Mini-Shengeni për eliminimin e barrierave të CEFTA-s ndërmjet vendeve të rajonit

Raportet ndërmjet shteteve të rajonit në fushën e ekonomisë, shpeshherë janë acaruar deri në atë shkallë sa janë vendosur edhe bllokada, reciprocitet e tarifa shtesë ndërmjet shteteve fqinje.

“CEFTA parasheh lëvizjen e lirë të mallrave, ndërsa me zonën e mini-Shengenit, me krijimin e një zone të unifikuar ekonomike do të mundësohet edhe promovimi i të ashtuquajturave ‘katër liri’ që përtej lëvizjes së mallrave, përfshin edhe lirinë e lëvizjes së shërbimeve, njerëzve, por edhe kapitalit. Çka do të thotë se është një avancim i Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”, deklaroi për REL Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Por, ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Vesel Krasniqi, tha se krijimi i një tregu të përbashkët në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të lehtësonte qasjen e bizneseve vetëm nëse shtetet përkatëse nuk vendosin barriera tregtare.

“Nëse nuk eliminohen barrierat, atëherë nuk na duhet një marrëveshje tjetër me barriera të njëjta”, tha Krasniqi.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, më 10 nëntor kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për tregun e përbashkët rajonal. Ky zotim është marrë në samitin e Sofjes që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, derisa Kosova gjithashtu në deklaratën  e 4 shtatorit në SHBA, është zotuar se do të marrë pjesë në mini-Shengenin.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e zonës së tregtisë së lirë, përmes Marrëveshjes për tregti të lirë, e njohur me shkurtesën, CEFTA. Ajo është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vite kanë vendosur barriera tregtare mes njëra-tjetrës. Serbia dhe Bosnjë Hercegovina pothuajse në vazhdimësi kanë krijuar barriera tregtare ndaj produkteve ‘Made in Kosova’, duke mos njohur dokumentacionin që lëshohej nga ky shtet.

Pikërisht për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Barriera të ndryshme kanë paraqitur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të prodhuesve në Kosovë kishin pohuar se autoritetet shqiptare po pengojnë prodhuesit nga Kosova, kurse problemet me Maqedoninë e Veriut ishin në muajin qershor të vitit të kaluar, kur Shkupi zyrtar kishte vendosur barriera tarifore për rastin e peshkut. Më pas, Qeveria e Kosovës ishte kundërpërgjigjur duke vendosur masa reciprociteti për disa produkte të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button