjet reklamave.

Drejtori për Partneritete dhe Zhvillimin e Burimeve në Fondacionin Metamorfozis, Filip Stojanovski foli për mendimin kritik dhe verifikimin e fakteve si mjete thelbësore të gazetarisë dhe ndau përvoja nga projekti aktual për mendim kritik ndaj mediave “Krithink”.

“Gjatë kohës së punës sonë ne erdhëm në përfundim se për t’u përballur me dezinformatat duhet që të kemi një sinergji mes faktorëve të ndryshëm të cilët fokusohen në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve online dhe duhet që t’i marrim parasysh mjediset dhe ndryshimet që ndodhin, veçmas për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe mënyrave të reja të mendimit. Ne kemi zhvilluar model të gazetarisë klasike – tradicionale me qasje të reja të cilat janë integrale për civilizimet tona që nga fillimi i gazetarisë apo fjalës së shkruar”, tha Stojanovski.

Ai tregoi shembull fushatën dezinformuese për aplikacionin StopKorona.

“Prej analizave shohim që shumë prej dezinformatave që shpërndahen në Maqedoninë e Veriut, kopjohen e transmetohen nga vende tjera, ose dërgohen në vende të tjera. Do të tregoj një rast të dezinformimit. Qeveria në prill bëri një aplikacion që t’u ndihmojë njerëzve që nëse infektohen me KOVID ta njoftojë opinionin, me qëllim që të tjerët të jenë në dijeni se personi në fjalë është i infektuar. Kundër aplikacionit Stop Korona, mediat e financuara prej jashtë në mënyrë jotransparente kanë bërë fushatë për të rritur mosbesueshmëri ndaj këtij aplikacioni. Ata propagandandonin se aplikacioni shfrytëzon fotografi dhe video, dhe madje se i përgjon shfrytëzuesit. Kjo ka ndikuar në ndalimin e rritjes së përdoruesve të aplikacionit”, tha Stojanovski.

Moderator i panelit ishte, Goran Rizaov, menaxher i Programit Mediat për Demokraci në Fondacionin Metamorfozis.

Ndryshe sot është dita e dytë e konferencës e-Shoqëri.mk. Për shkak pandemisë COVID-19, konferenca mbahet tërësisht online.

Nga dita e parë e konferencës e-Shoqëri.mk:

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close