fbpx

Si duhet ta stimulojë shteti ekonominë në kushte krize?

Sergej Zafiroski 200x250
Sergej Zafiroski

Kriza mund të jetë më shumë një shans sesa kërcënim nëse menaxhohet si duhet.

Kriza shëndetësore e shkaktuar nga COVID-19 do të jetë padyshim më e madhja që kemi përjetuar gjatë jetës sonë. Nga ana tjetër, kriza ekonomike e shkaktuar nga i njëjti virus do të jetë më shkatërruesja në shekullin e fundit. Ekonomitë mbështeten në pafundësinë e rritjes ekonomike nxitësi kryesor i së cilës është inkurajimi i konsumizmit dhe shoqërisë së konsumit si filozofia që qëndron pas kësaj rritjeje. Çdo prishje e këtij trendi mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe funksionimin normal të saj.

Kriza aktuale është specifike në disa aspekte. Të gjitha të mëparshmet, si pas Luftës së Dytë Botërore ose Depresionit të Madh në fund të viteve 1920, ishin ose në anën e ofertës ose në anën e kërkesës, por pothuajse kurrë në të dy anët. Në situata të tilla, shteti ka këqyrje se në çfarë drejtim duhet t’i çojë masat. Nëse kriza është në njërën apo tjetrën anë, shteti ul normat e interesit, taksat ose shpenzimet publike me çka stimulohet investimi dhe funksionimi i kompanive ose konsumi te qytetarët.

Specifikimi i parë është se kriza aktuale është në të dy anët, si e ofertës ashtu edhe e kërkesës. Ekziston ofertë, por qytetarët nuk i shpenzojnë mjetet sepse i “mbajnë” për t’i pasur gjatë krizës, ndërsa kompanitë nuk investojnë sepse nuk kanë shitje ose goditjet në ofertë (pamundësi për t’i dorëzuar sasitë) ndikojnë në uljen e kërkesës. Specifikimi i dytë është se kufizimi i lëvizjes, kufizimet në numrin e njerëzve në një hapësirë të caktuar, ndryshimi i mënyrës së sjelljes në pothuajse çdo aspekt të veprimit, ndikon drejtpërdrejt në bizneset sepse kufizon kapacitetin e tyre dhe kështu mundësinë e realizimit të të ardhurave. E treta është se shtetet nuk dinë si t’i përgjigjen kësaj lloj krize, pasi nuk kanë përvojë të mëparshme në menaxhimin e situatave të njëjta ose të ngjashme (përfshirë pandeminë e Gripit Spanjoll në fillim të shekullit 20).

Reagimi i shtetit

“Injeksioni” i një shume të madhe parash në ekonomi nga shteti si te kompanitë ashtu dhe te qytetarët është me “shpresën” se nga njëra anë do të stimulohet konsumi, por nga ana tjetër kompanitë do të vazhdojnë me funksionimin normal dhe ekzekutimin e aktiviteteve aktuale. Edhe pse nën presion nga publiku dhe kompanitë, shteti po përpiqet t’i përmbushë pritjet dhe të sigurojë mbështetjen e nevojshme, por është e paqartë çfarë pas krizës? Borxhi publik i Maqedonisë vitin e kaluar është rritur nga 5.5 miliardë në 6.5 miliardë euro (60.7 përqind e BPV-së), kryesisht si rezultat i ndihmës për të kapërcyer krizën. Vlera totale e paketave të ndihmës ekonomike (4 paketa masash deri në fund të vitit 2020) është afërsisht 1 miliard euro.

Meqenëse masat sigurojnë gjithashtu ndihmë për persona fizik, veçanërisht ata që janë pjesë e kategorive të cenueshme shoqërore dhe që duhet të ndihmohen, propozimi është i drejtuar nga paketat për kompanitë. Paratë e vëna në qarkullim, pa rritur prodhimin ose produktivitetin potencialisht mund të shkaktojë inflacion i cili do të ketë potencialin të jetë më negativ sesa kriza fillestare që po të njëjtat para kishin për qëllim ta parandalonin. Në rastin e ekonomisë së Maqedonaisë, fondet sigurohen nga huazime shtesë nga kreditorë vendas dhe të huaj të cilët do të duhet t’i shlyejnë me kamatë shtesë. Si pasojë, paratë e dhëna aktualisht për të ndihmuar kompanitë dhe qytetarët, do të duhet t’i kthehen shtetit, sepse vetë shteti do të duhet t’i kthejë ato. Shkurtimisht, shteti do të “shpëtojë” biznesin (dhe qytetarët) në afat të shkurtër dhe në planin afatgjatë qytetarët dhe biznesi do ta “shpëtojnë” shtetin.

