Çmimet e para për vaksinat kundër Kovid-19 filluan të dalin, derisa Austria planifikon të fillojë vaksinimin nga janari

Shtete të ndryshme në Evropë dhe jashtë saj tashmë kanë filluar të planifikojnë se kur do të fillojnë vaksinimin kundër Kovid-19, derisa kanë filluar të dalin edhe karakteristikat dhe çmimet e vaksinave që janë në zhvillim, transmeton Portalb.mk.

Një planifikim i tillë, ka nxitur shtetet e ndryshme që të planifikojnë ndarje të buxhetit të shtetit për furnizim me vaksina, duke përcaktuar sasitë e nevojshme, pavarësisht se çmimi akoma nuk është publikuar zyrtarisht nga ndonjë kompani.

Vaksina ruse Sputnik V, e prezantuar nga peridentit Vladimir Putin me efekt prej 92%, raportohet nga REL, se do të vlejë më pak se 20 dollarë për dy dozat e nevojshme për një person, derisa në Rusi do të jetë falas. Rusia theksoi se mund të përgatiten për vitin e ardhshme një miliard vaksina për 500 milionë njerëz.

Raportohet se vaksina e Pfizer pritet të kushtojë më shumë se 18-të dollar, derisa ajo e Astra Zeneca 3 dollarë.

Derisa akoma nuk janë caktuar çmimet e vaksinës, Austria ka planifikuar që prej janarit të fillojë me vaksinim. REL raportoi se ky shtet do të furnizohet me 16 milionë doza përmes BE-së, derisa ministri austriak i shëndetësisë, Rudolf Anschober, planifikon që të vaksinohen rreth 50% e popullatës, që mund të kushtojë rreth 200 milionë euro. SHBA ka planifikuar vaksinimin prej muajit dhjetor, derisa Gjermania në tremujorin e parë.

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”, ndërkohë vlerësimet e fundit kanë theksuar se efekti i vaksinës ka arritur deri 95%. Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji. Gjithashtu raportohet se vaksina e mundshme e kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit është shfaqur efikas.

Pfizer ka thënë se beson se do të sigurojë 50 milionë doza të vaksinës deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard të tjera deri në fund të vitit 2021. Në zhvillim e sipër janë edhe vaksina të tjera kundër koronavirusit.

Kompania amerikane Moderna thotë se të dhënat paraprake tregojnë se vaksina e saj kundër COVID-19 është rreth 95% efektive. Rezultatet janë të ngjashme me ato të kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Ndryshe, ndikimi i vaksinës së re për Kovid-19 do të ndihet ndjeshëm gjatë verës, ndërsa jeta duhet të kthehet në normale deri në dimrin e ardhshëm, tha një nga shkencëtarët që e krijuan vaksinën, prof. Ugur Sahin. Sahin, bashkëthemelues i BioNTek, tha se ky dimër do të ishte akoma i vështirë sepse vaksina nuk do të kishte ndikim të madh mbi numrin e infektimeve.

Përmes programit COVAX, Kosova planifikon të sigurojë 1.2 milion vaksina. Maqedonia Veriore veç ka bërë porosinë prej 800 mijë vaksina, Serbia ka siguruar 1.8 milion doza, dhe Bosnjë e Hercegovina ka porositur mbi 1.2 milion vaksina. Për Shqipërinë ende nuk ka të dhëna, por edhe ky shtet synon të sigurojë vaksinën përmes programit COVAX. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajin tetor në seancën e 11-të vendosi për mënyrën e blerjes së vaksinës kundër Kovid-19, përmes mekanizmit Covax. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte sqaruar më herët se Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button