Ilaç befasues për të sëmurët rëndë nga COVID-19

Ilaçi për artritin reumatoid (tocilizumab) trajton pacientët me formë të rëndë të COVID-19, tregojnë të dhënat e hulumtimeve nga shkencëtarët në Britaninë e Madhe dhe Hollandë, shkruan Panacea.mk.

Shkencëtarët thanë se këto ishin “rezultate absolutisht të mahnitshme”, ndërsa ilaçi nuk po testohet më, sepse ata janë shumë të sigurt në efektivitetin e tij. Por efekti i saktë i mbijetesës së të sëmurëve pas përdorimit të ilaçit është ende duke u hetuar.

Ekspertë të tjerë thanë se duhet pasur kujdes derisa të publikohen të dhënat e plota.

Ky ilaç ndikon në sistemin imunitar, i cili te disa pacientë të infektuar me koronavirusin e ri reagon shumë, ndërsa një reagim i tillë, i njohur gjithashtu si stuhia citokine, mund të jetë fatal.

Studimi u përqendrua tek pacientët e sëmurë kritik të cilët kishin nevojë të vendoseshin në aparat respirator. Ekzaminimi u ndërpre tre ditë më parë pasi vëzhguesit e pavarur thanë se kishte prova të mjaftueshme nga 303 pacientët e parë, që ilaçi po funksiononte.

Por interpretimi i të dhënave është jashtëzakonisht kompleks, sipas mediave britanike.

Gjegjësisht, të dhënat tregojnë përmirësim të rezultateve, por është një korrelacion statistikor me elementë të tjerë, siç janë shkalla e mbijetesës dhe koha që pacientët kalojnë në kujdesin intensiv. Mjekët e dinë që ilaçi bën diçka, por do të duhet kohë për të përcaktuar nëse shpëton jetën e të sëmurëve apo thjesht shpejton shërimin e tyre.

Steroidet kanë treguar se shpëtojnë pacientët me koronavirus dhe qetësojnë të gjithë sistemin imunitar, ndërsa ky ilaç synon pjesët specifike të këtij sistemi.

Trajtimi me këtë ilaç kushton ndërmjet 500 dhe 1000 paund dhe u jepet pacientëve në mënyrë intravenoze.

“Pasja e një trajtimi të dytë efektiv për pacientët me sëmundje kritike muaj pas fillimit të pandemisë është e pashembullt,” thekson Lenny Derde i Qendrës Klinike Universitare në Utrecht.

Profesori Peter Horby, i cili ishte pjesë e ekipit të Universitetit të Oksfordit që ka treguar se deksametazoni ndihmon pacientët, thotë se ka rezultate inkurajuese që sugjerojnë se ilaçet anti-inflamatore mund të ndihmojnë në trajtimin e COVID-19.

“Rezultatet e përdorimit të ilaçit për artritin reumatoid deri më tani kanë qenë të dyfishta, ndërsa katër prova të kontrolluara rastësisht kanë treguar rezultate, dy prej të cilave ishin negative dhe dy pozitive”, tha Prof. Horby.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button