Zaev: Bullgaria nuk është fashiste, pushtetet ish-Jugosllave na mbajtën të ndarë

Më shumë se 20 tabela janë ndryshuar në Maqedoni, në të cilat shkruante “okupator fashist bullgar” dhe se bullgarët nuk janë fashistë, por miqtë tanë, deklaroi Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë me agjencinë bullgare “BGNES”. Zaev tha se gjatë Luftës së Dytë Botërore bullgarët ishin administratorë në fillim, por më pas u bashkuan me frontin antifashist dhe ushtritë bullgare dhe maqedonase së bashku çliruan Kriva Pallankën, Kumanovën dhe Shkupin, transmeton Portalb.mk.

“Kishte një administratë në atë moment, në fillim. Pastaj Bullgaria u ngrit së bashku me antifashizmin, luftoi për liri, për demokraci dhe është padiskutim pjesë e frontit antifashist. Ushtritë bullgare dhe maqedonase çliruan territore – Kriva Pallankën, gjithë rajonin e Kumanovës, Shkupin. Dhe kjo është një pjesë e bukur e historisë sonë”, tha Zaev në intervistë.

Kreu i qeverisë së Maqedonisë, tutje u shpreh se politikanët nga ish Jugosllavia i mbajtën bullgarët dhe maqedonasit të ndarë.

“Është detyrim i gjithë qytetarëve, kurse mbi të gjithë i ne politikanëve, t’i afrojmë popujt tanë më afër, sepse ata u mbajtën larg njëri-tjetrit për shumë vite, nga qeveri të ndryshme, veçanërisht në kohën e ish-Jugosllavisë. Por duhet të jemi së bashku, sepse jemi fqinjët e parë. E dini, unë jam nga Strumica. Njerëzit nga Petriçani dhe Strumica flasin të njëjtën gjuhë, jemi kaq të afërt. A është gjuhë maqedonase apo bullgare?”, pyeti Zaev dhe përsëriti se Jugosllavia na kishte ndarë.

Ndryshe, Sofja zyrtare kohëve të fundit vazhdimisht paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve, derisa më 17 nëntor ajo vendosi veton e shumë-paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button