E-RELIGJIONI (2)

Kohëve të fundit feja kibernetike trajtohet edhe në nivelin shkencor akademik, dhe në veçanti në atë empirik. Në vitin 2013 shtëpia botuese prestigjioze Routledge botoi veprën e Heidi Campbell, Digital Religion: Understanding Religious Practice in New media Worlds (Feja digjitale: Të kuptosh praktikën fetare në botët  e reja të medies), ku pos ritualeve, identitetit, komunitetit, autoritetit, autenticitetit dhe fesë, trajtohen edhe raste studimore të online dhe offline ritualeve hinduiste, budizimi virtual etj. Anastasia Karaflogka në vitin 2014 ka pubikuar E-Religion: A Critical Appraisal of Religious Discourse on the World Wide Web (E-feja: Një vlerësim kritik i ligjëratës fetare në www), ku flet për fenë e ngjallur në hapësirën kibernetike, që i bashkon njerëzit, i konsolidon fetë apo fraksionet periferike, promovon aktivizëm, evangjelizëm, misionarizëm e të ngjashme.

Sipas një hulumtimi të PEW Research (2014) religjioni alternativ (i TV-së, radios, i shoqëruar me muzikë dhe ai i internetit) në përgjithësi e plotësojnë formën tradicionale të pjesëmarrjes fetare si “vajtja në tempull”, në ceremoni të ndryshme fetare. Sipas studimit të njëjtë, 20% e amerikanëve kanë shpërndarë besimin e tyre nëpër rrjetet sociale ose nëpër aplikacione të ndryshme, kurse 46% kanë pohuar se “kanë vërejtur dikë tjetër që të shpërndajë diçka rreth besimit fetar”; qytetarët e moshës 18-29 janë shprehur fetarisht dy herë më aktivë online sesa ata të moshës 50 + (Pewforum, 2014), që është e pritshme duke marrë parasysh se ata i zotërojnë më mirë teknologjitë informatike. Nga analizat në rrjetet sociale kemi arritur në përfundimin se edhe ndër shqiptarë aktivizmi fetar elektronik është më i gjallë tek rinia, në veçanti te ajo e tinejxherëve që gjithçka e marrin me emocione dhe janë ultraimpulsivë në “thirrjen fetare”.

Konstatim i përgjithshëm është se në epokën digjitale feja nuk zhduket, ajo transformohet, lëviz në hapësira të reja; bota e kompjuterit shndërrohet në sferë  për formimin e një qendre të re interesit dhe aktivitetit të së shenjtës. Tanimë po hapen edhe institucione si Qendra për Teologji Virtuale (Durham University), revista si Journal for Religion, Media and Digital Culture,  digitalfaith.org që ndihmon kishën konekcionale (conncetional church), tempuj virtualë, mediat sociale si Facebook bëhen hapësirë murgërore (“FB as a monastic place”…, Jonveaux, 2012), hapen kanale si Myftinia.tv, shqyrtohen terma si “yotube imamët” (Kursani) e të ngjashme. Feja aq shumë është mediatizuar dhe elektronizuar saqë një autor gjerman ka gjeneruar një lutje interesante ku përfshihet një formë e trinitetit digjital: “Në emër të Facebookut, rrjeteve sociale dhe realitetit virtual. Amin”. (Grozny, 2018)

Po cilat janë rrjedhimet e një trendi të këtillë? Ndër të tjera, e-feja dhe e-predikimet qarkullojnë më shpejt (Gola), kështu që feja e vijës së mesme (mainstream religion) relativizohet, e humb peshën e vet që ka pasur deri dje në shoqëri; kalohet nga kontaktet ballë-për-ballë tek ato të display-it, nga libri te webfaqet, te e-librat, virtualizohen segmente të shumta të fesë. Në rrjetet sociale dhe në botën virtuale plasohen materiale me përmbajtje fetare të çliruara nga autoriteti i kompetentëve, nga institucionet zyrtare (bashkësitë fetare), dalëngadalë thirrjen fetare mbi supet e veta e marrin individë pa kurrfarë njohurish fetare, që kanë “prijësin e vet” shpirtëror nga i cili ushqehen me “bukë fetare”, dhe i cili mban një “komunitet virtual të vëllezërve” (ndër ne i njohur si “vllaznia”). Pra, feja e kohës sonë decentralizohet, sot s’ka më udhëtime në këmbë, me autobus, me veturë për të dëgjuar “klerikun” me nam; përzgjedhja mund të bëhet aty për aty, ligjërata mund të dëgjohet në çast, prijësi mund të kontaktohet përmes FB, Insta, Viber, Watsapp, mund t’i shtrohen pyetje, të bëhen komente, mund të kërkohen sqarime, të dëgjohet transmetimi autentik, të merret “përgjigjja e besueshme”. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button