Mediapool: Nuk ka sinjale pozitive në Sofje për arritjen e një marrëveshje siç thotë Zaev

Portali bullgar “Mediapool” në një artikull të publikuar mbrëmë shkruan se nuk ka asnjë përparim në negociatat me Bullgarinë. Portali, duke u thirrur në burime diplomatike, shkruan se vështirë se do të ketë vendim pozitive në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, më 8 dhjetor. Para dy ditësh, kryeministri, Zoran Zaev deklaroi se “Sofja dhe Bullgaria nuk janë larg nga arritja e marrëveshjes”, por deri më tani nuk ka sinjale të tilla në Bullgari, shkruan ky medium, transmeton Portalb.mk.

Më tej, në tekstin e titulluar “A është afër marrëveshja mes Sofjes dhe Shkupit dhe ku do të drejtohet presioni evropian”, thuhet se për mosmarrëveshjen me Bullgarinë, Zaev merr mbështetjen edhe të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Sofja pret që Berlini, kryesimi i së cilës me presidencën e BE-së skadon në fund të vitit, të bëj presion dhe KE t’i pranojë kërkesat bullgare, sepse deri më tani pritjet evropiane kanë qenë të drejtuara vetëm drejt Bullgarisë, që ka sjell deri aty që maqedonasit të refuzojnë të negociojnë, kështu që bisedimet janë në qorr – sokak”, shkruan Mediapool.

Ky medium transmeton edhe deklaratën e profesorit në universitetin në Graz, Florian Bieber, i cili e problematizon pozicionin bullgar. Po ashtu, edhe në deklaratën e bashkëkryesuesit të komisionit nga pala maqedonase, Dragi Gjorgjiev, thuhet se kërkesat bullgare janë absolutisht të papranishme.

Vetoja bullgare për negociatat e Maqedonisë me BE-në ka marrë mbështetje të madhe mes qytetarëve bullgar dhe rishikimi i atij pozicioni bëhet gjithnjë e më i vështirë nga këndvështrimi politik, shkruan ky medium.

Kryeministri Zoran Zaev, të hënën në mbrëmje gjatë një interviste, paralajmëroi se vendi nuk është larg marrëveshjes me Bullgarinë. Ai tha se nuk bisedohet për lëshime, por për zgjidhje mes dy palëve.

“Ekzistojnë mënyra se si të zgjidhet ajo. Kuptohet, edhe njëherë potencoj, më vjen mirë që Bullgaria e pranon gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas si realitet i yni, ndërsa besoj se përmes këtyre formulimeve do të gjenden edhe zgjidhje sepse ekzistojnë zgjidhje, kuptohet duhet u kujdesur njëri për tjetrin si palë në marrëveshje – ne për palën bullgare, ndërsa pala bullgare të kujdeset për ne. Këtë e bëjnë miqtë dhe besoj se tregojmë edhe njëherë se jemi miq të mirë”, theksoi Zaev duke shtuar se shpreson se do të takohet me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov në këshillin e dytë të ministrave në dhjetor.

Ndërkohë, Borisov deklaroi ara ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së se e shtrin dorën e dialogut.

“Bullgaria çdoherë ka qenë e gatshme për dialog dhe mirëkuptim për zgjidhjen e çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut, por ajo duhet të dëshirohet dhe të zbatohet nga të dyja palët”, tha Borisov.

Bullgaria bllokon fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të kontesteve historike mes dy vendeve.  Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt më 17 nëntor, nuk u miratua korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut pasi Bullgari i vendosi veto, kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Sofja zyrtare kërkon respektimin e formulës për gjuhën nga viti 1999 dhe të konfirmuar me marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë, udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017, tekst shumë të qartë, në të cilin do të theksohet se Maqedonia nuk ka pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Shteti fqinj kërkon që këto kushte të përfshihen në kornizën negociuese.

Po ashtu, Bullgaria kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgaree dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Por, Shkupi zyrtar ka bërë të qartë disa herë se nuk do të bëjnë lëshime sa i përket gjuhës dhe identitetit maqedonas dhe se nuk do të negociojnë sa i përket kësaj çështje. Megjithatë, zyrtarët e shtetit kanë shprehur në vazhdimësi optimizëm se kontesti mund të tejkalohet dhe vendi mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button