“Mësimi online” në RMV: Ka mungesë të pajisjeve teknologjike, s’ka interaksion, problematik edhe notimi

Në një bisedë të realizuar nga Portalb, mësimdhënësit e shkollave fillore shpjegojnë të mirat dhe vështirësitë e “mësimit online” me të cilat janë përballur ato gjatë këtyre muajve. Sipas tyre në fillim ka qenë shumë më e vështirë si për nxënësit, por edhe vetë mësimdhënësit, ndërsa tani gradualisht janë adaptuar me këtë formë të mësuarit. Vështirësitë më të shpeshta me të cilat përballen më shpesh janë mungesa e mjeteve teknologjike dhe interneti që krijon një arsye te nxënësit të mos jenë prezent në orë, pamundësia e mësimdhënësit për të ndjekur nga afër zhvillimin e shkathtësive të nxënësve, si dhe notimi. Por gjithsesi sipas tyre pavarësisht vështirësive, mësimi online në kohën e pandemisë është varianti më i mirë i mundshëm i cili mundëson që nxënësit të mos mbeten mbrapa në realizimin e qëllimeve nga programet mësimore.

Hajri Qamili mësues i artit figurativ theksoi të mësuarit online është sfidë e re dhe e vështirë. Për atë ka qenë shumë i vështirë notimi dhe pamundësia e ndjekjes nga afër shkathtësitë e nxënësve në artin figurativ dhe sipas tij nxënësit përdorin Google për të arritur deri te zgjidhja e gatshme e detyrave.

Hajri Qamili, mësues i artit figurativ.

“Mësimdhënia dhe mësimnxënia online është një sfidë e re dhe shumë e vështirë si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Shpesh herë mund të arrish një cilësi më të mirë se sa në klasë por edhe kjo në vete ka disa mangësi të vogla të cilat dalin në pah si p.sh. gjatë mësimit me prezencë fizike që ishte më herët në klasë angazhoheshin po thuajse nxënësit më “aktiv” dhe në lëndët e artit figurativ kemi pasur mundësinë e ndjekjes nga afër të zhvillimit të shkathtësive të nxënësve ,kurse me mësimin në distancë kemi vështirësi ca vështirësi të cilat burojnë pikërisht nga përdorimi i GOOGLE që nxënësve ju mundëson të arrijnë deri te zgjidhja e gatshme, por pa pasur mundësinë e studimit të rrugës se si të zbërthejnë dhe të zgjidhin një temë për vizatim. Gjithashtu një sfidë e vështirë është edhe notimi i nxënësve pavarësisht rekomandimeve nga organet kompetente notimi përbën një nga sfidat më të vështira.”- theksoi Hajri Qamili, mësues i artit figurativ.

Dushe Idrizi, mësuese në klasa të ulëta thekson se më të vështira kanë qenë dy javët e para e tani gradualisht janë adaptuar si nxënësit ashtu dhe mësimdhënësit. Sipas saj mësimi online ju ka dhënë mundësi edhe nxënësve më të qetë dhe të turpshëm të jenë më aktiv. Por, nga ana tjetër vështirësitë janë të shumta që shumë prej tyre të mos jenë prezent në orë si mungesa e mjeteve teknologjike, internetit dhe hapësirave për ndjekjen e mësimit.

Dushe Idrizi, mësuese në shkollën “Dervish Cara”

“Mund të them se dy javët e para kanë qenë më të vështira, më pas gradualisht u adaptuan edhe nxënësit edhe ne mësimdhënësit. Në njërën anë mësimi online është mundësi e mirë sepse secili mund të mësojë me ritmin e tij duke mos ju përshtatur të tjerëve, edhe nxënësit e qetë dhe të turpshëm janë me aktiv dhe shprehin mendimet e tyre, por në anën tjetër jo të gjithë kanë qasje dhe mundësi të njëjta, mungesa e mjeteve teknologjike, mungesa e rrjetit të internetit, mungesa e hapësirave për ndjekjen e mësimit ,e shumë e shumë gjëra tjera. Mendimi im është se pavarësisht vështirësive edhe me mësimin online mund të arrihet nivel i mirë cilësie dhe në kohën e pandemisë është mundësia dhe varianti më i mirë i mundshëm.”- theksoi Idrizi.

Nderim Emini, mësimdhënës i edukatës fizike në njërën nga shkollat fillore të RMV-së tregon se të mirat që sjell mësimi online janë shumë të pakta dhe efikasiteti është shumë i vogël, ndërkaq vështirësitë janë të mëdha duke nisur nga kushtet primare që posedojnë nxënësit e deri te arsyetimi se nuk mund të jenë prezent në orë për arsye se nuk mund të kyçen apo kanë mungesë të mjeteve teknologjike.

Nderim Emini, mësues i edukatës fizike

“Të mirat që sjell mësimi online janë shumë të pakta dhe efikasiteti është shumë i vogël, ngase mund ti thuash sikur ke mësuar apo mbajtur mësim sa për sy e faqe.! Dëmtimi në dije është shumë i madh për nxënësit. Në mësim online me këtë platformë (Microsoft Teams) hasim në shumë vështirësi, pikë së pari një numër shumë i madh i nxënësve nuk kanë kushtet primare (pajisje elektronike, internet në shtëpi)etj., gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve, ka edhe nga ata që janë afër pensionimit dhe nuk e kanë të lehtë të adaptohen me kushte që kërkon mësimi online.  Në Ballkan e sidomos këtu në RMV është rëndë të mbahet mësim me prezencë fizike me ato kushte që kemi e lëre më online sidomos tash në këtë kohë pandemie që arsyet për mos mbajtje mësim dhe ikja nga mësimi janë nga më të ndryshmet!”- tha Nderim Emini, mësues i edukatës fizike.

Arsimtari i matematikës, Satki Ismaili tregon se qëndrimi i nxënësve para pajisjeve digjitale për realizim të mësimit online shton pasivitetin ndërsa në anën tjetër zvogëlohet gjithëpërfshirja dhe interaksioni i ndërsjellët. Por ama sipas tij ky lloj i të mësuarit mundëson që nxënësit mos mbeten prapa në realizimin e qëllimeve nga programet mësimore

Satki Ismaili

“Duke pasur parasysh angazhimin me shumë orë mësimore të nxënësve, qëndrimi i nxënësve para pajisjeve digjitale dhe neglizhencën ndërsa në anën tjetër zvogëlohet Me fjalë tjera klasa virtuale është sfidë e kohës dhe duhet mjaft punë dhe angazhim për të qenë i suksesshëm. Sfidë e mësimit online është edhe vlerësimi objektiv formativ si dhe sumativ nëpërmjet të fletave të ndryshme të punës, detyrave të shtëpisë, kuizeve dhe testeve elektronike të cilat realizohen në kohë reale dhe njëkohësisht kontrollohen në kohë reale por të cilat jo gjithmonë janë objektive për shkak të pamundësisë së mbikëqyrjes në distancë dhe kyçjes së faktorëve tjerë në realizimin e aktiviteteve që edhe më tepër shton mundësinë e vlerësimit objektiv të mësimdhënësve. Edhe pse mësimi në distancë ka mjaft mangësi, përsëri ai na mundëson që nxënësit mos mbeten prapa në realizimin e qëllimeve nga programet mësimore dhe largimit të tyre nga përditshmëria e ekzagjeruar.”-  thekson mësimdhënësi Satki Ismaili

Pavarësisht vështirësive dhe përparësive, mësimi online në RMV vazhdon të mbetet mënyra për të realizuar programin mësimor në kushte të pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button