ÇAPKËNËT E KLASËS

Zarije Jonuzi-Çelikun e njohim nga skena e Teatrit shqiptar dhe nga ekrani televiziv i Tv Alsatit ku bashkë me të motrën Raskën ka moderuar programin e mëngjesit, ndërsa këtyre ditëve na paraqitet me një dell tjetër krijues, atë të artit letrar.

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

Çapkënët e  klasës sjell freski në letrat shqipe për fëmijët e ciklit të ulët shkollor, 17 tregime që rrëfejnë ndodhira nga e përditshmja. Situatat e trajtuara janë të afërta me lexuesin e vogël dhe kjo është vlera e tyre që e para bie në sy kur merr e lexon librin. P.sh është fenomeni i bulizmit, shakave të pakripura me të cilët nxënësit përballen në mjedisin shkollor e që në rrëfimin Nuk dua të shkoj në shkollë zgjidhet me bisedën e hapur të vajzës me të atin që zotohet se do intervenojë tek mësuesja (prindët ndonjëherë nuk i kushtojnë rëndësi këtij problemi duke e vënë në sirtarin e lojës së zakonshme fëmijërore). Tek Hartimi me shkrim autorja merret me çështjen e impenjimit të madh të materialeve të Internetit gjatë detyrave shkollore ku duhet të vijë në pah kreativiteti i nxënësve dhe mendimi kritik, ndërkohë që ata bëhen kopjues dhe mësohen, nëse të rriturit nuk ua tërheqin vërejtjen, me hajninë intelektuale që është bërë pjesë edhe e rretheve të larta akademike. Rrëmuja e shkronjave tematizon, përmes ngatërrimit klasik të shkronjave gj, xh, ç, q,  kulturën e ulët gjuhësore të nxënësve por edhe arsimtarëve që dëshmon se ata pak kohë kalojnë në lexim të mirëfilltë, kurse literaturë kryesore i kanë fb statuset plot me lëshime gramatikore. Në tregimet Ndotje, ndotje, ndotje dhe Një ditë në plazh para lexuesit hapet problemi i ruajtjes së ambientit jetësor, temë që jo veç për të vegjëlit por edhe prindërit e tyre është më se e rëndësishme si pjesë e (jo)edukatës së përgjithshme.

Xakja është rrëfyese që bën prolog të bukur dhe padiktueshëm e involvon lexuesin në subjektin që shtjellon; shpesh tregimi përfundon me poentë didaktike por i tërë narracioni është argëtues dhe rrjedh lehtas.

Temat tjera që i gjejmë në libër janë edhe krenaria e fëmijës me babain që ka vënë jetën në shërbim të pacientëve (më lehtë edukojmë me mënyrën si sillemi dhe jetojmë se sa me fjalë); dëshira që kanë fëmijët për më shumë vëmendje nga prindërit, jo për më shumë para se blerjet ngaherë janë alibi për mungesën e kohës me familjen, etj.

Recenzentja Vjollcë Berisha thekson se tregimi i shkurtër paraqet zhanër tejet atraktiv kultivimi i së cilit i bën nder cilësdo letërsi, veçmas kur bëhet fjalë për letërsinë për fëmijë. Parë si strukturë në tërësi, ky libër është përmbledhje e mëvetësishme tregimesh që i mban krah për krah një fill i padukshëm i situatave…për shkollarët që gatiten të hapin derën e vockël të një bote të madhe e magjike siç është letërsia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button