Çfarë do të thotë huazim për ekonominë?

Le të japim një shembull edhe më të thjeshtë. Nëse një kompani merr një hua me 4% kamatë, mjetet e përdorura duhet të kontribuojnë në rritjen minimale të kompanisë aq sa është principali plus 4% kamatë që investimi të ketë njëfarë logjikë. Përndryshe, kompania do të duhet të lërë mënjanë nga fondet e deriatëhershme për ta shlyer të njëjtën hua që e sjell atë në një krizë të re financiare që është më e madhe se gjatë kohës para marrjes së mjeteve. Pra, kompania duhet të marrë hua për aktivitete investuese që do të kontribuojnë në rritjen e të ardhurave dhe financimin e borxhit. Një situatë kur një kompani merr para për të “mbuluar” pagat e punonjësve, por nga ana tjetër nuk ka ndonjë kapacitet shtesë prodhimi që do ta sillte kompaninë në një zero pozitive, ajo thjesht do t’i shpenzojë paratë dhe përsëri do të jetë problem për t’i paguar pagat dhe shpenzimet normale. Huamarrja pa e rritur produktivitetin ose prodhimin vetëm vonon falimentimin e kompanisë. Mënyra e vetme e mundshme, nëse fondet shpenzohen në mënyrë joproduktive që kompania të mbijetojë, është ulja e kostove të brendshme për financim të borxhit.

Virusi korona, Shkup, kafene, restorant, restaurant, kafiteri

Në rastin e ngarkimit me borxh të ekonomisë së Maqedonisë, e cila ka për qëllim të ruajë situatën aktuale (si të ngarkoheni me borxh për t’i mbuluar pagat e punonjësve nëse keni kompani dhe nuk keni të ardhura ose shitje), kjo tregon drejtpërdrejt se paratë do të duhet tu kthehen në një mënyrë kreditorëve, dhe kthimi do të bëhet nga qytetarët dhe kompanitë. Atëherë si mund të bëhet financimi në mënyrë për të siguruar rritjen e ardhshme, pa e rrënuar ndjeshëm të gjithë ekonominë dhe në të njëjtën kohë të arrihet rritja e konsumit në periudhën afatshkurtër? Të menduarit duhet të jetë në drejtimin që paratë të kontribuojnë për të gjeneruar edhe më shumë para në të ardhmen për shtetin, pa rrënim të ndjeshëm të ekosistemit të biznesit. Disa nga masat synojnë kompanitë e orientuara drejt eksportit, që ka për qëllim stimulimin e rritjes në kohë krize, por një pjesë janë të orientuar në industri ku ka gjasa që ato të mos kthehen kurrë në situatën si para krizës. Duhet pasur parasysh se i gjithë financimi nuk bëhet barë e askujt përveç kompanive dhe qytetarëve, sepse në fund të fundit paratë e dhëna në formën e ndihmës janë taksat e mbledhura.

Shteti në një situatë ku do të duhet të kthejë paratë nuk do të ketë shumë alternativa. E para është rritja e taksave që do t’i paguajnë qytetarët dhe kompanitë dhe kështu t’i “mbulojë” borxhet që janë krijuar për të zvogëluar efektet e krizës, me optimizim paralel të shpenzimeve qeveritare.

E dyta, e cila sipas autorit është më e përshtatshme por edhe shumë më “e dhimbshme” për një periudhë afatshkurtër, përfshin analizën e segmenteve industriale dhe stimulimin e atyre që në të ardhmen do të sillnin më shumë burime financiare, përfitime për ekonominë dhe kanë vlerë të shtuar të lartë. Kjo do të ripërcaktojë industritë “strategjike” të vendit dhe do të mbështesë industritë inovative dhe relativisht rezistente ndaj krizave. Alternativa është më komplekse sepse supozon ngecjen (ose më pak mbështetje financiare) e segmenteve që nuk janë aq rezistente ndaj kësaj lloj krize. Mbështetja e industrive inovative dhe atyre me vlerë të lartë të shtuar është një mundësi që shteti e ka realisht në dispozicion. Kjo do të nxisë ndjeshëm konsumin privat dhe do të mundësojë rritje adekuate të të gjithë ekonomisë.

