RMV, tatim tre herë më i lartë do të paguhet për banesë ose shtëpi të dytë të pabanuar, si dhe për objekte afariste jofunksionale

Tatimi i pronës duhet të jetë tre herë më i lartë në përputhje me hapësirën që përdoret, për një banesë ose shtëpi të dytë që është e pabanuar ose për një hapësirë ​​biznesi që nuk përdoret. Kështu deklaroi Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën maqedonase, duke theksuar se së shpejti do të hapet një debat mbi ndryshimet në Ligjin për tatimet mbi pronën, njofton Portalb.mk.

Sipas Zaevit, ideja është që me ligjin të rritet në mënyrë drastike tatimi i pronës për të gjithë ata që kanë pronë të patundshme dhe nuk e përdorin atë, duke përfshirë tokën bujqësore si dhe pronën shtetërore.

“Në të vendosim tatim tre herë më të lartë të pronës për të gjithë ata që kanë një banesë të dytë, shtëpi të tretë, lokale afariste, gjithçka që nuk përdoret, kryesisht nga shteti”, tha Zaev.

Ai theksoi se ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë edhe për personat fizik edhe për ata juridik, të cilët posedojnë pronë që nuk është funksionale.

“Për shembull, ne kemi vendpushime për fëmijë që janë të papërdorura. Në një rast të tillë, shteti do t’i paguajë  tre herë tatim më të lartë komunës në të cilën ndodhen. Nëse jo, le ta shesë ose le ta japë me qira dhe ta verë në funskion”, tha Zaev në intervistë.

Që nga 1 korriku 2005, me procesin e decentralizimit, kompetenca mbi tatimin e pronës nga Drejtoria e të Ardhurave Publike u kaloi njësive të vetëqeverisjes lokale. Sipas Ligjit për taksat e pronës, shkalla është proporcionale dhe shkon nga 0,1 në 0,2 përqind të vlerës së tyre të tregut, por me atë që taksa ulet me 50 përqind për banesën apo shtëpinë në të cilën jetoni.

Sipas vendimeve për tatimin e pronës për vitin 2020 dërguar nga Qyteti i Shkupit, është përcaktuar shkalla më e ulët e taksës prej 0,1 përqind dhe është e vlefshme për një banesë apo shtëpi, në të cilën nuk jeton askush, kurse shkalla është zvogëluar për 50 përqind dhe është 0,05 përqind e vlerës së tregut të banesës ose shtëpisë në të cilën jetohet.

Nga ana tjetër, vlera e tregut përcaktohet sipas Metodologjisë për përcaktimin e vlerës së tregut të pasurive të patundshme. Ose, sipas një shembulli konkret, sipas vendimit të Qytetit të Shkupit: tatimi i pronës në banesën në të cilën jetohet e që ndodhet në Kisella Vodë dhe që është 59 metra katrorë në një ndërtesë të vitit 1965, sillet rreth 1,276 denarë, kurse tatimi për apartamentin në të cilin nuk jetohet, ndërsa është 30 metra katrorë, në të njëjtën lagje, e ndërtuar në vitin 1963, është 1,305 denarë.

Kjo është ide e kahershme e LSDM-së, së bashku me idenë e tatimit progresiv mbi të ardhurat, për të cilën madje u miratua një ligj në kohën e ministrit Dragan Tevdovski, në mënyrë që menjëherë pas zëvendësimit të tij me ministren e atëhershëm të Financave Nina Angelovska, ligji u vu në pushim për tre vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button