A duhet “fajësuar” Maqedonia e Veriut se penalizoi Shqipërinë për negociatat në Bashkimin Europian?

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian, të martën më 18 nëntor nuk arritën konsensusin për kornizën e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë e cila do t’i hapte rrugën Konferencës së parë Ndërqeveritare, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Deputeti dhe njëherazi Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Arben Pëllumbi “fajësoi” Maqedoninë e Veriut duke argumentuar se veto e Bullgarisë ndaj saj penalizoi edhe Tiranën zyrtare për negociatat, shkruan Faktoje.al, transmeton Portalb.mk. Por sa reale janë këto deklarata?

Deputeti dhe njëherazi Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, gjatë një interviste në “Vizion Plus” më 20 nëntor, deklaroi se veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, penalizoi edhe Shqipërinë për negociatat me Bashkimin Europian.

“Qeveria i ka bërë detyrat e veta… Megjithatë, po të kemi parasysh faktin që në takimin e kaluar u pengua Maqedonia e Veriut prej nesh, tanimë duket se do pengohemi ne prej Maqedonisë së Veriut, sepse Bullgaria u kujtua tani, në vend që të kujtohej në tjetër kohë” – deklaroi Pëllumbi.

Por sa qëndron deklarata e Pëllumbit?

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mundi të marrë një datë për sa i përket kornizës së bisedimeve për anëtarësim që do i hapte rrugë kësisoj Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Siç e përmendi edhe përfaqësuesi i presidencës gjermane, ministri i Shtetit Michael Roth, Maqedonia e Veriut u penalizua nga Bullgaria.

Duhet të bëjmë dallimin mes konflikteve dypalëshe, pikave të fërkimit që ka ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga njëra anë, dhe BE-së si një të tërë, nga ana tjetër. Nuk është ky momenti që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura të ngrihen, në nivel europian” – deklaroi Roth.

Kombi maqedonas, sipas Bullgarisë, duhet të pranojë që ka rrënjë bullgare dhe se maqedonishtja është një dialekt bullgar perëndimor. Duke qenë se Maqedonia e Veriut refuzon ta bëjë këtë, Bullgaria po bllokon fillimin e bisedimeve të antarësimit mes Shkupit dhe BE-së.

Por nga ana tjetër, “pengimi” i Shqipërisë, siç edhe u konfirmua nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian erdhi nga faktorë të saj të brendshëm dhe jo nga Maqedonia e Veriut.

Me të drejtë, ju u referuat Shqipërisë, dhe ju thatë se ka ende dy pika, dy çështje dhe pjesa e përfundimeve të Këshillit në prill. Së pari, Gjykata Kushtetuese duhet të nisë punën, dhe së dyti zbatimi i ligjit të ri zgjedhor. Sidoqoftë, arsyet për optimizëm, se kjo do të ndodhë shpejt, janë një çështje e vështirë” – tha ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth.

Cilët ishin faktorët që penalizuan Shqipërinë?

Marrja e Presidencës së Këshillit Europian nga Gjermania më 1 korrik u pa me optimizëm nga zyrtarë të shumicës qeverisëse për integrimin e Shqipërisë në BE. Në fillim të kësaj jave, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk dha një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Nga ana tjetër, mospërmbushja e kushteve të Bundestagut si dhe linja e re e integrimit të BE-së, e miratuar në muajin tetor duket se po zbehin shanset e Shqipërisë për anëtarësim.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk mund të plotësojë kuorumin për gjykimin e çështjeve sa i takon themelit të tyre, sepse janë vetëm 4 anëtarë në detyrë. Në parim duhet edhe 1 anëtar që të plotësohet kuorumi i vendimmarrjes, por në realitet Gjykata Kushtetues nuk do të jetë funksionale nëse nuk plotësohet me 9 anëtarë. Pse? Sepse Ligji “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” në nenin 72 pika 2 përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Abstenimi nuk lejohet.

Reforma Zgjedhore gjithashtu mund të kthehet në një problem. Për çështjen e Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për të cilin presidenti Ilir Meta kërkoi opinionin e “Venecias”, qeveria vendosi të mos presë. Ajo e rivotoi në Kuvend edhe pse Bashkimi Europian kishte kërkuar të pritej opinion i “Venecias”.

Holanda po ashtu ka ende rezerva për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ky vend kërkon që Shqipëria të sigurojë më parë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të zbatojë ligjin për median, para se të flitet për çeljen e negociatave. Me Maqedoninë e Veriut holandezët nuk kanë problem. Kryeministri Edi Rama në një bisedë me gazetarët para dy javësh, e mohoi se ka ende kushte të hapura. Sipas tij qëndrimi refuzues i Holandës lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Pozicioni i Shqipërisë mund të përkeqësohet nga akuzat për shit-blerje të votave!

Eurodeputeti David Lega, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe përfaqësues i PPE ka njoftuar përmes një mesazhi në “Twitter” se së bashku me dy eurodeputetë të tjerë, fill pas përfundimit të mbledhjes së ministrave për Çështjet europiane më 18 nëntor kërkuan  përgjigje nga përfaqësuesit të Lartë të BE, Josep Borrel se përse Komisioni Europian në raportin e tij nuk e ka përmendur “blerjen e votës” në Shqipëri si një çështje me rëndësi jo vetëm për PPE por edhe BE.

Blerja e votës është një problem serioz Borrel. Sot i kërkuam Josep Borrel përse Komisioni Europian nuk ka përmendur shitblerjen e votës në raportin e 2020. Nisja e hetimeve ndaj të akuzuarve për blerjen e votave është një kusht thelbësor për BE dhe jo vetëm për PPE. Si reporter për monitorimin e Shqipërisë, gjithmonë do të fokusohem tek sundimi i ligjit dhe demokracia. Shitblerja e votës është një problem serioz për demokracinë dhe nuk mund të pranohet në një vend kandidat për në BE” – shkroi eurodeputeti teksa publikoi edhe dokumentin zyrtar drejtuar Borrel.

Letra e eurodeputetvë drejtuar zyrtarëve të Bashkimit Europian

Siç edhe e konfirmuan zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, pengesat në raport me Shqipërinë në procesin e negociatat me Bashkimin Europian nuk erdhën nga Maqedonia e Veriut apo Bullgaria, aq sa nga vetë dinamika e brendshme e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button