fbpx

Ligji për prejardhjen e pronës, i paralajmëruar tre muaj më parë nga Antikorrupsioni ka mbetur veç ide

Asgjë nuk është bërë në drejtim të propozimit të një ligji për prejardhjen e pronës, të cilin e paralajmëroi tre muaj më parë kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion Biljana Ivanovska. Ky institucion vazhdon të përballet me vështirësi për të evidentuar gjendjen pronësore të personave të zgjedhur zyrtar, kjo për shkak të mungesës së një softueri, njofton Portalb.mk.

Ky institucion, i destinuar për të luftuar korrupsionin çdo ditë has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punsuarëve në sektorin publik.

Pasi ka njerëz që nuk e paraqesin pronën e saktë, evidentimi është i vështirë. Duhet të ketë mekanizëm për të detektuar kur dyshohet për rritje enorme ose rritje mbi nivelin e të ardhurave të ndonjë zyrtari dhe krijon dyshime për punën e përditshme, ku më pas duhet të vijojë edhe hapja e procedurës për verifikim.

Nuri Bajrami nga Komisioni për Luftimin e Korrupsionit, deklaron se këto vështirësi vinë më shumë edhe nga mungesa e qasjes së drejtëpërdrejtë në të dhënat pronësore.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

“E gjithë kjo është problem, për arsye se është lëndë që është shumë e vështirë për ta zbuluar në këto kushte që punojmë. S’kemi qasje të drejtpërdrejtë në ato baza ende, softueri nuk është, e gjithë kjo është shumë e vështirë për të ardhur në verifikmin e dyshimeve të caktuara ose për ta ndjekur më tej procedurën”, shprehet Bajrami.

Sipas tij, nevoja për një ligj të till, vjen edhe si pasojë e shfaqjes së një zinxhiri që vështirëson punën, duke qenë se ka persona zyrtar që paratë nuk i deponojnë askund, kurse pronat e tyre i mbajnë në emër të të afërmve të tyre. Gjithashtu, një problem tjetër i madh që lidhet me mungesën e softuerit, është edhe mungesa e qasjes së drejtpërdrejtë në informacione, që do të lehtësonte procedurën dhe do të kursente kohën, pasi kërkesat për të dhëna bëhen në mënyrë të shkruar dhe marrin kohë derisa kthehet përgjigje. Aktualisht, duke qenë se të dhënat nuk janë të punuara nga institucionet kompetente, atëherë Antikorrupsioni vetë duhet t’i verifikojë. Kjo pastaj, thotë Bajrami, shfaq edhe një problem tjetër, atë të të bërit gabime, pasi nuk mund të kenë njohuri në çdo fushë, por çdo fushë duhet të bëjë punën e vet, ose më sakt secili intitucion të përpunojë të dhënat e veta.

“Po qe se do kishte një ligj të tillë, atëherë ai do t’i disiplinonte njerëzit dhe nuk do të lejonte hapësirë që dikush të jetë aq komod, se pastaj do të gjejë një mundësi si t’i kthejë paratë që i kanë në emër të ndokujt tjetër apo pasuritë që i ka në emër të ndokujt tjetër”.

Për sjelljen e këtij ligji, apo fillimisht propozimin e tij, duhet vullneti politik i organeve dhe aktorëve publik, më saktësisht Qeverisë ose deputeteve, pse jo edhe iniciativave qytetare, por duket se ky vullnet nuk është edhe aq i madh apo euforik.

“Thjeshtë politika i ka duart këtu. Ne e kemi ngrit si çështje dhe shikoj tani kanë filluar ta përmendin edhe politikanët, mirëpo sa do të kenë ato vullnet ta shndërrojnë në propozim?. Përsëri politika është ajo që duhet ta propozojë, në kushtetutë ka edhe propozues të tjerë, por janë pasiv në një far forme sepse nuk ua var kush veshin. Tani filloi të përflitet. Ia bartëm zëvendës kryeministrit kundër Korrupsionit Lupço Nikollovski, po ashtu ishte te ne, i bart komplet pengesat që na dalin dhe që të mund ai t’i ndjekë dhe t’i përshpejtojë këto iniciativa, por për momentin nuk ka ndonjë iniciativë konkrete, ne do ta përcjellim dhe do ta potencojmë vazhdimisht”, tha Bajrami.

Pasi me ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe konflikt të interesave, Antikorrupsioni ka qenë i obliguar të bëjë formular të ri, ky formualar sipas përmbajtjes, është përgatitur qysh në shtator të vitit të kaluar, por, zgjidhja elektronike ende nuk është gati. Pjesë e këtij softueri do të jetë edhe regjistri i personave zyrtar. Antikorrupsioni pret që deri në fund të vitit të përgatitet ky softuer dhe të vendoset në test përdorim.

Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

Në gusht të këtij viti, kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska në një intervistë për Slloboden Peçat, tha se do të kërkojnë nga deputetët e rinj që të miratohet ligj për prejardhjen e pronës. Sipas saj vetëm atëherë do të ketë një fotografi të thellë për atë se ku është prona dhe kush disponon me pronën.

Kërkesë për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë edhe Komisioni Evropain në raportin e 6 tetorit të këtij viti. Në të thuhet se në vitin 2019, konfiskimi i pasurive kriminale ka qenë i kufizuar në 21 persona. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet një përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik .

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close