U promovuan dy karakteret e parë në 3D animacion në gjuhën shqipe (VIDEO)

Në prag të Ditës së Alfabetit, u promovua videoja e parë 3D kushtuar alfabetit shqip për të gjithë fëmijët. Stella dhe Sani janë heronjtë e animacioneve të para 3D në gjuhën shqipe dhe kanë për qëllim edukimin e më të rinjve duke krijuar material me cilësie të lartë, me çka do afirmohet gjuha amtare, si dhe do të zhvillohet imagjinata fëmijërore me muzikë dhe lojëra adekuate për moshën e tyre, transmeton Portalb.mk.

Projekti shpaloset në prag të Ditës së Alfabetit, 22 nëntor, me një video origjinale e cila pritet të jetë kënga e preferuar e çdo fatosi.

Stella dhe Sani

“E pritëm këtë datë për të filluar projektin Stella dhe Sani që nisma të ketë jehonë edhe më të madhe dhe Dita e Alfabetit në vitin 2020 të festohet me një këngë dhe video të veçantë për shkronjat tona të arta. Përpos kësaj video, në vijim do ketë edhe video të tjera që përfshijnë: mësimin për kafshët, nxitja e shprehive për higjienë personale dhe rruajtjen e mjedisit jetësor, shoqëri dhe bashkëjetesë multietnike, tolerancë dhe miqësi, mësim i ngjyrave, sendeve, rrethinës etj.  – shprehet Bleta Begu, një nga udhëheqëset e projektit.

Animacionet janë krijuar nga studioja e mirënjohur nga Maqedonia e Veriut për produksion dhe post produksion filmik “Vertigo Visual”. Tekstet e këngëve në shqip janë të shkruar nga gazetari, aktivisti dhe tekst-shkruesi Petrit Saraçini.

“Kur bëhesh prind e kupton mungesën e materialeve në gjuhën amtare dhe prandaj fëmijët zgjedhin materiale në gjuhë të huaj. Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për projektin “Stella dhe Sani” që të bëjmë diçka cilësore për fëmijët tanë dhe gjeneratat që vijnë. Nuk ka dyshim që këta do jenë miqtë më të mirë të fëmijëve, shumë shpejt.” – shprehet Petriti.

Projekti është i mbështetur nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në suaza të thirrjes publike për kofinancim të granteve për komercializim të inovacioneve që mundësojnë qasje në përmbajtje kreative dhe cilësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button