BE mund të japë dritën e gjelbër për dy vaksinat kundër Kovid-19 në dhjetor

Bashkimi Europian mund t’i japë dritën e gjelbër dy vaksinave që po zhvillohen nga Moderna dhe Pfizer/BioNTech në dhjetor, shkruan Euronews Albania, transmeton Portalb.mk.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen tha të enjten se vaksinat mund të marrin miratim brenda këtij viti, duke lejuar kështu shpërndarjen e tyre në Europë.

Agjencia Europiane e Barnave tha se gjatë diskutimeve të përditshme me Agjencia amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) kanë rënë dakord për “sinkronizimin e vlerësimit të vaksinës” kundër COVID-19.

Nëse të gjitha procedurat shkojnë mirë, Agjencia Europiane e Barnave mund t’i japi autorizimin për shitjen e vaksinës duke nisur nga mesi i dhjetorit, shtoi Von der Leyen.

E pyetur për vaksinën e zhvilluar në Rusi, për të cilën ka treguar interes të veçantë Hungaria, shefja e Komisionit tha se “Çdo vaksinë duhet të kalojë në procedurat e autorizimit të Agjencisë Europiane të Barnave, me transparencë të plotë”.

Të enjten, drejtori i BioNTech, Ugur Sahin, tha për AFP se mund të marrin autorizim për përdorimin dhe shpërndarjen e vaksinës në BE dhe SHBA përpara 2021.

Në një video-konferencë të mbajtur të enjten mbi menaxhimin e pandemisë, krerët e shteteve të Europës kanë diskutuar dhe për lehtësimin e masave kufizuese në prag të festave të fundvitit por pa rrezikuar rikthimin e një “vale të tretë”.

Sipas burimeve, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë këmbëngulur “për gjetjen e një balance”.

“Duhet të mësojmë nga leksionet e të shkuarës. Lehtësimet duhet të vijnë në mënyrë graduale. Dëshira jonë është të festojmë gjatë fundvitit por në mënyrë të sigurt”, tha presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button