SHBA, Trump kritikoi Biden për formimin e kabinetit: Votat e parregullta mund ta ndryshojnë rezultatin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka reaguar për fillimin e formimit të kabinetit nga Joe Biden i cili fitoi garën e zgjedhjeve presidenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump nga llogaria e tij në Twitter ka kritikuar punimet për formimin e kabinetit nga ana e Bidenit.

“Përse Joe Biden formon me shpejtësi kabinetin ndërkohë që në 4 shtete janë përcaktuar qindra mijëra vota të parregullta të cilat mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe të cilat gjithashtu janë të mjaftueshme për të fituar këto zgjedhje?”, ka shkruar Trump.

“Shpresoj që gjykatat dhe ligjvënësit të tregojnë guximin e nevojshëm për të bërë çfarë është e nevojshme për të ruajtur zgjedhjet dhe besueshmërinë e SHBA-së”, ka potencuar Trump.

Ndërkohë ekipi ligjor i presidentit të SHBA-së, Donald Trump njoftoi se kanë paraqitur sërish kërkesë për rinumërimin e votave në shtetin Georgia ku është konfirmuar se ka fituar Joe Biden.

Në një deklaratë dje nga ekipi ligjor i Trumpit, thuhet se kanë dorëzuar një kërkesë për rinumërimin e votave në Georgia.

Më tej thuhet se fokusimi është bërë për të qenë të sigurt që ligji i shtetit Georgia dhe kushtetuta e SHBA-së është zbatuar në çdo drejtim dhe që në këtë mënyrë të sigurohet se çdo votë e ligjshme është numëruar.

Sipas deklaratës, Trump dhe ekipi i fushatës vazhdojnë të insistojnë për krahasimin e nënshkrimeve në Georgia dhe për rinumërimin e ri ku do të zbatohen procedurat tjera.

Brad Raffensperger, sekretari i shtetit Georgia, konfirmoi fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden sipas rinumërimit që përfundoi të enjten më 19 nëntor pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 3 nëntor.

Në rezultatin e parë të zgjedhjeve në Georgia, Biden mori 49.52 për qind të votave ndërsa Trump 49.23 për qind. Rinumërimi i votave u vendos për shkak se diferenca mes dy kandidatëve ishte më e vogël se 0.5 për qind.

Numërimi me dorë i rreth 5 milionë votave përfundoi më 19 nëntor dhe Biden u shpall fitues duke lënë pas Trumpin me një diferencë prej 12.284 votash.

Sipas rezultateve jozyrtare në zgjedhjet e 59-ta presidenciale të zhvilluara më 3 nëntor në SHBA, Biden fitoi 306 delegatë ndërsa Trump 232 delegatë.

Trump ka deklaruar se nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve me pretendimin se në zgjedhje ka mashtrime dhe ka theksuar se do të ndjekë rrugët ligjore lidhur me këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button