Lira Bojku: Dua një rini të shëndoshë, të guximshme që lufton për të arritur synimet dhe ëndrrat

Lira Bojku, një shkrimtare e cila që në moshë të vegjëlisë ka treguar një afinitet të veçantë për artin e letërsisë dhe atë figurativ në një intervistë për Portalb theksoi se dashuria e saj ndaj shkrimit, leximit dhe librit është rritur bashkë me të. Ajo ka shkruar shumë libra, madje dhe dy prej tyre janë përkthyer në gjuhë të huaja, e për këtë tregoi dhe vetë ajo në këtë intervistë, ndërsa prej librave të vetë ajo veçoi librin e fundit me titull “Doja të të them” ku përshkruan betejën e dashurisë, libër ky që do të publikohet gjithashtu në dy gjuhë njëkohësisht. E për të gjitha këto dhe me shumë ju mund të lexoni intervistën e saj më poshtë.

Dua një rini të shëndoshë, të guximshme që lufton për të drejtën, lufton për të arritur synimet dhe ëndrrat…por ama me punë, mund e dije…”, ishte mesazhi i saj për rininë në këtë intervistë.

Lira Bojku

Kur keni filluar ti botoni shkrimet e juaja dhe të shfaqni dashurinë dhe aftësinë tuaj për të shkruarit?
Më kanë thënë se si e vogël kam treguar afinitet të veçantë për artin e letërsisë dhe atë figurativ. Dashuria ndaj librit, leximit, gjuhës dhe letërsisë shqipe, shkrimit, mbase  ka lindur dhe është rritur bashkë me mua. Natyrisht shkrimet e para kanë qenë në shkollë fillore në formë të vjershave apo poezive e pastaj me kalimin e viteve pasioni ndaj shkrimit dhe fjalës së bukur është kultivuar gjithnjë e më shumë, për t’iu qasur kështu në mënyre më serioze prozës apo më saktë tregimit te shkurtër. Me kalimin e kohës një numër të madh tregimesh fillova t’i publikoj nëpër portale dhe revista letrare, njëra prej tyre ishte edhe vetë Portalb-i që më priti krah hapur për të shënuar hapat e mija të para në letërsi. Vëreja që interesimi i lexuesve ishte mjaft i lartë, ata uronin dhe dëshironin që unë të sillja në dritë një libër, kështu dhe erdhi deri te libri im i parë “Këpucët e kuqe” (viti 2015) për të vazhduar me të dytin “Dashuria në lavatriçe” (viti 2017), të dyja këto përmbledhje tregimesh me tematikë dashurie…

Cilin prej librave të tu do e veçoje më shumë dhe pse?
Nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë ti përgjigjem kësaj pyetjeje. Mendoj që çdo vepër e një krijuesi e ka vlerën, peshën, rëndësinë e vet të veçantë te një krijues.  Me “Këpucët e kuqe” unë bëra hapat e mija të para në letërsi andaj këto “këpucë…” i çmoj dhe ruaj në dollapin e zemrës sime.  Pastaj  “Dashuria në lavatriçe” hapi im i dytë ka vlerën e vet, specifikat dhe domethënien e vetë për mua… tani veçmë janë bërë diku mbi 45 tregime e po aq e më shumë personazhe, unë i dua gjithë personazhet e librit tim, janë një përbërje apo kompozim i karaktereve imagjinar, por pavarësisht gjithçka ata kanë zemër, kanë thellësi dhe shpesh herë sikur hyjnë në jetë në imagjinatën time… unë qesh, vuaj dhe ndjej bashkë me to. Unë i dua ato tregime, ato frymëzime dhe gjithë ato ditë e netë vetëm përpara letrës së bardhë derisa nxihej nga shkronjat.
E nëse e kam patjetër të veçoj atëherë do ndalem tek libri im i radhës apo i fundit i cili është në përfundim e sipër e që do mbajë titullin “Doja të të them-Сакав да ти кажам„. Në këtë libër vij edhe si autore edhe si përkthyese sepse ky libër me tregime do del paralelisht në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Është sërish beteja e dashurisë por këtë here pak më ndryshe. Këtë herë jam munduar të prek çështje, vështirësi, frika të pranishme në marrëdhëniet e njerëzve gjatë gjithë jetës dhe në të vërtetën e shoqërisë brenda së cilës ekzistojmë. Një simbiozë e të këndshmes dhe të shëmtuarës, të bukurës, tragjikes dhe lumturisë…herë njëra, herë tjetra e herë të gjitha bashkë. Unë si shkrimtare dua që lexuesit e librave të mi jo vetëm të kuptojnë diçka me arsye por ta ndjejnë atë edhe emocionalisht.

