RMV, u ndërpre dasma dhe u arrestua pronari i lokalit ku u organizua dasma

Pronari 30 vjeçar i restorantit është arrestuar sot, pasi ka lejuar në lokalin e tij të organizohet një festë familjare me 25 persona , transmeton Portalb.mk.

“Punonjësit policore nga SPB-Tetovë-reparti për punë të brendshme Gostivar, sot rreth orës 16 kanë privuar nga liria 30 vjeçarin A.D. nga Negotina, Gostivar, pasi në objektin e tij hoteleri në Negotinë është organizuar festë familjare”, raportojnë nga policia.

Dasma ishte ndërprerë menjëherë, ndërsa Inspektorati shtetëror i tregut i ka mbyllur lokalin. Policia sqaroi se ndaj tij do të ngritet kallëzim për vepër penale “mosveprim sipas rregullave shëndetësore në kohë të epidemisë”, bazuar në nenin 206 nga Kodi Penal.

Dje, Prokuroria Themelore Publike – Shkup propozoi dhënien e gjobave me nga 2,000 euro kundër tre personave fizikë dhe 5,000 euro kundër një personi juridik për organizimin e ahengjeve masive në Shkup. Dy të akuzuarit e parë, baba dhe birë nga Shkupi, më 13 shtator në oborrin e shtëpisë organizuan një tubim privat – fejesë, në të cilin morën pjesë 30 të ftuar.

Pak ditë më parë, në fshatin Zdunje të Gostivarit policia ka ndërprerë një festë familjare me 70 pjesëmarrës për shkak se janë shkelur protokollet e miratuara për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Këtë muaj Ministria e punëve të brendshme (MPB) raportoi se është arrestuar një 46 vjeçar, pasi lokali i tij nuk ka respektuar masat kufizuese për parandalimin e virusit korona. Raste të tilla ka pasur edhe në vende të tjera, si Dobërdoll, në Gllumovë dhe Haraçinë.

Në kuadër të pakos së katërt të masave ekonomike për trajtimin e krizës së koronavirusit, do të ndahen grante për agjencitë turistike, restorantet e dasmave dhe këndet e lojërave. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, prezantoi sot pesë masat për mbështetjen e sektorit të turizmit dhe hotelierisë, me vlerë 7.5 milion euro. Me rebalancin e buxhetit 2020, i cili po debatohet në Parlament, restorantet e dasmave do të marrin ndihmë financiare të pakthyeshme nga shteti në shumën prej një milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button