Zaev vlerësoi se marrëveshja është afër, derisa projekt-rezoluta e europarlamentit shpreh keqardhje për mosmarrëveshjen RMV-Bullgari

Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut vlerësoi se së shpejti do të ketë marrëveshje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke hapur rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Projekt-rezoluta e Parlamentit Evropian, sipas MIA-s, pritet të theksojë mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre dy vendeve, duke shprehur keqardhje për moszgjidhjen e problemit më 17 nëntor. Projekt-rezoluta pritet të jetë pjesë e debatit nga 10 deri 16 dhjetor në Komisionin për punë të jashtme.

“Na vjen keq që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë arritur një kompromis për çështjet që lidhen me historinë dhe gjuhën, ne besojmë se do të zgjidhet së shpejti në mënyrë që të mos rrezikohet momenti i integrimit dhe është në pritje që Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet pa anulim, e cila do ta shënojë fillimin e negociatave të anëtarësimit”, shkruan Ilhan Kyçuk, raportuesi i parlamentit evropian, për RMV-në

Raportohet se në projekt-rezolutë theksohet edhe nevoja për përmirësimin e transparencës së financimit të partive politike, fondeve të BE-së, ligji kundër dhunës ndaj grave, ndalja e miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar, profesionalizimi i gjyqësorit dhe zgjidhje të çështjeve të PSP-së. Vlerësohet puna e opozitës në punën parlamentare.

Ndërkohë, kryeministri Zaev sot theksoi se së shpejti do të ketë marrëveshje me Bullgarinë

“Siç thash, ne nuk jemi shumë larg marrëveshjes. Vetëm duhet të kemi vullnet të mirë, të shohim pozitivisht dhe ta projektojmë ardhmërinë para nesh. Besoj se do të ndodh, ja deri në Këshillin e dytë të ministrave të BE-së, më 8, 9 ose 10, kurdoqoftë, edhe një takim mes meje dhe kryeministrit (Bojko) Borisov, e besoj se edhe grupet tona të punës të cilat kontaktojnë intensivisht, do të krijojnë edhe atmosferë për këtë, flas për të dy palët”, deklaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button