“Euraktiv”: Kini kujdes nga epidemia e vetove gjatë zgjerimit të BE-së

Me veton në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria po përdor pozicionin e saj si anëtare e BE-së për të arritur disa nga interesat e saj të politikës së jashtme, në të njëjtën mënyrë siç bënë shumë vende tjera më parë, por problemi është se Bashkimi nuk duket se ka dëshira dhe mënyra për të dekurajuar veprime të tilla të njëanshme, tha bashkëpunëtori i Institutit ndërkombëtar për siguri nga Beogradi, Orhan Dragash për “Euraktiv“, transmeton Portalb.mk.

“Fakti që Bullgaria bllokoi fillimin e bisedimeve për aderim në BE me Maqedoninë e Veriut nuk është as risi dhe as befasi. Ekziston një histori e gjatë e pengesave fqinjësore në rrugën e anëtarësimit në BE. Sllovenia bllokoi Kroacinë për shkak të kufirit me Gjirin Piran, Kroacia bllokoi negociatat e Serbisë sapo ajo u bë një anëtare e BE dhe Bullgaria bëri të njëjtën gjë pak para tre vjetësh, për shkak të pozicionit të pakicës së saj në Serbi”, ka theksuar Dragash.

Ai gjithashtu kujtoi se Greqia ka bllokuar vendin tonë për dekada pa ndonjë shans për t’u integruar në BE dhe NATO, derisa të ndryshojë emrin.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, BE ka përsëritur se çështjet e pazgjidhura të fqinjësisë nuk duhet të jenë një arsye për një anëtar të BE për të vënë veton për fqinjin që nuk është anëtar i BE-së. Por kush do ta besonte këtë, veçanërisht pas vetos bullgare? Pra, problemi nuk është që Bullgaria e kushtëzon pranimin e Maqedonisë, Bullgaria përdor vetëm pozicionin e saj si anëtare e BE-së për të arritur disa nga interesat e saj të politikës së jashtme, në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë shumë të tjerë më parë. Dhe kjo është plotësisht e legjitime. Por problemi qëndron aty se BE nuk ka dëshirë ose mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar veprime të tilla të njëanshme të anëtarëve të saj të fuqiplotë”, përfundon Dragash.

Sipas tij, me qëndrimin e saj ndaj faktit se Bullgaria e kushtëzon Maqedoninë e Veriut me çështje historike dhe të identitetit, BE dhe Gjermania si kryesuese ri i saj aktual lënë përshtypjen e “mosinteresimit më të madh dhe më të hapur deri më tani për hapjen e derës për anëtarët e rinj nga Ballkani”.

“As Brukseli dhe as kryeqytetet kryesore evropiane nuk po përpiqen të gjejnë fjalë ngushëlluese, optimiste për ata që janë akoma në dhomën e pritjes, ata thjesht nuk kanë më vullnet për ta bërë këtë”, ka shtuar eksperti.

Sipas Dragashit, pas lëvizjes së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, është e vështirë të pritet një forcim i besimit ndaj BE-së në Ballkan, gjë që e hap hapësirën që Evropianët të zëvendësohen lehtësisht nga disa lojtarë të tjerë të mëdhenj botërorë, që do të jetë e dëmshme si për BE-në ashtu edhe për rajonin.

“Vendin e zbrazët të entuziazmit evropian do ta zërë dikush tjetër, në planet e të cilit për të ardhmen e Ballkanit nuk kanë shumë hapësirë ​​për përparim, siguri dhe zhvillim të popujve ballkanikë. Fatkeqësisht, në Ballkanin Perëndimor, ekziston ende potencial i madh për konflikt, varfëri dhe korrupsion”, ka vlerësuar autori i tekstit në “Euraktiv”.

Megjithatë, sipas tij, derisa Evropa e nënvlerëson rrezikun e vetos Bullgare, në rrugën e vendit drejt BE-së, rrethana e lumtur është se Shtetet e Bashkuara kanë një qëndrim më të qartë dhe kërkojnë që çështjet e tilla të zgjidhen jashtë procesit të aderimit në BE.

“Duke gjykuar nga deklarata e Majkëll Karpenter, ish-këshilltar për politikë të jashtme të Xhozef Bajdenit, i cili tha se as Bullgaria dhe as Maqedonia Veriut nuk fitojnë asgjë nga konflikti aktual dhe se përfitojnë vetëm ata që duan përçarje në Evropë, kjo tendencë (në politikën amerikane) do të vazhdojë edhe në administratën e ardhshme”, përfundon Dragash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button