Në RMV sot u shënua dita e Alfabetit te Gjuhës Shqipe

Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në këtë ditë nuk munguan urimet e funksionarëve shtetëror të RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke thënë se gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli.

“Gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare. Në shekullin 21 përpjekjeve të tilla nuk u duhet hapur dera, në mënyrë që kurrë të mos triumfojnë mbi vlerat e vërteta. Të gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë ju uroj Ditën e Alfabetit”, shkruan Pendarovski.

Kryeministri, Zoran Zaev me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip përmes një komunikate ka uruar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duke theksuar se sot popujt në Maqedoninë e Veriut së bashku festojnë ekzistencën dhe afrimin e dy traditave kulturore që kanë mbijetuar së bashku.

“Gjuha dhe alfabeti i saj janë pjesë e kodit gjenetik të një kombi dhe rrjedhin nga e drejta universale e vetëvendosjes. Në atë kod gjenetik janë elementët e identitetit dhe potencialet për komunikim, integrim shoqëror, arsim dhe zhvillim. Detyra jonë dhe e shtetit është të respektojë, ruajë dhe kultivojë veçoritë e gjuhës dhe shkrimit të secilit prej komuniteteve Me kremtimin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, konfirmojmë përkushtimin e përbashkët për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor, përkatësisht pasurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj jemi krenarë dhe prandaj diversitetin etnik dhe gjuhësor e konsiderojmë si përparësi dhe pasuri të përbashkët. Prandaj themi: Sot kur ne e shënojmë dhe festojmë Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, së bashku festojmë ekzistencën dhe afrimin e dy traditave kulturore që kanë mbijetuar së bashku. Kjo është një dëshmi e fortë se gjuha dhe shkrimi janë ura e traditave, kulturave dhe trashëgimeve tjera shpirtërore. Janë çelësat që hapin dyert e botëve të tjera për të njohur, respektuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin”, thuhet mes tjerash në urimin e kryeministrit Zaev.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka uruar festën e 22 nëntorit – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Xhaferi thekson se Alfabeti i unifikuar do të vazhdojë të shkruhet e lexohet.

“Me gëzim të veçantë dua t’ju uroj festën 22 Nëntori, Ditën e alfabetit shqip, që është vendosur sipas ditës kur është mbajtur Kongresi i Manastirit në të cilin intelektualë shqiptarë të tubuar nga të gjitha anët, pas një pune të palodhshme nëntëditore, dolën me dhuratën më të çmuar për një popull – Alfabeti i unifikuar i cili do të vazhdojë të shkruhet, lexohet dhe përhapet gjuha, kultura, zakonet, veçoritë dhe tradita folklorike e shkruar dhe kënduar, e cila deri atëherë përcillej me shkronja të huaja të gjuhëve të huaja. Dhurata është e madhe, mirëpo amaneti për të ruajtur atë dhuratë është edhe më i madh. Apeloj te të gjithë përfaqësuesit e diapazonit politik, institucionet që janë themeluar për të kujdesur për këtë dhuratë, te mediumet e shkruara dhe elektronike, te punonjësit administrativë, punonjësit në arsim, që me shembullin tonë të kontribuojmë në rritjen e gjeneratave të reja që do e duan, do e ruajnë, respektojnë dhe flasin gjuhën e standardizuar shqipe me gjithë bukurinë, pasurinë dhe veçantinë e vet dhe le të jetë kjo gjuha e ndërlidhjes dhe respektimit të ndërsjellë.Bashkëqytetarë të mi të dashur shqiptarë, edhe njëherë urime festën e 22 Nëntorit”, shkruan kryetari i Kuvendit, Xhaferi.

I pari i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani po ashtu uroi Ditën e Alfabetit Shqip.

“Uroj për këtë ditë të madhe, nga qyteti i Manastirit, ndryshe i njohur edhe si “Qyteti i Konsujve”, vend në të cilin dikur ka lulëzuar diplomacia dhe kultura. Pikërisht këtu, rilindasit tanë, përveç që vunë themelin e gjuhës shqipe edhe shprehën gatishmërinë për të komunikuar me tjerët dhe për të zhvilluar diplomacinë. Që atëherë shqiptarët janë faktorë i rëndësishëm në Ballkan; një faktorë paqeje dhe stabiliteti. Andaj, do vazhdojmë ta kultivojmë gjuhën tonë. Do kontribuojmë për paqen në Ballkan. Do kontribuojmë për pajtimin mes popujve. Do punojmë në rrugëtimin evropian dhe do mbërrijmë atje, … ku gjuhët e ndryshme janë vlerë e shtuar, bashkë me shqipen edhe të tjerët”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button