Duke ndjekur situatën në një nivel global dhe lokal, një alternativë e tretë (hibride) që është kombinim i dy të mëparshmeve është më optimalja. Rritja e taksave është e pashmangshme (ose baza tatimore) për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për t’i amortizuar dhe financuar të gjitha kostot, për t’i optimizuar kostot e shtetit por edhe për të investuar në industri inovative. Një kombinim i tillë sigurisht që do të inkurajojë konsumin privat nga njëra anë, por nga ana tjetër do të parandalojë rrënimin e funksionimit të shtetit.

Ku të drejtohet ndihma shtetërore?

Edhe pse tingëllon mjaft radikale për momentin, kriza e shkaktuar nga COVID-19 mund të jetë më shumë një shans sesa një kërcënim nëse kanalizohet dhe strukturohet siç duhet. Po, në planin afatshkurtër shumë kompani do të dalin nga biznesi, disa prej tyre me cilësi dhe një të ardhme premtuese dhe do të zvogëlohen të ardhurat në thesarin e shtetit. Mbështetje për kompanitë që sipas natyrës së gjërave do të duhej të mbylleshin, por marrin fonde gjatë krizës do të jetë një problem shumë më i madh sesa vetë problemi fillestar që duhet të zgjidhet. Kompanitë në ato sektorë kanë në dispozicion tre alternativa: të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit për të qenë më të qëndrueshëm (të tilla si restorantet që futën shpërndarjen e ushqimit), të ndryshojnë segmentin e funksionimit ose të mbyllen.

Situata dhe kriza duhet të përdoren për orientimin e mjeteve në sektorë ku pagat e punonjësve kanë pjesë të lartë në strukturën e përgjithshme të kostos.. Është gabim të mendohet se nuk duhet ndihmuar të gjithë sektorët e prekur, por ndihma indirekte përmes industrive që kanë vlerë më të madhe për ekonominë është shumë më mbështetëse. Si shembull, punonjësit e IT (të cilat janë më të lartat në vend) do t’i shpenzojë përsëri në ndërmarrjet vendase dhe do të kontribuojë në zhvillimin e disa segmenteve duke përfshirë më të prekurit si turizmi dhe hotelieria. Një pagë nga një programues i punësuar e shpenzuar në restorantet lokale do të sigurojë dy paga mesatare për punonjësit në vetë restorantet. Mbështetja për industritë që aktualisht janë të kufizuara vetëm në kufijtë e brendshëm (dhe kërkesë të brendshme), pa potencial për eksport, me paga mesatare të ulëta ose rritje të ulët të sektorit, përpara se të mbështeten ato që mund të stimulojnë me të vërtetë ekonominë, vetëm sa do ta thellojnë gropën financiare.

Sipas një sondazhi të fundit nga agjensia Insider ID (“Hartëzimi i industrisë së TIK në Maqedoni 2020“) Sektori i IT posedon me atë “të nevojshmen” për të sjellë prosperitet në ekonomi edhe në kohë krize. Sipas simulimit, 1 milion euro të ardhura shtesë në ndërmarrjet IT do të kontribuojnë në krijimin e 31 vendeve të reja të punës, për të cilat 476,000 euro do të ndahen në formën e pagave dhe kontributeve ndërsa shteti do të mbledhë 176,000 euro në formën e tatimeve. Në krahasim, në “Tregtia me pajisjet e TIK” i njëjti 1 milion do të sigurojë 12 vende pune me një pagë totale prej 88,000 euro dhe 36,000 euro tatime. Shumica e industrive kanë të njëjtën performancë si segmenti për tregëti me pajisjet e TIK.

A duhet shteti të përqendrohet në shpëtimin e industrive që edhe ashtu kanë performancë të ulët, apo të përdorë situatën që t’i ridrejtojë fondet në sektorë që, edhe në një krizë, mund të performojnë mirë dhe të kenë mundësinë për rritje në të ardhmen? Industritë mbështetëse ku pagat janë të larta, kanë potencial të lartë eksporti dhe rritja është thelbësore për kapërcimin në mënyrë efektive të krizës.

Burimi: Respublica

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close