Ju keni marrë pjesë nëpër shumë evenimente letrare brenda dhe jashtë vendit, në cilat evenimente keni përjetuar eksperienca më të bukura, përmend disa prej tyre?
Takimet letrare dhe evenimentet ku dëgjohet dhe lexohet fjala e bukur e ku takohesh e shoqërohesh me shkrimtarë, poet, krijues e lexues janë gjithnjë të veçanta për mua.
Përderisa ende jam me mbresat  nga takimi im i fundit letrar që u realizua në Stamboll, do e përmendja atë. Evenimenti “Mbrëmja e poezisë ballkanike” apo “”Balkan Şiir Gecesi”” u mbajt në Stamboll më 31 tetor 2020 nën organizim të shoqatës “Kopru” e në bashkëpunim me shoqatën e shkrimtarëve të Turqisë- dega e Stambollit. Unë isha e ftuar si shkrimtare shqiptare ndërsa morën pjesë edhe shkrimtarë të tjerë të njohur të nacionaliteteve tjera nga Maqedonia e Veriut si dhe shkrimtarë turq nga Turqia të cilët recituam në gjuhën amtare. Në suaza të këtij organizimi ne realizuam edhe takime e vizita në Fondacionin e letërsisë turke, Fondacionin Rumeli Turk, biseda me profesorë, shkrimtarë e gjuhëtar të njohur e të çmuar në Turqi. Mendoj që “Kopru” (Urrë) me këtë ngjarje dinjitoze ishte një urrë lidhëse për ti njohur e afruar shkrimtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë nëpërmjet artit dhe fjalës së shkruar.

Sa pëlqehen shkrimet e juaja nga lexuesit, cilat janë komentet e tyre?
Më gëzon fakti që tregimet e mija që nga publikimet e para lexoheshin me ëndje nga lexuesit, sidomos nga të rinjtë të cilët më shkruanin se ju pëlqejnë tregimet e mija dhe se e kanë gjetur vetveten brenda tyre ose se i paskam shkruar si për ato ose më thonë se ju kam ndihmuar në një farë forme, kam bërë ndryshim… Të jesh në gjendje të prekësh dhe zhbirilosh jetën e dikujt, jetën e dikujt që as nuk e di, është një gjë e jashtëzakonshme mendoj. Pastaj është ndjenjë e veçantë të takosh dikë rastësisht e të të tregojë se librin tënd e lexon dhe e mban në çantë…ose ende më mire disa nga lexuesit e tu ti bësh miq e mikesha, unë veçmë kam shumë shoqe të mira lexuese që i kam njohur e takuar pikërisht falë librave të mi…

Libri me titull “Visszaszámlálás” (“Numërim”)

Të përmendim dhe faktin se libri juaj është përkthyer në gjuhë të huaj. Për të gjithë ata që se dinë, në çfarë gjuhe është përkthyer dhe si erdhi deri te kjo?
Libri im i tretë (i pari në gjuhën maqedonase) është “Љубовта на генерал Ш.„ (Dashuria e Gjeneralit SH.) Ky libër është përkthim i dy veprave të mija të lartpërmendura në gjuhën maqedonase, (botim i MATICA makedonska, viti 2018) gjegjësisht është përzgjedhje tregimesh. Pas jehonës që patën librat e mi në shqip, mora ftesë nga shtëpia botuese MATICA që më veçse ishte koha që unë të vija me një libër edhe para publikut apo lexuesit maqedonas. Bashkëpunimi ishte mjaft i mirë, ata më pritën me profesionalizëm, ngrohtësi e promovim mjaft dinjitoz të veprës.
Së fundmi para dy javësh një pjesë e krijimtarisë sime u përkthye edhe në gjuhën Hungareze ku dhe doli në dritë libri me titull “Visszaszámlálás” (“Numërim”), i cili u promovua në Budapest më 27 tetor 2020. Në këtë mbrëmje ku vepra ime dhe e tre prozaistëve të njohur maqedonas u promovua para lexuesve dhe shtëpive botuese hungareze, na prezantuan si “Gjenerata e shkrimtarëve/prozaistëve të rinj që kanë sjellur një frymë të re në prozën e Maqedonisë” dhe kjo gjë natyrisht që më nderon shumë. Përndryshe tregime e poezi të mija janë bërë pjesë e disa antologjive dhe përmbledhjeve në gjuhën shqipe, maqedonase, turke.

Lira Bojku

Çfarë mesazhi do i jepje rinisë në këtë intervistë?
Rinisë gjithmonë do i them të lexojë e të mësojë, shumë të mësojë, çdo ditë e më shumë, të arsimohet. Së pari të mësojë të flasë e shkruajë në gjuhën standarde shqipe e pastaj të mësojë edhe gjuhë të huaja,…Dua një rini të shëndoshë, të guximshme që lufton për të drejtën, lufton për të arritur synimet dhe ëndrrat…por ama me punë, mund e dije…

 

 

Përveç kësaj interviste ju mund të lexoni më poshtë dhe intervista të tjera të realizuar nga Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button